Kërko

Vatican News
 Imzot Luiz Fernando Lisbona Imzot Luiz Fernando Lisbona 

Telefonatë e papritur e Papës në Cabo Delgado të Mozambikut

Shqetësimi dhe afërsia e përhershme e Papës për vendin afrikan, ku vijon të keqësohet situata humanitare, posaçërisht në provincën veriore të Cabo Delgado.

R. SH. - Vatikan

Ipeshkvi i Pemba-s, në Mozambik, imzot Fernando Lisboa, flet, në Vatican News, për telefonatën e papritur të Papës, të mërkurën në mëngjes. E tërheq përsëri vëmendjen mbi situatën humanitare në provincën veriore të vendit afrikan, që vijon të keqësohet. Bëhet fjalë për Cabo Delgado, ku në vitin 2010 gjatë brigjeve u zbuluan rezerva të pasura gazi. Zona është selia më e madhe e gazit natyror likuid në Afrikë, për shfrytëzimin e të cilit  bëhen  investime gjithnjë në rritje. Po tani në rritje  janë edhe kryengritjet, që i vënë në rrezik këto investime.

Papa ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet në rajon

“Mora thirrjen nga Papa – kujton ipeshkvi - që më dha shumë ngushëllim e siguri. Gjatë telefonatës, Ati i Shenjtë më shprehu afërsinë. Mua e, sidomos, banorëve të Cabo Delgado. Kujtoi se i ndjek me shumë shqetësim ngjarjet e provincës sonë e se lutet vazhdimisht për ne. Më kërkoi edhe t’i kujtoj çka mund të bëjë për ne. Më nxiti t’ia kujtoj pa asnjë farë ngurrimi, duke më siguruar se është gati të ecë përkrah nesh. I shpreha mirënjohjen time të thellë për gjestin e telefonatës e, sidomos, për lutjen që na e kushtoi të Dielën e Pashkëve, më 12 prill, gjatë Bekimit “Urbi et Orbi”. I thashë edhe se kujtimi i krizës sonë humanitare bëri që edhe njerëz të tjerë të njiheshin me situatën. Vërejmë se që atëhere shumë organizata humanitare - edhe individë, vendas e të huaj - nisën të bashkëpunojnë. I thashë edhe: “Atë i Shenjtë, ju e vutë  Cabo Delgadon në hartën e botës”. E ai - tregon akoma ipeshkvi  i Pembës - komentoi italisht: “Sa bukur, Sa bukur!”.

Sulmi xhihadist në portin Mokimboa da Praia

Ipeshvki Fernando Lisboa  kujtoi edhe se e informoi Papën për situatën në qytetin portual të Mokimboa da Praia, pushtuar nga militantët xhihadistë, që flitet se janë të lidhur me Shtein islamik (Isis). E nuk dihet akoma kush fshihet  pas sulmeve të Cabo Delgado- theksoi.

Asnjë lajm për murgeshat, zhdukur prej një jave

“I tregova Atit të Shenjtë - vijon imzot Fernando Lisboa nga porti Mokimboa da Praia - se  xhihadistët rrëmbyen dy motra murgesha, për të cilat nuk kemi asnjë lajm. Janë dy rregulltare të Kongregatës ndërkombëtare të Motrave të Shën Jozef di Chambéry. E Papa  u trishtua shumë - nënvizon - e  më premtoi se do të lutet për to”.

Adelante!

Duke vijuar rrëfimin e asaj, që u tha gjatë telefonatës me Papën, Ipeshkvi shton edhe se Françesku i kujtoi vizitën e tij në Mozambik, një vit më parë, ku u njoh nga afër me situatën në Capo Delgado. “ Më inkurajoi - shton - të bisedoj me kardinalin Michael Czerny të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, për të kërkuar ndihmë humanitare. U entuziazmova dhe e sigurova për lutjen tonë, në mbështetje të magjisterit të Tij, E Papa përfundoi me brohorinë: “Të shkojmë përpara, pra,  me besim të patundur!”.

21 gusht 2020, 10:12