2020.07.22  Papa Francesco a Rio de Janeiro 2013 GMG -Messa GMG a Copacabana 2020.07.22 Papa Francesco a Rio de Janeiro 2013 GMG -Messa GMG a Copacabana 

Papa: pasuria e vёrtet janё miqësitë qё krijojmë me dhuratat e Zotit

Papa:"Në jetë, japin fryte jo ata që kanë shumë pasuri, por ata që krijojnë dhe mbajnë gjallë shumë miqësi nëpërmjet "pasurive" të ndryshme, do tё thotё nëpërmjet dhuratave me tё cilat Zoti i ka pajisur”.

R.SH. - Vatikan

"Në jetë, japin fryte jo ata që kanë shumë pasuri, por ata që krijojnë dhe mbajnë gjallë shumë miqësi nëpërmjet "pasurive" të ndryshme, do tё thotё nëpërmjet dhuratave me tё cilat Zoti i ka pajisur”. Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, sot 17 gusht, botuar nё faqen e internetit @Pontifex.

Të mbledhim pasuri, që vlejnë në bursën e qiellit

Pasuritë e mbledhura për vete janë në zanafillë të luftërave, të shkatërrimit të familjeve, të humbjes së dinjitetit. Ndërsa  “luftë e përditshme”, do të thotë t’i mbarështosh pasuritë që ke, e edhe ato të tokës, për të mirën e përbashkët. Kjo, porosia e Papës Françesku, në Meshën e mëngjesit, kremtuar mё 19 qershor 2015 në kapelёn e Shtëpisë sё Shën Martës, nё Vatikan.

Nuk janë si shtatore, pasuritë. Nuk rrinë të ngrira. Pa asnjë ndikim mbi jetën e njeriut. Pasuritë, kujtoi Papa, kanë prirjen  të rriten, të lëvizin, të zënë vend në jetë dhe në zemër. E në se zembereku, që e vë në lëvizje zemrën njerëzore, është grumbullimi i parave, pasuritë do ta pushtojnë e njeriu do të fundoset në korrupsion. Ndërsa zemrën e shpëton nga etja për para, vetëm përdorimi i tyre për të mirën e përbashkët. 

Etja për para prish e rrënon

Nxitjen për homelinë, Papa e mori nga fragmenti i Ungjillit sipas Mateut, kapitulli VI (Mt 6,19-21), në të cilin Jezusi u mëson dishepujve këtë të vërtetë: “Ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote”. Prej këndej, vëren edhe: “Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku mola e ndryshku brejnë e ku hyjnë hajdutët e rrëmbejnë; mblidhni për vete thesare që vlejnë për qiell”. Sigurisht, kujtoi Papa Françesku, në rrënjë të grumbullimit, është dëshira për ta ndjerë veten të sigurt. Por rreziku që t’i mbledhësh pasuritë vetëm për vete e të bëhesh skllav i tyre, është tepër i lartë:

“Në fund të fundit këto pasuri nuk japin siguri përgjithmonë. Madje të bëjnë ta humbasësh dinjitetin tënd. E edhe atë të familjes; prej këndej, shumë familje shpesh ndahen. Edhe në rrënjë të luftërave është ambicia, që rrënon, korrupton. Në këtë mënyrë, në këtë çast, ka shumë luftëra, të ndezura për shkak të etjes për pushtet, për pasuri. Mund të mendojmë së pari për luftën, që niset në zemrën tonë. ‘Rrini larg çdo lakmie!’, kështu thotë Zoti. Sepse lakmia rritet, rritet, rritet… Është një këmbë shkalle, e pastaj hap portën: pas saj vjen kotësia, besimi se jemi të rëndësishëm, se jemi të pushtetshëm… e, së fundi, edhe fodullëku. E prej tij, të gjitha veset, të gjitha. Janë këmbë shkalle, por e para është lakmia, dëshira për të grumbulluar pasuri”.

Pasuria që kam, është për të tjerët

Françesku kujtoi edhe se grumbullimi është një nga cilësitë e njeriut e se të bësh gjëra e ta sundosh botën, është edhe mision. Atëhere, pohoi, kjo është lufta e çdo dite; si t’i përdorim sa më mirë pasuritë e tokës, që të jenë të drejtuara kah qielli e të bëhen pasuri të Qiellit.

17 gusht 2020, 11:01