Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa: mendimi i Zotit nuk është mendimi i botës. Kryqi, e vetmja udhë e të krishterit!

Shkandulli i Kryqit: në Ungjillin e sotëm Jezusi i paralajmëron dishepujt se do t’i duhet të vdesë, për t’u ringjallur më pas. Realitet që Pjetri nuk e kupton lehtë! Ndërsa Françesku i fton të gjithë ta shikojnë Kryqin si shprehje e dashurisë së pafundme të Zotit, e edhe t’i ngjasin Jezusit në dhurimin e vetes për vëllezërit.

R. SH. - Vatikan

Ishte lutja e fundit e Engjëllit të Tënzot për muajin gusht, vapa e padurueshme e të cilit e mbajti peng deri ditën e fundit Sheshin e Shën Pjetrit. Por pa i penguar besimtarët, shtegtarët e turistët të grumbullohen gjithnjë më të shumtë për të marrë pjesë në lutje e për t’u lidhur, çdo të diel, me një fill të artë feje, me dritaren e Engjëllit. Sot Papa komentoi një fragment ungjillor, që lidhej ngushtë me atë të së dielës së kaluar. Mbasi Pjetri - në emër të të gjithëve - e dëshmon besimin në Jezusin, si Mesi e Bir i Zotit, Krishti vetë nis t’u flasë dishepujve për mundimet e Tij.  Gjatë rrugës drejt Jeruzalemit, u shpreh haptas miqve të vet çka e priste në fund, në Qytetin Shenjt:

“Paralajmëron  misterin e vdekjes e të ringjalljes, të poshtërimit e të lavdisë. U thotë se do t’i duhej të vuante shumë nga ana e pleqve, krerëve të priftërinjve e të  skribëve e edhe se do të mbytej e do të ringjallej në të tretën ditë”.

Po ata nuk arrijnë t’i kuptojnë fjalët e Tij. E kjo, sepse feja e dishepujve nuk e ka fituar akoma pjekurinë. Është ende tepër e lidhur me mendësinë e kësaj bote.

E rëndë për dishepujt, barra e kryqit

Dishepujt rebelohen. E rebelohet edhe vetë Pjetri. Mendimi se Jezusi mund të dështonte e të vdiste në kryq, për të ishte krejtësisht i papranueshëm. Ndaj i drejtohet Mësuesit me fjalët:

“Mos e thashtë Zoti; kjo nuk mund të të ndodhë kurrë! Beson në Krishtin, dëshiron ta ndjekë, por nuk mund ta pranojë kurrsesi se lavdia e Tij mund të kalojë përmes mundimeve”.

Për Pjetrin dhe për dishepujt e tjerë, ashtu si për ne - kryqi është “shkandull”, ndërsa Krishti e konsideron shkandull ikjen nga kryqi, që do të thotë  të  largohesh nga vullneti i Atit, nga misioni që Ai na e beson, për shpëtimin tonë. Prandaj Jezusi i përgjigjet Pjetrit:

“Larg mejet djall! Ti po më shkandullon, sepse nuk mendon sipas  Zotit, por sipas njerëzve!”.

Duke iu drejtuar, pastaj, të gjithëve, Jezusi shton:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë!”.

Në këtë mënyrë tregon rrugën, që duhet të ndjekë dishepulli i vërtetë, duke shpalosur dy mënyra sjelljeje. E para është “të mohosh vetveten”, gjë që nuk do të thotë ndryshim i cekët, por kthesë e madhe, përmbysje e vlerave: “Sjellja tjetër është të marrësh mbi shpinë kryqin tënd. Nuk bëhet fjalë vetëm për t’i mbartur me durim  trazirat e përditshme, por për t’i mbartur me fe e me përgjegjësi mundimin e vuajtjen, që shkaktohet nga lufta kundër së keqes. Sepse nuk është aspak e lehtë të hysh në këtë betejë, mbasi e keqja shpesh duket shumë më e fuqishme se e mira!”.

Gatishmëria për të marrë kryqin, pjesëmarrje në shpëtimin e botës

Kështu angazhimi “për ta marrë kryqin”, do të thotë të marrësh pjesë, përkrah Krishtit,  në shëlbimin e botës. Duke menduar kështu, të përpiqemi që kryqi i varur në muret e shtëpisë, ose kryqi i vogël,  që mbajmë në qafë, të jetë shenjë e dëshirës sonë për t’u bashkuar me Krishtin e për t’u shërbyer përkrah tij vëllezërve, posaçërisht më të vegjëlve e më të brishtëve.

“Kryqi është shenjë shenjte e dashurisë së Hyjit dhe e Flijimit të Krishtit, e nuk duhet parë si objekt yshtjeje, e as si gjerdan zbukurimi”.

Jemi të thirrur t’i përngjajmë Krishtit

Sa herë që ia ngulim sytë Krishtit të kryqëzuar, aq herë duhet të mendojmë se ai, si Shërbëtor i vërtetë i Zotit e realizoi misionin e Tij, duke dhuruar jetën, duke derdhur gjakun për faljen e mëkateve.

“Si pasojë, nëse duam të jemi dishepujt e Tij, jemi të thirrur t’i përngjajmë, duke e shkrirë pa ngurrim jetën tonë për dashuri të Zotit e të të afërmit”.

Papa e përfundoi Engjëllin, si zakonisht, me sytë drejtuar nga Maria e me lutjen drejtuar Nënës së Krishtit:

“Virgjëra Mari, e bashkuar me të Birin deri në Kalvar, na ndihmoftë  të mos zmbrapsemi përballë provave e vuajtjeve, që shoqërojnë dëshmimin e Ungjillit”.

30 gusht 2020, 12:51