Kërko

2020.08.26 Udienza Generale 2020.08.26 Udienza Generale 

Papa: ekonomia është e sëmurë, nga pandemia duhet të dalim më të mirë!

Në audiencën e përgjithshme, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, Françesku vijoi ciklin e katekizmit kushtuar krizës së Covid-19, duke analizuar pasojat e rënda të zhvillimit ekonomik të padrejtë. Drejtësia shoqërore dhe kujdesi për krijimin janë të pandashëm, përsëriti, duke bërë një thirrje të fuqishme për shumë fëmijë, që vdesin nga uria e nuk kanë mundësi të ndjekin shkollat.

R. SH. - Vatikan

Sot, në audiencën e IV të përgjithshme kushtuar pandemisë, Papa Françesku e vuri theksin mbi ndarjen universale të të mirave materiale dhe mbi virtytin, që lidhet fort me këtë ndarje. Ai i shpresës. E nisi me një ftesë, katekizmin Papa: “Përballë pandemisë dhe pasojave të saj - kujtoi - krijohet rreziku që shumëkush ta humbasë fare shpresën. E, në këtë kohë paqartësie e ankthi i ftoi të gjithë ta mirëpresin  dhuratën e shpresës, që vjen nga Krishti:

“Është Ai, që  na ndihmon të lundrojmë në ujërat e trazuara të sëmundjes, të vdekjes e të padrejtësive, të cilat nuk mund ta kenë kurrë fjalën e fundit mbi fatin tonë”- theksoi.

Një analizë plot vërtetësi të dhimbshme e së sotmes

Pandemia - vijoi Papa – i vuri në dukje dhe i rëndoi më tej problemet shoqërore, posaçërisht atë të pabarazisë. Disa mund të punojnë nga shtëpia, ndërsa  për disa të tjerë kjo është e pamundur. Disa fëmijë, pavarësisht nga vështirësitë, vijojnë mësimet, ndërsa për të tjerët procesi mësimor u ndërpre brutalisht. Disa kombe të pasura mund të emetojnë monedha, për t’i bërë ballë emergjencës, ndërsa për të tjerët kjo do të thotë të hipotekosh ardhmërinë.

Ky nuk është plani i krijimit

 Këto simpotoma pabarazie zbulojnë para syve tanë një sëmundje shoqërore - kujtoi Papa - një virus,  që vjen nga ekonomia e sëmurë. Është fryt i zhvillimit të padrejtë të ekonomisë, që i përjashton vlerat njerëzore universale. E Papa e mbështeti këtë pohim mbi një analizë të hollësishme  të jetës në botën e sotme,  ku pak të pasur kanë më shumë se e gjithë pjesa tjetër e njerëzimit. Padrejtësi që ngre zërin deri në qiell! Njëkohësisht, ky model ekonomik nuk shqetësohet fare për dëmet, që i shkaktohen shtëpisë së përbashkët. Jemi fare pranë kapërcimit të shumë kufijve të plantit tonë të mrekullueshëm, me pasojë dëmet e pandreqshme: që nga humbja e biodiversitetit e ndryshimeve klimaterike, deri tek rritja e nivelit të deteve  dhe shkatërrimi i pyjeve tropikale. Pabarazia shoqërore dhe zvetënimi i ambiental ecin me të njëjtin hap e kanë të njëjtën rrënjë (krh Enc. Laudato si’,101): rrënjën e mëkatit, që të nxit t’i zotërosh e t’i sundosh vëllezërit e motrat, natyrën e deri vetë Zotin! Po ky nuk është plani i krijimit!

Marrëdhënie reciproke përgjegjësie

“Në zanafillë Zoti ia besoi njerëzimit tokën me gjithë pasuritë e saj - kujtoi Papa - por, kujdes! Kjo nuk duhet intrepretuar si leje për të luajtur me tokën sipas dëshirës. Ekziston një marrëdhënie reciprociteti plot përgjegjësi ndërmjet nesh e natyrës - nënvizoi me forcë Ati i Shenjtë gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme - prej këndej, çdo bashkësi ka të drejtë të marrë nga pasuritë e tokës, aq sa ka nevojë për të jetuar, por ka edhe detyrën të kujdeset për tokën e ta mbrojë”.

Nuk duhet harruar kurrë se Zoti ia dhuroi tokën mbarë gjinisë njerëzore. E, prej këndej, është detyra jonë që frytet e saj t’i gëzojnë të gjithë, e jo vetëm disa. Ky është element kryesor në marrëdhëniet ndërmjet nesh e pasurive tokësore!

Për t’u siguruar se kjo që kemi i sjell vlera bashkësisë, autoriteti politik  ka të drejtë, e edhe detyrë, ta rregullojë ushtrimin e ligjshëm të së drejtës së pronësisë në funksion të së mirës së përbashkët. Prona private duhet t’i nënshtrohet shpërndarjes universale të pasurive. E kjo është rregulla e artë e sjelljes shoqërore, parimi i parë i gjithë rendit etiko-shoqëror.

Pse shërbejnë prona e paraja?

Prona e paraja janë mjete, që mund t’i shërbejnë misionit. Po ne i shndërrojmë lehtësisht në qëllime individuale e kolektive. E kur ndodh kjo - vijoi të analizonte Papa - cënohen vlerat themelore njerëzore. Homo sapiens shndërrohet e bëhet një lloj homo aeconomicus në kuptimin  më të keq të fjalës: bëhet individualist, kalkulator, e sundues. E harrojmë se, duke qenë të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, jemi qenie shoqërore, krijues e solidarë, me aftësi të pafundme për të dashur. Jemi qeniet më bashkëpunuese nga të gjitha speciet, siç e shikojmë mirë në përvojën e  shenjtorëve.

Nuk mund të rrijmë duarkryq! Të veprojmë, të gjithë!

Kur etja për t’u pasuruar e për të sunduar i përjashton miliona njerëz nga pasjet më të domosdoshme; kur pabarazia ekonomike dhe teknologjike është e tillë, sa ta copëtojë indin shoqëror; e kur vartësia nga progresi i pacak material kërcënon shtëpinë e përbashkët, atëherë nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir! Jo, kjo është tejet pikëlluese. Me sytë ngulur te Krishti e të sigurt se dashuria e Zotit vepron përmes bashkësisë së dishpeujve të tij, duhet të kundërveprojmë të gjithë së bashku, me shpresë se do të lindim  diçka të ndryshme, më të mirë. Shpresa e krishterë - theksoi me forcë Papa -  me rrënjë në Zotin, është spiranca jonë. Ajo e mbështet dëshirën për të ndarë bashkërisht, e fuqizon misionin si dishepuj të Krishtit, i cili ndau gjithçka me ne.

Në gjurmët e bashkësive të para të krishtera

E këtë e kuptuan bashkësitë e para të krishtera që, ashtu si ne, jetuan në kohë të vështira. Të vetëdijshëm se po formonin  një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, i ndanin të gjitha pasuritë bashkërisht,  duke dëshmuar hirin e begatë të Krishtit mbi ta - kujtoi Papa, duke  e përfunduar katekizmin  me  një urim:

“Uroj që bashkësitë e krishtera të shekullit të njëzetë ta përtërijnë këtë realitet, duke dhënë kështu dëshmi të Ngjalljes së Zotit. Nëse kujdesemi për pasuritë, që na dhuroi Krijuesi, nëse e bashkojmë çka kemi, në mënyrë që askujt të mos i mungojë gjë, atëhere mund t’i frymëzojmë njerëzit me shpresën për rilindjen  e një bote më të shëndetshme e më të drejtë!”.

26 gusht 2020, 10:52