Kërko

Vatikani Vatikani

Papa zgjedh gjashtë gra si eksperte laike në Këshillin për Ekonominë

Kardinali Marks mbetet koordinator i organizmit të krijuar nga Papa Françesku në vitin 2014 për të mbikëqyrur strukturat dhe veprimtaritë administrative dhe financiare të Selisë së Shenjtë e Vatikanit.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi sot 13 anëtarë të rinj në Këshillin vatikanas për Ekonominë, organi që ai vetë e themeloi më 24 shkurt 2014, me Letrën Apostolike “Fidelis dispensator et prudens”. Detyra e Këshillit është mbikëqyrja e administrimit ekonomik dhe e veprimtarive financiare të Dikastereve të Kuries Romake, të institucioneve të lidhura me Selinë e Shenjtë dhe me Shtetin e Vatikanit. Ai përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë, tetë prej të cilëve zgjidhen ndërmjet kardinajve dhe ipeshkvijve, duke pasqyruar universalitetin e Kishës, ndërsa shtatë të tjerët janë ekspertë të kombësive të ndryshme, profesionistë të njohur. Koordinator i organizmit mbetet kardinali Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Mynihut dhe i Frajsingut. Gjithashtu, mbetet anëtar i tij kardinali Wilfrid Fox Napier, kryeipeshkëv i Durbanit, pavarësisht se 80-vjeçar.

          Në Këshill hyjnë gjashtë kardinaj dhe shtatë ekspertë të rinj laikë, ndër të cilët gjashtë gra. Kardinajtë janë: Péter Erdő, kryeipeshkëv i Esztergom-Budapest; Odilo Pedro Scherer, kryeipeshkëv në San Paolo të Brazilit; Gerald Cyprien Lacroix, kryeipeshkëv i Quebec; Joseph William Tobin, kryeipeshkëv i Newark; Anders Arborelius, ipeshkëv i Stokholmit; Giuseppe Petrocchi, ipeshkëv i L'Aquila.

Ndërsa gjashtë ekspertet femra janë: profesoresha gjermane Charlotte Kreuter-Kirchhof, pedagoge e së drejtës publike kombëtare dhe ndërkombëtare në Universitetin Heinrich-Heine të Dyseldorfit. Ajo kryeson shoqatën Hildegaris, një lëvizje e grave katolike në Gjermani, që mbështet studentet në vështirësi;

          Marija Kolak, gjermane, ka punuar në Berliner Volksbank dhe aktualisht është presidente e Bundesverband der Deutschen Volksbanken und Raiffeisenbanken. Është e martuar dhe ka tre fëmijë;

Maria Concepcion Osacar Garaicoechea, spanjolle, është ortake themeluese e Grupit Azora dhe kryetare e Këshillit Administrativ të Azora Capital dhe Azora Gestion, SGIIC. Është e diplomuar në jurisprudencë në Universitetin Autonom të Madridit. Është e martuar dhe ka dy vajza;

Eva Castillo Sanz, spanjolle, e diplomuar në Jurisprudencë dhe Ekonomi në Universitetin Papnor të Comillas në Madrid. Aktualisht, bën pjesë në Këshillin Administrativ të Bankia S.A, në atë të Zardoya Otis S.A, dhe në atë të Fundación Comillas-ICAI dhe Fundación Entreculturas;

Ruth Mary Kelly, britanike, ka punuar në qeverinë laburiste nga viti 2004 në vitin 2008 si Sekretare e Shtetit për Arsimin. Aktualisht është Pro Zv.Rektore për Punën Kërkimore dhe Ndërmarrjet në Universitetin e Shën Marisë në Londër;

Lesile Jane Ferrar, britanike, komandante e Urdhrit Mbretëror Viktorian, ka qenë administruese e trashëgimisë së Karlit, Princit të Uellsit, nga janari 2015 deri më korrik 2017. Ka studiuar në Harvard Business School dhe në Universitetin e Durhamit.

Burri i vetëm është një italian, Alberto Minali, nga Verona, me një diplomë në Ekonomi Politike në Universitetin Bocconi e me specializim në Universitetin e Yale dhe në Universitetin Brandeis të Bostonit. Ka qenë drejtor i përgjithshëm në “Grupin Generali”, drejtues i sektorit të investimeve të Grupit Eurizon dhe drejtor i përgjithshëm i Grupit të Sigurimeve “Cattolica”.

Këshilli për Ekonominë punon në dritën e Ungjillit e sipas doktrinës shoqërore të Kishës. U përmbahet praktikave më të mira të njohura ndërkombëtarisht në fushën e administratës publike, për ta ushtruar detyrën e vet me etikë e frytshmëri financiare e administrative.

06 gusht 2020, 15:44