Festivali i të rinjve në Medjugorje Festivali i të rinjve në Medjugorje 

Papa, të rinjve të Medjugorjes: vetëm Jezusi i jep kuptim të plotë jetës

Arrin, e fuqishme dhe e ngarkuar me shpresë, fjala e Françeskut, në takimin ndërkombëtar të lutjes të të rinjve “Mladifest”, që vijon në Medjugorje nga 1 deri më 6 gushti. Tema është një frazë e shkëputur nga Ungjilli i Shën Gjonit: “Ejani, e shikoni” (Gjn. 1,39). Një çast i pasur lutjeje, katekizmi, vëllazërimi, gjatë të cilit Papa i fton të rinjtë “të vrapojnë drejt Jezusit, me ndihmën e Shpirtit Shenjt. Ta kërkojnë. T’i besojnë. E ta dëshmojnë!”.

R. SH. - Vatikan

Të takosh Krishtin e gjallë, posaçërisht në Kungim e në Rrëfim, në Medjugorje, gjatë takimit tuaj, “do të thotë të njohësh një mënyrë të re të të jetuarit” Jo “kulturën e kalimtares”, jo “relativizmin”, jo “përgjigjet efimere”, por “të vërteta e të sigurta”. Me këto fjalë u drejtohet Françesku  të rinjve, në një mesazh, në gjuhën kroate. “Fjalët-prijëse të festivalit “Ejani, e shikoni!”(Gjn 1,39), që Jezusi ua drejton dishepujve, janë bekim edhe për ju, të rinjtë” - shpjegon Ati i Shenjtë - sepse “Jezusi jua ngulë sytë edhe ju, e ju fton të ecni pas Tij!”.

Të japësh dëshmi për Krishtin!

“Të rrish me Zotin - u kujton akoma Papa të rinjve - do të thotë t’i japësh kuptim jetës. Sepse Ai i bën të reja të gjitha sendet”. Duke u takuar me Krishtin, bëhesh njeri i ri e merr misionin për t’ua transmetuar këtë përvojë edhe të tjerëve, por duke i mbajtur sytë gjithnjë ngulë tek Ai, Zoti. Papa fton “të gjindet gjithnjë koha për të ndenjur me Jezusin, për ta takuar, për t’ia besuar gjithçka Atij, që është specialist i zemrës njerëzore. Që të mbush përplot me ‘shpirtin e Tij’ e të ndihmon të bëhesh gati për aventurën mahnitëse të jetës”

E Festivali organizohet pikërisht për këtë “Ejani!”, domethënë, për të ecur drejt Krishtit fizikisht e shpirtërisht e “për të parë”, domethënë për të fituar përvojën e Zotit e, falë Atij, për të gjetur kuptimin e plotë e përfundimtar  të jetës.

Maria, model i pohimit tonë

Rëndësi ka modeli, që zgjedhim për jetën tonë - u kujton Papa të rinjve të Medjugorjes. - E modeli më i mirë është Maria që, me pohimin e saj, rrezikoi gjithçka, “pa garanci tjetër, veç sigurisë se ishte mbartëse e një premtimi”. Përgjigjja e saj “Jam shërbëtorja e Tënzot” (Lk 1,38) – kujtoi akoma Françesku - është shembulli më i bukur, që na tregon ç’i ngjet njeriut kur, krejtësish i lirë, lëshohet pa asnjë kusht në dorë të Zotit”.

Lutja e fundit e Papës i drejtohet, natyrisht, Zojës

“Maria është Nëna, që vigjilon mbi bijtë e vet,  të cilët ecin, shpesh edhe të lodhur e nevojtarë, nëpër shtigjet e jetës, por me  dëshirën  që drita e shpresës të mos shuhet kurrë. E ne këtë duam: që drita e shpresës të mbetet gjithnjë e ndezur, në zemrat tona, e përmbi botën”.

Kisha ka nevojë për të rinjtë

E atëhere, ja mesazhi më i fortë, që Papa e merr nga Christus vivit - Nxitja Apostolike pas sinodale, e ua dorëzon të rinjve:

“Vraponi, të tërhequr nga kjo Fytyrë kaq e dashur, që e adhurojmë në Eukaristinë Shenjte dhe e njohim në korpin e vëllait të vuajtur. Shpirti Shenjt ju ndihmoftë në këtë vrapim, që ju çon gjithnjë përpara. Kisha ka nevojë për hovin tuaj, intuitën tuaj, fenë tuaj!”.

03 gusht 2020, 11:59