Kërko

Papa Francesco e Madonna  Papa Francesco e Madonna  

Papa: figura e Marisë Virgjër të lirohet nga ndikimi i mafieve

Në një letër drejtuar Akademisë Papnore Mariane Ndërkombëtare, Papa Françesku shpreh vlerësimin për ngritjen e një Departamenti të ri për analizën dhe studimin e dukurive kriminale e mafioze, "për të liruar figurën e Zonjës sё Bekuar nga ndikimi i organizatave tё krimit".

R.SH. - Vatikan

"Devocioni marian, nderimi i Zojёs sё Bekuar është një trashëgimi fetaro-kulturore për t'u mbrojtur në pastërtinë origjinale të saj duke e liruar atë nga superstrukturat, strukturat e panevojshme, pushtetet apo kushtëzimet që nuk u përgjigjen kritereve ungjillore të drejtësisë, lirisë, ndershmërisë dhe solidaritetit". Kёtё nënvizon mes tjerash Papa Françesku në letrën e tij të 15 gushtit tё kaluar dërguar at Stefano Çeçinit, president i Akademisë Papnore Mariane Ndërkombëtare, me rastin e themelimit tё njё departamenti tё ri pranё Akademisë Papnore Mariane ndёrkombёtare.

Në dokument, Ati i Shenjtё Bergoglio kujton gjithashtu se në kuadrin e kësaj Akademie Papnore, u krijua Departamenti pёr analizën dhe studimin e dukurive kriminale e mafioze, "për të liruar figurën e Zonjës së  Bekuar nga ndikimi i organizatave keqdashëse e kriminale".

Ndër shembujt e këtij spiritualiteti të shtrembëruar janë  “përkuljet” e shtatoreve të Virgjërës Mari përpara shtëpive të bosëve tё mafies gjatë procesioneve. Në letër Papa Françesku përshëndet edhe nismëtarët, relatorët dhe pjesëmarrësit e Ditës së Studimit, qё ёshtё planifikuar për datёn 18 shtator e organizuar nga Akademia Papnore Mariane në bashkëpunim me autoritetet kishtare dhe institucionet publike. Qëllimi i nismës është të kerkojë dhe identifikojë "përgjigjet efikase" për një "operacion të nevojshëm kulturor të rritjes së ndërgjegjësimit". Ati i Shenjtё Françesku shpreson gjithashtu që Shenjtëroret Mariane të bëhen gjithnjë e më shumë "qyteza lutjesh, qendra veprimi të Ungjillit, vende konvertimi, oaze shpirtërore shndërrimi, pikëmbështetje tё sigurta tё pёrshpirtёrisё mariane". Mos të harrojmë se Shenjtërorja, në atë masë, që jetohet thellësisht si shprehje  e përvojës së fesë në Zotin, i ndihmon njerëzit të gjejnë vetveten e, njëkohësisht, ndihmon edhe për përparimin e vërtetë të shoqërisë.

Po kujtojmë se përkushtimi i Papës Françesku për Zojën e Bekuar është mëse i njohur, mjafton t’i kujtojmë vizitat e tij private në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë, që pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit e deri tek kthimi nga shtegtimet e udhëtimet papnore ndërkombëtare, si vizita pas Ditёs Botërore tё Rinisë që mё 2013 u mbajt nё Brazil. E pikёrisht, më 24 korrik 2013, Ati i Shenjtë Bergoglio ia kushtoi papninë  e tij Zojës së Aparesidës, me këtë lutje: “Po të kushtoj gjuhën time, që gjithnjë të të thurë lavde e të përhapë devocionin për Ty; po të kushtoj zemrën, që, pas Zotit, të të dojë mbi çdo gjë”.

20 gusht 2020, 13:28