Kërko

“Si Jezu Krishti, të detyruar të ikin”: të ndajmë bashkë, për t’u rritur

“Të shpërngulurit e brendshëm”, janë kategoria, së cilës Papa ia kushton mesazhin për Ditën botërore të migrantit e të refugjatit, të 27 shtatorit të ardhshëm.

R. SH. - Vatikan

“Të shpërngulurit e brendshëm”, janë kategoria, së cilës Papa ia kushton mesazhin për Ditën botërore të migrantit e të refugjatit të 27 shtatorit të ardhshëm. Për t’i sensibilizuar njerëzit lidhur me problemin e atyre, të cilëve u duhet të zhvendosen nga një vend në tjetrin, pikërisht në atdheun e  tyre, të detyruar nga situata e rëndë, dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor realizoi, këtë muaj, një video të re - e katërta e kësaj serie - e cila, ashtu si të mëparshmet, duke nisur nga maji, i lidh disa mendime të Papës, me dëshminë e një njeriu që ka të bëjë me këtë problem të mprehtë për mijëra njerëz në botë!

Në këtë rast, për veten flet Eric Estrada Buanano, 38 vjeç, venezuelan,  që e  la një ditë qytetin e  tij, Taribën, në një zonë kufitare, sepse jeta në atë vend i qe bërë krejtësisht e pamundur. E pamundur, sepse i mungonin gjërat pa të cilat nuk mund të jetohet! I mungonte uji i pishëm, gazi - a drutë - për të gatuar, e i kishte me të tepërt gjërat krejt të padëshiruara:  vjedhjet, kriminalitetin e organizuar, sekuestrimet, pasigurinë e plotë të jetës dhe të gjësë.

Jeta e Erikut ndryshoi ditën kur, në një lokalitet tjetër, një familje ia hapi portën mikpritëse, duke i siguruar ushqimin, çatinë mbi kokë e duke e ndihmuar të gjejë punë. “Ka njerëz - kujton Eric - që kanë nevojë për ndihmën tonë. Ndarja e përbashkët na bën më njerëz se jemi, na bën të besojmë më shumë në Zotin, na bën ta ndjejmë veten bijtë e Tij”. Është gjë e bukur të ndash bashkë të mira e të vështira - kujton- edhe gëzimin, edhe një fjalë inkurajimi: “Gjithçka mund të japim është e çmuar: në një farë mënyre, dikënd mund ta ndihmojë!”. Fjalë këto, që i bëjnë jehonë atyre të Françeskut:

“Duhet të mësohemi të ndajmë bashkë gjithçka, që të rritemi bashkërisht, pa lënë askënd vetëm!”.

18 gusht 2020, 14:05