Kërko

2020.08.21 Papa Francesco Visita Santuario di Jasna Gora - Czestochowa  2020.08.21 Papa Francesco Visita Santuario di Jasna Gora - Czestochowa  

Papa ia beson Zojёs së Çestokovës ata qё vuajnë nga virusi

Papa Françesku, dje në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshëm, kujtoi vizitën e tij në Shenjtëroren e Çestokovës e ia besoi Poloninë dhe mbarë njerëzimin mbrojtjen amënore të Zojës së Zeshkët, në festën e djeshme liturgjike. Shenjtërorja e Çestokovës, zemra shpirtërore e vendit, ёshtё e njohur për fuguren e mrekullueshme të Zojës.

R.SH. - Vatikan

Gjatë përshëndetjeve të zakonshme të besimtarëve, dje, në përfundim të katekizmit të audiencës  së përgjithshëm,  Papa Françesku kujtoi vizitën e tij në Shenjtëroren e Çestokovës e ia besoi Poloninë dhe mbarë njerëzimin mbrojtjen amënore të Zojës së Zeshkët, në festën e djeshme liturgjike.  Shenjtërorja e Çestokovës, zemra shpirtërore e vendit, ёshtё e njohur për fuguren e mrekullueshme të Zojës së Zeshkët (që sipas gojëdhënës është pikturuar nga Shën Luka ungjilltar).

"Papa na kujtoi se sa i lumtur mund të jetë një komb që ka një Mbretëreshë për Nënë dhe një Nënë për Mbretëreshë", tha pёr Vatican News at Mikal Legan i dioqezës polake tё Jasna Gòra. Ditën kur Kisha katolike në Poloni kremtonte Solemnitetin e Zojës së Zeshkët të Çestokovës, Papa Françesku e përkujtoi vizitën e tij tё parё mё 2016 "në atë Shenjtërore" me rastin e Ditёs XXXI Botёrore tё Rinisё, qё u mbajt nga 27 deri më 31 korrik 2016:

Sot bashkohem me mijëra shtegtarë që mblidhen atje, së bashku me Episkopatin Polak, për t’ia besuar veten, familjet, kombin dhe mbarë njerëzimin mbrojtjes sё saj amnore. Lutuni Nënës së Shenjtë, që të ndërmjetësojё për të gjithë ne, e sidomos për ata që në mënyra të ndryshme vuajnë për shkak të pandemisë, qё t’u sjell lehtësim nё vuajtjet e tyre”.

Më 2016 në Czestochowa, para Zojës së Zeshkët, Papa Françesku pati kujtuar 1050-vjetorin e Pagëzimit të Polonisë, ku Bashkësia katolike është ende dëshmitare besnike dhe guximtare e fesё sё krishterё. E Papa shkoi nё Poloni më 2016, për ta falënderuar Zotin, së bashku me Kishën polake, me barinjtë e besimtarët, për këto një mijë vjet feje të krishterë tё këtij populli. E kujtoi edhe atë, që ndodhi këto 50 vjet: për rifitimin e lirisë dhe për mundësinë e shprehjes së lirë të fesë.

Kisha polake është Kishë ende e fortë, Kishë plot gjallëri e cila, e bashkuar me barinjtë, vijon ta dëshmojë fenë e krishterë edhe në rrethanat aktuale, në ndryshim të vazhdueshëm. Ka shumë familje të mira, shumë të rinj, që vijojnë të angazhohen në formimin e jetës së krishterë e nё përtëritjen e shoqërisë, ka hov e zell misionar e edhe dëshirë për apostullim. Ka ende shumë thirrje për jetën meshtarake e rregulltare.

Prej këndej mund të themi, ka një ind, që vijon të jetë i fortë, t’u bëjë ballë kushteve të reja, të cilat, natyrisht, është e thirrur t’i përballojë. E sfida kryesore pёr Kishёn është pikërisht ajo e shekullarizimit, domethënë, humbja e kuptimit të Zotit, prirja për të jetuar sikur Zoti të mos ekzistonte fare në shoqëritë tona. Në këtë kuptim, Kisha polake duhet të jetë krijuese, me horizonte të gjera, për të gjetur mënyra të reja e për t’iu përgjigjur problemeve të reja.

E pikërisht nga "ajo Shenjtërore e Zojёs sё Bekuar" ndërtuar në kodrat e Jasna Gora – qё do tё thotё "mal i ndritshëm" - At Mikal Legan, zëdhënës i Shenjtërores, flet për trashëgiminë e takimit me Papën Françesku, por para sё gjithash, tregon lidhjen e pazgjidhshme të Polonisë me Zojën e Zeshkët të Çestokovës.

E vjetër me shekuj, imazhi a fugurja e mrekullueshëm tregon nё fytyrën e Zojёs sё Zeshkët "shenjat e dhunës", shpjegon murgu, që përfaqësojnë brishtësitë dhe vuajtjet tona njerёzore. Gjithmonë, monarkët, papёt, njerëzit e zakonshëm i drejtohen Virgjërës Mari, e cila me dorë na tregon Jezusin "tek i cili Ajo na drejton dhe na udhëheq".

Në këtë shenjtërore, polakët nderojnë “Zojën e zeshkët”, festa liturgjike e së cilës kremtohet më datёn 26 gusht. Sipas traditës, ikona e Shën Marisë është pikturuar nga Shën Luka. Sipas kritikëve të artit ajo është me origjinë bizantine, e tipit “Odigjitria” (ajo që tregon rrugën e udhëheq në të), pikturuar ndërmjet shekujve VI e IX.

27 gusht 2020, 10:47