1596972029821.jpg

Papët dhe Libani, lidhje dashurie e dhembshurie

Fjalët e fuqishme të Papës Françesku për Libanin, në Engjëllin e Tënzot të së dielës, pas shpërthimit të dyfishtë në portin e Bejrutit, të martën e kaluar, janë rast për të nënvizuar lidhjen që bashkon Vendin e Kedrave me Selinë e Shenjtë. Papët bashkëkohorë i kushtuan vëmendje të veçantë Libanit dhe tre prej tyre e vizituan atë.

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvi i parë i Romës që shkeli mbi tokën libaneze ishte Papa i shenjtë Pali VI, në vitin 1964. Nuk ishte vizitë e vërtetë baritore në Liban, por një ndalesë teknike një-orëshe gjatë rrugës për në Kongresin Eukaristik në Bombej të Indisë. Edhe pse shumë e shkurtër, kjo ndalesë në aeroportin ndërkombëtar të Bejrutit mbeti në kujtesën e popullit libanez, i cili në atë 2 dhjetor 1964 përjetonte akoma epokën kur Libani quhej “Zvicra e Lindjes së Mesme”. “Libani – na pëlqen ta themi këtu – e mban me nder vendin e vet ndërmjet kombeve”, nënvizoi Pali VI, gjatë qëndrimit të tij në Bejrut. “Historia e tij, kultura dhe karakteri paqësor i banorëve, kanë bërë të fitojë vlerësimin dhe miqësinë e të gjithëve. Sidomos, traditat e tij të lashta dhe të nderuara fetare duken të denja për lavdërimin Tonë. E, në veçanti, nuk mund të harrojmë - vazhdoi Papa Montini - gjithçka që përfaqëson feja e popullsive të krishtera libaneze për Kishën, e shprehur në larminë e harmonishme të riteve, në begatinë dhe në larminë e bashkësive fetare dhe murgare, në veprimtaritë e shumta me karakter apostolik, edukativ, kulturor ose bamirës”. Fatkeqësisht, në fund të papnisë së Palit VI, filloi lufta civile në Liban. Deri para vdekjes, Pali VI u bëri thirrje palëve të nënshkruanin armëpushimin.

Gjon Pali II dhe dashuria e tij për popullin libanez

          Dhimbja për konfliktin në Liban karakterizoi edhe vitet e para të papnisë së Gjon Palit II. Ia vlen të përmendet Mesazhi i tij për libanezët, më 1 maj 1984. Papa, shenjt i ardhshëm, iu drejtua të krishterëve e myslimanëve, me fjalë plot pasion. “Brezat e ardhshëm – u thoshte – do t’ju gjykojnë për aftësinë tuaj që të kapërceni tensionet e sotme dhe frikën e së nesërmes. ‘E ardhmja e njerëzimit është në duart e atyre, që kanë aftësinë për t’u transmetuar brezave të së nesërmes arsyet e jetës e të shpresës’. Për ne, është fjala për Krishtin, shëlbuesin e njeriut!”, nënvizonte Gjon Pali II, duke përmendur Kushtetutën konciliare “Gaudium et Spes” e duke ia besuar Zojës së Libanit fatin e popullit të atij vendi.

Gjatë viteve të fundit të luftës civile, Papa do të mobilizonte çdo lloj rrjeti për të shpëtuar jetë e për të gjetur zgjidhjen e konfliktit. E më 1997, pas 19 vite pritjeje, Woytila mbërriti të shkonte në Bejrut, udhëtim, që mbeti në histori, sidomos për shprehjen e tij “vend mesazh”, që edhe sot përdoret për Libanin. Në këtë vizitë relativisht të shkurtër, 36 orë, Papa polak, tashmë i dobësuar fizikisht, iu drejtua të rinjve me këto fjalë: “Ju takon juve të rrëzoni muret, që janë ngritur gjatë periudhave të dhimbshme në historinë e kombit; mos ndërtoni mure të reja në vendin tuaj! Përkundrazi, e keni për detyrë të ndërtoni ura ndërmjet njerëzve, familjeve dhe bashkësive të ndryshme”.

Benedikti XVI dhe ftesa për t’u rrënjosur në Zotin

          15 vite më vonë, pasardhësi i tij, Benedikti XVI, shkoi në Liban, në shtator 2012, udhëtimi i fundit i papnisë së tij,ndërsa vijonte konflikti në Siri e gjendja në Lindjen e Mesme s’ishte aspak e qetë. Por Papa u prit edhe nga lëvizjet myslimane, që e përshëndetën duke valëvitur flamujt e Vatikanit, për habinë e gazetarëve perëndimorë.

          Ati i Shenjtë, që sot është Papë i nderit, pati vënë në dukje ekuilibrin e brishtë libanez, nën presionin e interesave të pjesshme, para të cilave duhej dhënë prova e një urtie të madhe. “Vij për t’ju thënë – theksoi Benedikti XVI në ceremoninë e mirëseardhjes - sa e rëndësishme është prania e Zotit në jetën e secilit dhe sesi kjo mënyrë të jetuari, kjo bashkëjetesë që dëshiron të dëshmojë vendi juaj, do të jetë e thellë vetëm nëse bazohet në vështrimin mikpritës dhe në qëndrimin mirëdashës ndaj tjetrit, nëse është e rrënjosur në Zotin, i cili dëshiron që të gjithë njerëzit të jenë vëllezër. Ekuilibri i famshëm libanez… mund të vijojë falë vullnetit të mirë dhe impenjimit të gjithë libanezëve. Vetëm atëherë do të jetë model për banorët e të gjithë rajonit dhe të botës. Nuk është vepër thjesht njerëzore, por dhuratë e Zotit, që duhet kërkuar me këmbëngulje, ruajtur me çdo kusht dhe konsoliduar me vendosmëri”.

Papa Françesku dhe inkurajimi i tij për rininë libaneze

          Papa Françesku nuk ka pasur akoma rastin të shkojë në Liban, por në vitin 2013, meditimet e Udhës së Kryqit në të Premten e Madhe, e para e papnisë së tij, u shkruan nga të rinjtë libanezë. Në fjalët e tij përfundimtare, Ati i Shenjtë kujtoi se “fjala e Kryqit është përgjigja e të krishterëve ndaj së keqes që vazhdon të veprojë brenda dhe rreth nesh. Të krishterët duhet t’i përgjigjen së keqes me të mirë, duke marrë Kryqin mbi vete, si Jezusi. Sonte dëgjuam dëshminë e vëllezërve tanë nga Libani: ata i shkruan këto meditime dhe lutje të bukura. I falënderojmë nga zemra për këtë shërbim e sidomos, për dëshminë që japin. E pamë këtë kur Papa Benedikti shkoi në Liban: pamë bukurinë dhe forcën e bashkimit të të krishterëve të atij vendi, si edhe miqësinë e shumë vëllezërve myslimanë e të shumë të tjerëve. Ishte një shenjë për Lindjen e Mesme dhe për gjithë botën: një shenjë shprese”.

          Gati shtatë vjet e gjysmë më vonë, kjo shpresë vazhdon të shprehet në ndërhyrjet e Papës Françesku, edhe me gjeste konkrete, siç është financimi i 400 bursave për studentët libanezë, njoftuar më 14 maj. Sipas Atit të Shenjtë, vetëm duke investuar në aftësinë krijuese të të rinjve, do të lindë një Liban i ri, besnik ndaj rrënjëve të tij shpirtërore, në udhë drejt së ardhmes në drejtësi e paqe.

10 gusht 2020, 19:57