Kërko

Vatican News
 Binjaket e ndara Binjaket e ndara  (ANSA)

Papa pagëzon dy binjaket siameze. Letra e nënës

Hermine Nzotto, nëna e foshnjave protagoniste të ndërhyrjes kirurgjike të jashtëzakonshme në spitalin romak të Krishtit Fëmijë, në fillim të qershorit, që ua ktheu jetën normale, i shpreh mirënjohjen Papës, i cili ndonjë ditë më parë i pagëzoi binjaket e rilindura. “Nëse në një të nesërme do të mund të bëjnë pjesë në grupin e fëmijëve më të lum të tokës - pohon - kjo do të jetë pasojë e Portës Shenjte, hapur në Bangui, në vitin 2015, udhë që “mund ta përshkojnë nevojtarët, siç isha unë”.

R. SH. - Vatikan

“Vizita në Shën Pjetër,  një pafundësi, e vizituar për herë të parë, gati-gati të trondit me madhështinë e saj. Sapo hyra, u ndalova sakaq para shtatores të Zojës së Dhimbshme, që shtrëngon në prehër Krishtin pa jetë… E, papritmas, gjithë ajo madhështi sikur m’u zhduk, ndërsa më lindi pyetja  për  ‘korpin e pafajshëm’  të Krishtit, në prehër të Zojës, që më kujtoi menjëherë “korpin e dy vajzave të mia, të pafuqishëm, në krahët e mi edhe më të pafuqishëm. Pse? Pse?” - kështu shkruan, në letrën drejtuar Papës, Hermine Nzotto, nëna e binjakeve siameze, nga Afrika Qendrore, që kaluan me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në kafkë e në tru. Dy foshnjat, të cilat Françesku i pagëzoi këto ditë, në Shtëpinë e Shën Martës, gjatë një ceremonie të thjeshtë, quheshin Ervina e Prefina.

Operacion historik: ndahen binjaket siameze, me koka të ngjitura

Në letër, Hermine Nzotto tregon jetën e saj. Është fshatare, e lindur në pyll, në një fshat 100 km larg nga Bangui, qytet ku në vitin 2015 Papa nisi Jubileun e Mëshirës, duke hapur Portën Shenjte të Katedrales. Një portë, që për nënën me vajzat e ngjitura, ishte shumë më tepër. “Duke i pagëzuar vajzat e mia, që në gurrë të Sakramentit morën emrat Maria e Françeska, Shenjtëria e Tij  më dëshmoi se Zoti është me të vërtetë shumë pranë të të fundmëve” - shkruan Herminia. - “Nëse në një të nesërme bijat e mia do të  jenë ndërmjet fëmijëve më të lumtur të tokës, domethënë, nëse do të mund të shkojnë në shkollë e të mësojnë çka nuk unë e di, ndonëse do të dëshiroja me gjithë shpirt ta dija, për të mundur kështu t’ua lexoj Biblën bijave të mia - i shkruan Papës nëna fatlume - ajo që ju e hapët në Bangui më 2015-tën e që u mbyll një vit më pas, nuk ishte portë, po urë për amshim, nëpër të cilën mund të përshkohen nevojtarët, si isha unë, e njerëzit vullnetmirë, si skuadra e mjekëve, që i rilindën të pandashmet e mia, të ndara”.

Ju e dini për çka ka nevojë bota

Në letër, Hermine Nzotto i falënderon më se një herë mjekët e Spitalit romak të  Krishtit Fëmijë, duke nisur nga Mariella Enoc, drejtoreshë e spitalit pediatrik si dhe profesor Carlo Efisio Marras, shef i repartit të Neurokirurgjisë, skuadra e të cilit i ndau mrekullisht, duke i rilindur, vogëlushet e saj.

“Lutja – e përfundon afrikania letrën drejtuar Papës - mund t’i bashkojë popujt e tokës: unë i lutem Marisë për Ju, por nuk kam nevojë t’i kërkoj, çka i kërkoi Shenjtëria juaj, që sfidoi rrezikun e pickimit të mushkonjave e të rebelimit të 2015-të, në Afrikën Qëndrore, pikërisht për t’i  kujtuar Marisë për çka ka më shumë nevojë bota!”.

11 gusht 2020, 10:07