Papa: dialogu, rruga e vetme për vendet e Nilit

Pas Engjëllit të Tënzot, Papa i ftoi kombet e Egjiptit, të Etiopisë e të Sudanit të gjejnë për “Çështjen e Nilit”, një pikë takimi apo një kompromis, që ka të bëjë me problemin e ujërave të lumit, prej vitesh në qendër të bisedimeve tejet të vështira.

R. SH. - Vatikan

Është si një udhëkryq vigan, me një digë, që mund të ndryshojë ekulibrin mijëravjeçar. E, prej këndej, udhëkryq i vështirë edhe për diplomacinë. “Çështja e Nilit”, mbi të cilën u ndalua Papa pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, nuk është aspak e lehtë për t’u zgjidhur. Ftesa e Françeskut drejtuar Egjiptit, Etiopisë e Sudanit është të ecin në rrugën e dialogut, “e Lumi i Amshuar të vijojë të jetë limfë jete, që bashkon e nuk ndan, që ushqen gjithnjë miqësi, prosperitet e vëllazërim, e kurrë armiqësi, keqkuptim ose konflikt”, pa u bërë kurrë  mollë sherri, që i përçan tre vendet afrikane.

Çështja e digës

Që nga viti 2011 Etiopia po ndërton mbi Nilin e kaltër impiantin më të madh elektrik të kontinentit, prej 6000 MW fuqi. Projekti, me kapacitet 72 miliard metra kub ujë, me vlerë 4,6 miliardë dollarë, që u quajt “Grand Ethiopian Renaissance Dam”, synon t’i japë hov të ri zhvillimit të Etiopisë, sepse më shumë elektrifikim, do të thotë më shumë industrializim.  Por Sudani dhe Egjipti shqetësohen, sepse diga mund të pakësojë ujin që rrjedh drejt kufijve të tyre, duke krijuar probleme të brendshme, sidomos, në raste thatësire.

Ndëmjetësimi, në vijim

Kohët e fundit, në fillim të këtij muaji, Bashkimi Afrikan hyri ndërmjet tre shteteve, duke organizuar tri ditë videokonference për të diskutuar  çështjet akoma të pazgjidhura, që kanë të bëjnë me digën. E edhe OKB-ja, ndonëse jo drejtpërdrejt, po e ndjek nga afër zhvillimin e ngjarjes.

E vetmja rrugë

Siç kuptohet fare mirë nga fjalët e fundit të thirrjes së Papës: “E vetmja rrugëzgjidhje duhet të jetë dialogu, për të mirën e popullsive tuaja të dashura e të mbarë botës”.

15 gusht 2020, 14:23