Kërko

 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa: pushteti i Krishtit nuk është spektakolar, por mëshirë për nevojtarët

Në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot të gushtit, Françesku nxiti për të ndjekur logjikën e Zotit, që të mëson “ta ndihmosh tjetrin” e të kesh mëshirë për nevojtarin. Ftoi për ta marrë sakramentin e Kungimit me besim të plotë në Zotin, por pa i harruar kurrë edhe vëllezërit, që vuajnë!

R. SH. - Vatikan

Sheshi i Shën Pjetrit digjej nën rrezet e zjarrta të ditës së dytë të gushtit, por, megjithatë, nuk mungonin besimtarët, me sytë drejtuar kah ditarja e Engjëllit, në pritje të dukjes e të fjalës së Papës, që i ushqen shpirtërisht e i nxit të kalojnë një Javë me Krishtin. Në pritje të javës tjetër. Javë për javë, kur me mijëra vetë e ndjekin jo vetëm nga Sheshi, por edhe nga mjetet e ndryshme të komunikimit, që i hapin gjithë të krishterëve udhën për t’i kaluar ca çaste  ngushëlluese të lidhur me dritaren e Engjëllit.

Logjika e Zotit

Edhe sot Papa vijoi t’u shpjegonte besimtarëve shëmbëlltyrat, duke u ndaluar tek ajo e shumëzimit të bukëve e peshqve, shkëputur nga Ungjilli i Shën Mateut (Mt 14, 13-21).

U priu menjëherë drejt skenës së ngjarjes: vend krejt i shkretë, ku Krishti qe tërhequr me dishepujt e vet. Po njerëzit e ndiqnin gjithnjë pas për ta dëgjuar e për t’u shëruar. Sepse fjalët e gjestet e Tij shëronin e shërojnë e hapin para njeriut gjithë rrugët e shpresës.

Dielli po perëndonte - kujtoi Papa duke vijuar të pikturojë skenën ku ndodhte ngjarja - e ata nuk luanin nga vendi. Shqetësuese, për dishepujt, kjo prani, nësa mbi atë shkretinë binin hijet e natës e nuk kishte as vend për të ngrënë, e as për të mbështeur kryet e lodhur nga dita e gjatë. Duke qenë njerëz praktikë, dishepujt e ftojnë Jezusin ta përshëndesë turmën e t’i nisë njerëzit, që nuk tundeshin nga vendi! Po Zoti përgjigjet: “Jepuni ju vetë të hanë!”.

Nuk duhet të lajmë duart

Përfytyrojini fytyrat e dishepujve! Jezusi e dinte mirë ç’do të bënte me turmën, por donte t’i ndryshonte edhe sjelljet e të tijve. Nuk donte të thoshin: “t’i bëjnë derman vetes”, por “çka na dhuron Provania, ta ndajmë së bashku”:

“Me këtë situatë, Jezusi  dëshiron t’i edukojë miqtë e tij të djeshëm e të sotëm me logjikën e Zotit: logjika e marrjes mbi vete të tjetrit!”.

Ndaj, sapo njëri nga dishepujt thotë, me realizëm: “Këtu nuk kemi tjetër, veçse pesë bukë e dy peshq!”, Jezusi gjegjet: “Sillini këtu!” (vv.17-18). E merr këtë shujtë në duart e veta, ngre sytë drejt qiellit, e bekon, nis të thyejë bukën, të ndajë peshqit e t’ua japë dishepujve t’i shpërndajnë. E ata i shpërndajnë e i shpërndajnë, e nuk mbarohen kurrë. Dalin e teprojnë për mijëra njerëz!

Gjest, që flet për pushtetin e Zotit!

Me këtë gjest Jezusi tregon pushtetin e Tij. Jo në mënyrë spektakolare! Por si shenjë e dashurisë, e bujarisë së Zotit Atë për bijtë e tij të lodhur e nevojtarë. Ai është gjithnjë pranë popullit të vet dhe e di kur është i lodhur, kur mundet e kur nuk mundet më. Po nuk e lë asnjërin të humbasë: i ushqen të gjithë me fjalën e Tij e u dhuron ushqim të bollshëm, që të mund të qëndrojnë gjithnjë në këmbë, për të vijuar udhën…

Buka eukaristike e buka e përditshme

Në këtë rrëfim ungjillor duket qartë Eukaristia, sidomos aty ku përshkruhet bekimi, thyerja e bukës, dorëzimi dishepujve, shpërndarja ndërmjet njerëzve. Për t’u shënuar, lidhja e ngushtë e bukës eukaristike, shujtë për jetën e pasosur, me bukën tonë të përditshme, që është e nevojshme për jetën tokësore.

“Para se të dhurojë vetveten, si Bukë shëlbimi, Jezusi kujdeset për ushqimin e atyre, që e ndjekin pas, e që, duke dëshiruar të rrinë me Të sa më gjatë, harrojnë fare se duhet të marrin me vete edhe ushqimin e nevojshëm. Nganjëherë shpirti e materia i kundërvihen njëri-tjetrës, por në të vërtetë, spiritualizmi, ashtu si materializmi, janë të huaja për Biblën!”.

Sofra eukaristike

Jezusi na mëson ta kërkojmë çdo ditë bukën; nuk ka kundërvënie ndërmjet bukës së nevojshme për të jetuar e bukës së shpirtit, që është Eukaristia. Madje kundërvënia nis nëse e marrim sakramentin, duke i harruar vëllezërit, që nuk e kanë as bukën e shpirtit e as atë të korpit.

“Mëshira e dashuria, që tregoi Jezusi për turmat, nuk është sentimentalizëm, por shprehje konkrete e dashurisë, që i bën të vetat nevojat e të tjerëve. Jemi të thirrur t’i afrohemi sofrës eukaristike me sjelljet e Krishtit: me mëshirë për nevojtarët, besim në provaninë e Atit e vendosmëri në ndarjen e guximshme të përbashkët”.

Zoja na ndihmoftë të ecim në gjurmët  e Zotit  

Papa e përfundoi Engjëllin e Tënzot, si zakonisht, me lutjen drejtuar Zojës së Bekuar:

“E shenjtnueshmja Mari na ndihmoftë të ecim në rrugën, që na e tregoi Zoti në Ungjillin e sotëm. Është rruga e vëllazërimit, themelore për t’i bërë ballë varfërisë e vuajtjeve të kësaj bote, që na projekton përtej vetë botës, sepse është udhë që nis nga Zoti - e tek Zoti edhe kthehet”.

 

02 gusht 2020, 12:49