Papa: Covid nxori në pah pabarazitë, tё shërohen padrejtësinë sociale
R.SH. - Vatikan
Pandemia e nxori me forcë në pah gjendjen e vështirë të të varfërve dhe pabarazinë e madhe, që rëndon mbi botën. Me këto fjalë e nisi Papa Françesku audiencën e sotme tё përgjithshme, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, nё Vatikan, duke vijuar ciklin e katekizmit nisur më 5 gusht, përqendruar mbi pandeminë.
Përgjigje e dyfishtë pandemisë
Prej këndej - shpjegoi Papa - pandemisë i duhet dhënë një përgjigje e dyfishtë. Nga njëra anë është e domosdoshme të gjindet mjekimi për virusin e vogël, por të tmerrshëm, që vijon të gjunjëzojë mbarë botën. E nga ana tjetër duhet mjekuar virusi i madh, ai i padrejtësisë shoqërore, i pabarazisë, i përjashtimit dhe i mungesës së mbrojtjes së njerëzve më të ligshtë. Në këtë përgjigje të dyfishtë gjejmë zgjidhjen që, sipas Ungjillit, nuk mund e as duhet të mungojë: është kujdesi i veçantë për të varfërit.
Krishti na tregon rrugën që duhet ndjekur
Krishti - kujtoi Papa në vijim të katekizmit - që është Zot, e zhveshi vetveten, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit; e nuk deshi të jetojë si zotëri, por si shërbëtor. Lindi në një familje të përvuajtur e punoi si zdrukthëtar. Në fillim të predikimit të tij, kumtoi se në Mbretërinë e Zotit të varfërit janë të lum. U shoqërua me të sëmurët, të mjerët, të përjashtuarit, duke u dëshmuar, kështu, dashurinë përdëllyese të Zotit.
Ndjekësit e Krishtit, gjithnjë pranë të varfërve
Prandaj ndjekësit e Krishtit njihen nga afërsia e tyre me të varfërit e të vegjlit, të sëmurët e të burgosurit, të përjashtuarit e të harruarit, me ata që nuk kanë bukë, as petka, as punë, as emër! Ky është kriteri-kyç i krishterimit të vërtetë. Disa mendojnë se kjo sjellje ndaj të varfërve është detyrë, që u takon vetëm pak njerëzve. Jo! Ky është mision për mbarë Kishën: “Çdo i krishterë e çdo bashkësi thirren për të qenë mjete të Zotit për çlirimin dhe mbrojtjen e të varfërve”.
T’i lëmë të na ungjillëzojnë!
Feja, shpresa e dashuria na nxisin gjithnjë të jemi përkrah nevojtarëve. Gjë që shkon përtej asistencës së nevojshme. Na kërkon të ecim pranë tyre, t’i lëmë të na ungjillëzojnë, sepse ata e njohin shumë më mirë se ne, Krishtin e vuajtur! T’i lëmë të na “infektojnë” me urtinë dhe frymën e tyre krijuese. Të ndash gjithçka me të varfërit, do të thotë të pasurosh njëri-tjetrin:
“E nëse ka struktura shoqërore të sëmura, që i pengojnë të varfërit të ëndërrojnë për të ardhmen, duhet të punojmë së bashku për t’i shëruar, për t’i ndryshuar. Drejt kësaj udhe na çon dashuria e Krishtit, që na deshi deri në fund të fundit e arriti deri në kufijtë ekzistencialë. T’i sjellësh periferitë në qendër, do të thotë ta vësh në qendër të jetës sonë vetë Krishtin, ‘që u bë i varfër’ për ne, për të na pasuruar ‘përmes varfërisë së Tij’”.
Shqetësim i përgjithshëm, për pasojat e pandemisë
Papa theksoi, në vijim të audiencës, kushtuar pandemisë, shqetësimin e përgjithshëm, që mbretëron sot mbi gjithë botën. E edhe dëshirën e përgjithshme për t’u rikthyer në jetën e zakonshme, normale, për të rifilluar veprimtaritë e zakonshme ekonomike. Natyrisht! Po ky “normalitet” nuk duhet siguruar duke ecur në udhën e padrejtësive shoqërore e të zvetënimit të mëtejshëm të ambientit! Sot kemi rast për të ndërtuar diçka tjetër, të ndryshme. Mund t’i japin hov ekonomisë të zhvillimit të gjithanshëm të të varfërve, e jo asistencializmit - theksoi Papa - duke i dënuar, në vijim, rendimentet e shkëputura nga krijimi i vendeve dinjitoze të punës. Ky tip fitimi shkëputet nga ekonomia reale, nga e cila mund e duhet të përfitojnë njerëzit e zakonshëm, e i shikon me indiferencë edhe dëmet, që i shkaktohen shtëpisë së përbashkët. Papa inkurajoi që mjekimi i virusit të programohet, duke pasur parasysh ata, që kanë më shumë nevojë:
“Sa e trishtuar do të ishte nëse vaksina për Covid -19 do të përdorej në radhë të parë për të pasurit! E ç’shkandull, nëse e gjithë asistenca ekonomike, që po vërejmë - në pjesën më të madhe me para publike - do të përqendrohej në përpjekjen për të shpëtuar industritë, që nuk kontribuojnë në përfshirjen e të përjashtuarve, në promovimin e të fundmëve, në të mirën e kujdesin ndaj gjithësisë”.
Kjo botë duhet ndryshuar…
Nëse virusi do të rifillojë përsëri sulmin mbi një botë të padrejtë për të varfërit e të ligshtit, kjo do të thotë se kjo botë duhet ndryshuar. Tani, për të shëruar epidemitë e shkaktuara nga padrejtësitë e mëdha e të dukshme shoqërore, duhet të veprojmë duke ndjekur shembullin e Krishtit, mjekut të dashurisë së gjithanshme hyjnore, domethënë të shërimit fizik, shoqëror e shpirtëror.
Këtë theksoi me forcë Papa gjatë audiencës së përgjithshme, duke propozuar që kjo të bëhet duke u nisur nga dashuria e Zotit e duke i vënë periferitë në qendër e të varfërit, në krye të vendit: “Duke u nisur nga kjo dashuri, të ankoruar në shpresë e të themeluar në fe, është plotësisht e mundur të ndërtojmë një botë më të shëndoshë”- theksoi në përfundim Papa, duke hapur shtegun për të ecur në rrugë të drejtë, drejt cakut që ua siguron të gjithëve shëndetin, punën, ëndrrën për një botë më të mirë, pa të përjashtuar!