Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa, në lutjen e Engjëllit: “Jezusi është dora e Atit, që nuk na braktis”

Françesku kujtoi se “kur kemi shumë dyshime e frikë e na duket se po mbytemi, nuk duhet të na vijë turp të thërrasim, si Pjetri: “Zot, shpëtomë, se u mbyta! Duke mos harruar kurrë se Krishti do vetëm të mirën tonë”.

R. SH. - Vatikan

Sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa shpalosi para besimtarëve, gjithnjë më të shumtë në Sheshin e Shën Pjetrit, pa marrë parasysh vapën e kulmit të verës, por pa harruar masat e mbrojtjes nga pandemia, që nuk do të pushojë, një faqe të re, simbolike, të  Ungjillit. Një skenë, në të cilën e shikojmë Jezusin  duke ecur mbi ujërat e liqenit, në kulmin e stuhisë.

Pasi ua shoi urinë turmave me pesë bukët e tre peshqit - siç e pamë të dielën e kaluar - kujtoi Françesku - Jezusi i urdhëroi dishepujt të hipnin në barkë e të ktheheshin në bregun tjetër. Ai vetë, si u përshëndet me turmën, u ngjit mbi kodër, vetëm, për t’u lutur.

Njeri me fe të paktë, mos dysho!

Gjatë kalimit të liqenit në errësirë - kujtoi Françesku  ngjarjen ungjillore - barka e dishepujve mbeti e bllokuar në mes të dallgëve malore, që çonte era. E dishepujt, krejt papritmas, panë një si hije, që ecte mbi ujë, duke ardhur drejt tyre. Të tronditur, besuan se ishte fantazmë e nisën të bërtasin nga frika. Por dëgjuan zërin e Jezusit, që i paqtoi. “Guxim - u tha - jam unë. Mos kini frikë!”. Pjetri atëhere iu përgjigj: “Zot, nëse je ti, urdhëro të vij drejt teje përmbi ujë”. E Jezusi ia ktheu: “Eja!”. Pjetri zbriti sakaq nga barka e bëri disa hapa mbi ujë:  pastaj era e valët e trembën për vdekje e nisi të fundosej. “Zot, o Zot - nisi të këlthasë - shpëtomë! E, duke e parë aq të tmerruar, Krishti e kapi për dore e i tha disa fjalë, që do të përsëriteshin në shekuj, në situata të ngjashme:

“Njeri me fe të paktë, pse dyshove? Të duket sikur e dëgjojmë përsëri jehonën e këtyre fjalëve, dalë nga goja e Krishtit, sa herë ndodhemi në situata të ngjashme, gati duke u fundosur në mes dallgëve të jetës e, si Pjetri, bërtasim: ‘Zot, o Zot, na shpëto se sharruam!’”.

Ftesë për ta lëshuar veten në dorë të Zotit

Ky rrëfim - vijoi të shpjegojë Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - është ftesë për t’u lëshuar me besim të plotë në dorë të Zotit në çdo çast të jetës sonë, posaçërisht në orën e provës e të tronditjeve të mëdha, që e sulmojnë jetën njerëzore, si dallgët e detit. Kur na kapërthen dyshimi e frika e na duket se do të fundosemi, nuk duhet të na vijë turp të bërtasim, si Pjetri. “Shpëtomë, o Zot!”.

“Lutje e bukur, kjo - kujtoi Papa - E edhe gjesti i Jezusit, që e kap menjëherë për krahu mikun e tij. Janë gjeste për t’u medituar gjatë. Ky është Jezusi, dora e fortë e besnike e Atit, që na e do gjithnjë vetëm të mirën!”

Kush është Zoti?

Zoti - vijoi Ati i Shenjtë - nuk është uragan. Nuk është zjarr. As tërmet – siç na e kujton sot edhe Elia Profet. Zoti është fllad i lehtë, që nuk të detyron, por të kërkon ta dëgjosh! Të kesh besim në Të, në mes të stuhisë, ta kesh zemrën të drejtuar nga Zoti, nga dashuria, nga ëmbëlsia e Atit… Këtë donte t’u mësonte Krishti Pjetrit e dishepujve të tij, e edhe ne sot!

Ai e di se feja jonë është e ligshtë

Ai e di mirë se feja jonë është e varfër e udha jonë mund të jetë e ngarkuar me mundime! Se mund të bllokohet nga një mori forcash kundërshtare. Të fuqishme, si dallgët. Po ai është i Ngjalluri, është Zoti, që i kapërceu dallgët e vdekjes, për të na nxjerrë shëndosh e mirë në brigjet e dëshiruara. Ai nuk pret që ta kërkojmë! Është gjithnjë pranë nesh. E, duke na ngritur pas rrëzimeve tona, na bën të rritemi në fe.

Simboli i barkës në mëshirën e stuhisë

Barka në mëshirën e stuhisë – shpjegoi Françesku - është figurë e Kishës, që në çdo epokë sulmohet nga erërat e kundërta, nganjëherë edhe tepër të forta:

“Të mendojmë për persekutimet e gjata e të egra të shekullit të kaluar. Në këto çaste kaq të trishta mund të tundohesh e të mendosh se Zoti të braktisi. Por pikërisht në këto çaste shkëlqen edhe më shumë dëshmia e fesë, e dashurisë dhe e shpresës. Është prania e Krishtit të ngjallur në Kishën e tij që na jep hirin e dëshmisë deri në martirizim, prej nga bulojnë të krishterët e rinj dhe frytet e paqes e të pajtimit për botën mbarë”.

Papa e përfundoi Engjëllin e Tënzot, si zakonisht, me lutjen drejtuar Zojës së Bekuar:

“Ndërmjetësimi i së Shenjtnueshmes Mari na ndihmoftë të ngulmojmë në fe e në dashuri vëllazërore, kur terri e stuhitë e jetës e vënë në krizë besimin  në Zotin”.

09 gusht 2020, 12:46