Kërko

Mesha e Papës në Abu Dabi, 2019 Mesha e Papës në Abu Dabi, 2019

Shtrihet mbi gjithë Gadishullin Arabik jurisdiksioni i Patriarkëve Katolikë Lindorë

Vendim i Papës Françesku, përmes një Rescriptum, me kërkesën e Patriarkëve dhe duke pasur parasysh përfitimet më të mëdha shpirtërore për besimtarët.

R.SH. - Vatikan

Me një “Rescriptum” botuar sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit, Papa e shtriu juridiksionin e Patriarkëve Katolikë Lindorë mbi të gjithë Gadishullin Arabik (Vikariatet Apostolike të Arabisë Veriore dhe të Arabisë Jugore). Françesku e mori këtë vendim me kërkesën e Patriarkëve, duke pasur parasysh përfitimet më të mëdha shpirtërore për besimtarët.

Kujdesi baritor për besimtarët lindorë do të realizohet në koordinim me Vikarët Apostolikë. Me përjashtim të prerogativave të Përfaqësuesve Papnorë, Vikarët Apostolikë - saktësohet - janë përfaqësuesit e Kishës Katolike para autoriteteve politike të vendeve përkatëse dhe atyre do t’u referohen Patriarkët Lindorë. Si përjashtim nga kanoni 85 § I i CCEO (Kodi i Kanuneve të Kishave Lindore), ngritja e mundshme e qarqeve të reja kishtare nga Sinodet e Kishave Patriarkale sui iuris do t’i nënshtrohet autorizimit paraprak të Selisë Apostolike. Ky përjashtim vijon për pesë vjet, pastaj, do të rishikohet.

Kujtojmë se në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, ushtrojnë juridiksionin e tyre dy Dikastere: Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, në Vikariatet Apostolike Latine të Arabisë Jugore dhe Veriore dhe Kongregata për Kishat Lindore, në vendet afër Gjirit Persik, si Jordania, Iraku, Irani, Libani, Siria, Palestina, Izraeli, Egjipti.

Dispozita e sotme papnore është rezultat i vlerësimit të kujdesshëm të Papës me Dikasteret kompetente të Kuries Romake, pasi u dëgjuan vërejtjet e Patriarkëve dhe të Vikarëve Apostolikë të Arabisë Veriore dhe Jugore.

Ajo ka të bëjë me gjashtë Kishat Patriarkale Katolike Lindore: atë të Aleksandrisë së Koptëve, të Antiokisë së Maronitëve, të Antiokisë së Sirianëve, të Antiokisë së Greko-melkitëve, të Babilonisë së Kaldeasve dhe të Cilicës së Armenëve.

Perspektiva e Rescriptum është ajo e bashkimit. Megjithë larminë e traditave rituale, historikisht të ligjshme, Kisha Katolike, në një kontekst me shumicë myslimane, duhet të vazhdojë të ruajë dhe promovojë një horizont të përbashkët të veprimit, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit baritor. Gjithashtu, nuk duhet të paraqitet me shumë bashkëbisedues para autoriteteve politike, me të cilët kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta Përfaqësuesit Papnorë dhe Vikarët Apostolikë.

Kishat Patriarkale Katolike, nga ana e tyre, duke u mbështetur në praninë e tyre shekullore në zonë, do të jenë në gjendje të kujdesen drejtpërsëdrejti për besimtarët, të cilët, që nga viti 2003, kishin kaluar nën kompetencën e Vikarëve Apostolikë Latinë.

Të gjithë së bashku, latinë e lindorë, tashmë, në një mënyrë më të strukturuar dhe të koordinuar, do të vazhdojnë të ndjekin punëtorët migrantë katolikë të pranishëm në zonë, në mënyrë që të mos u mungojë mundësia për të dëgjuar Ungjillin e për t’u shoqëruar shpirtërisht nga barinjtë e tyre.

06 gusht 2020, 16:12