Kërko

 Vatër e re konflikti në Mesdhe Vatër e re konflikti në Mesdhe  

Tension në Mesdheun lindor, thirrja e Papës për dialog

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa shprehu shqetësimin e tij për lindjen e vatrave të reja të konflikteve në Mesdhe dhe bëri thirrje për dialog e respektim të ligjshmërisë ndërkombëtare.

R. SH. - Vatikan

Një thirrje e re e Papës për dialog konstruktiv në zonën e vatrave të reja të pasigurisë e për respektim të ligjshmërisë ndërkombëtare.

Shqetësimi i Françeskut për Mesdheun Lindor

Papa pohoi se po i ndjek me shqetësim të thellë tensionet në zonën e Mesdheut lindor, rrethuar nga vatra të ndryshme trazirash, duke kërkuar dialog:

“Ju lutem, ju bëj thirrje për dialog konstruktiv e për respektim të ligjshmërisë ndërkombëtare në zgjidhjen e konflikteve, që kërcënojnë paqen e popujve në këtë rajon”.

Shkaqet e tensionit

Tensionet e thelluara javët e fundit në Mesdheun lindor ndërmjet Greqisë e Turqisë, lidhen me çështjen e gazit e të naftës, zbuluar dhjetë vjet më parë. Të dy vendet, që kohët e fundit nënshkruan marrëveshje detare - vitin e kaluar Turqia me Libinë - një vit më parë, Greqia me Egjiptin – janë në kundërshtim lidhur me interpretimin e kufijve përkatës të ujërave territoriale e, prej këndej, edhe me të drejtën e zbulimit e të shfrytëzimit të burimeve energjitike.

Zhvillimet e fundit

Tensionet ndërmjet Ankarasë e Athinës u thelluan pas 10 gushtit, për shkak të anijes eksploruese turke “Oruc Reis”, që nisi  punën të hënën e kaluar, e shoqëruar nga një anije luftarake turke. BE-ja e paralajmëroi Turqinë  për masa të reja ndëshkimore, duke përfshirë edhe masa të  rënda ekonomike, nëse nuk punon për uljen e tensionit. Të mërkurën e kaluar Turqia  pranoi të merret vesh me Greqinë, pa parakushte. Vendet evropiane po përpiqen ta zbusin këtë konflikt të ri në Mesdhe. Prej këndej, edhe thirrja e Papës.

Dita botërore e Lutjes për kujdesin ndaj Krijimit

Françesku kujtoi edhe se pasnesër, 1 shtator, kremtohet Dita botërore e lutjes për kujdesin  e Krijimit. Nga kjo datë, deri më 4  tetor, do të kremtojmë me vëllezërit tanë  të krishterë të Kishave e të traditave të ndryshme, Jubileun e Tokës, për të përkujtuar themelimin, 50 vjet më parë, të Ditës së Tokës – kujtoi Papa pas lutjes së Engjëllit.

Në vijim përshëndeti nismat e ndryshme organizuar në të katër anët e botës. E, ndërmjet tyre, Koncertin, që jepet sot në Katedralen e Port-Louis, kryeqytet i Mauritius ku, për fat të keq, kohët e fundit banorët jetuan çaste të hidhura të një  fatkeqësie ambientale.

Përshëndetjet Sheshit

Më pas, përshëndetja  aq e pritur nga Sheshi, plot me besimtarë nga Italia e vende të ndryshme të botës:

“Shikoj flamujtë - kujtoi Papa - e përshëndes bashkësinë fetare të Timorit Lindor në Itali; ju lumtë, me flamuj! E edhe shtegtarët e Londrinës e të Formozës nga Brazili si dhe të rinjtë e Grantorto-s, dioqeza e Vicencës. Shikoj edhe flamuj polakë: përshëndetje edhe polakëve! Flamuj argjentinas: edhe argjentinasve përshëndetje. Mirëserdhët të gjithë!”.

“E të gjithëve, të diel të gëzuar!”- uroi, duke shtuar edhe: “Ju lutem, mos  harroni ta thoni një uratë për mua. Drekën e mirë e mirupafshim”.

 

30 gusht 2020, 13:41