Kërko

Papa tek Zoja e Madhe, në festën e Kushtimit të Bazilikës

Rreth orës 16.00, Papa Françesku u ndal në lutje para fugures së Zojës “Salus Populi Romani”

R.SH. - Vatikan

Sot pasdite, rreth orës 16, Papa Françesku shkoi në kishën e Shën Marisë së Madhe, në festën e Kushtimit të Bazilikës, për t’u ndalur në lutje para fugures së Zojës “Salus Populi Romani”. Në këtë, që është një ndër katër bazilikat papnore të Romës, Papa shkon vazhdimisht për t’ia besuar Nënës së Zotit udhëtimet e tij apostolike, duke u lutur e duke çuar buqeta lulesh si para nisjes, ashtu edhe pas kthimit.

Festa e Bazilikës

          Paradite, në orën 10, meshën e kremtoi kryeprifti i Bazilikës, kardinali Stanislaw Rylko. Gjatë himnit të Lavdit (Gloria), reshi shiu tradicional i luleve të bardha, në kujtim të dëborës së vitit 358 kur, sipas traditës, Virgjëra iu duk në ëndërr Papës Liberi dhe patricit Gjon, duke kërkuar ndërtimin e një kishe në vendin, që do ta tregonte më vonë. Mëngjesin e 5 gushtit, kodra e Eskuilinit u zgjua e mbuluar me dëborë. Sot, në orën 16.15, u tha Rruzarja Shenjte, që u ndoq nga Lutja e dytë Mbrëmësore solemne papnore, kryesuar nga imzot Piero Marini, me një shi të ri petalesh gjatë Magnificat-it. Së fundi, në orën 18, mesha, që mbylli festën, kryesuar nga imzot Francesco Canalini.

05 gusht 2020, 18:22