Kërko

 Monumenti i të masakruarve në Meksiko Monumenti i të masakruarve në Meksiko 

Papa: migrantët, viktima të kulturës së hedhurinës. Zoti do të na kërkojë llogari për ta!

Drejtësi e vërtetësi kërkon Françesku në lutjen e Engjëllit, në prag të dhjetëvjetorit të masakrës së migrantëve në San Fernando të Meksikës. Papa kujton edhe viktimat e persekutimit për shkak të fesë dhe lutet për situatën në veri të Mozambikut, ku terrorizmi ndërkombëtar po shkakton mijëra të shpërngulur.

R. SH. - Vatikan

Në këtë të diel XXI të Kohës së zakonshme, shikimi i Papës, gjatë fjalëve të shqiptuara pas lutjes mariane të Engjëllit, u zgjerua, duke pushtuar, si zakonisht, mbarë botën.

Posaçërisht Papa kujtoi Meksikën, në prag të dhjetëvjetorit të masakrës së mbështjellë akoma me mister. Më 24 gusht 2010, në Tamaulipas, në Meksikën qendrore, pas sinjalizimit të një fëmije ekuadorian, që mundi të ikte e të shpëtonte, u gjetën trupat e 72 migrantëve. Trupa pa jetë hondurasish, salvadorianësh, guatemalezësh, ekuadorianësh, brazilianësh e edhe një indian. Një dhunë aq e tmerrshme, me vulën e trafikut të drogës, sa të mbetet në kujtesë breznish.

Solidaritet për familjet

“Kërkonin një jetë më të mirë” - kujtoi Papa, duke u shprehur gjithë solidaritetin e tij familjeve - e gjetën vdekjen më të keqe:

“Ishin njerëz nga vende të ndryshme, që kërkonin një jetë më të mirë. U shpreh solidaritetin tim familjeve të viktimave, që akoma kërkojnë drejtësi e vërtetësi mbi atë që ndodhi. Zoti do të na kërkojë llogari për të gjithë migrantët e rënë gjatë udhëtimeve të shpresës. Ishin viktima të kulturës së hedhurinës!”.

23 gusht 2020, 13:39