Kërko

BRAZIL-TRANS-AMAZONIAN-HIGHWAY BRAZIL-TRANS-AMAZONIAN-HIGHWAY 

Dita botёrore e lutjes për Krijimin

Mё 1 shtator, nё frymën ekumenike, kremtohet Dita botërore e lutjes pёr kujdesin e Krijimit. Tё shumta nismat qё janë programuar gjatë Kohës së Krijimit deri më 4 tetor, festёn e Shën Françeskut tё Asizit. Tё reflektojmë mbi vlerën e Tokёs e tё planetit për jetën e njerëzimit. Ti kujtojmë marrëdhëniet ndërmjet kujdesit për natyrën dhe respektit për kërkesat etike të natyrës njerëzore. Kur respektohet ekologjia e njeriut, edhe ajo ambientale përfiton.

R.SH. - Vatikan

Mё 1 shtator kremtohet Dita për mbrojtjen e krijimit (natyrës). Papa Françesku bën thirrja ta ruajmë Shtёpinё e përbashkët, tё bëjmë një kthesë ekologjike, tё aftë për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm, duke përfshirë në mënyrë të pandashme si pranimin e përgjegjësisë sonë të plotë njerëzore ndaj krijimit e tё burimeve të tij, ashtu edhe kërkimin e  drejtësisë shoqërore dhe kapërcimin e një sistemi të padrejtë, që prodhon mjerim, pabarazi, varfёri e përjashtim.

Nga 1 shtatori e deri më 4 tetor, jemi të thirrur të kremtojmë Krijimin, të lutemi që Toka të respektohet ashtu siç ёshtё, sipas tё planit tё Zotit, por edhe të veprojmë me stile të jetesës karakterizuar nga praktikat e mira, të punojmë në mënyrë që dëmet, qё i kemi shkaktuar planetit me pasoja dhe ndikime të pamohueshme për jetёn e më të varfërve, të riparohen sa më shpejt të jetë e mundur. Dita botërore e lutjes për kujdesin e Krijimit (Ambientit), ka në vetvete këtë shpirt dhe këtë synim që bashkon Kishat në një qëllim tё përbashkët.

Duhet trajtuar me respekt gjithçka krijoi Zoti, sepse në çdo skaj e skutë të natyrës shihet e preket dora e Zotit. E Zoti nuk na dëftohet vetëm  si Vetje, por duket vazhdimisht në fytyrat e të tjerëve e në bukuritë e natyrës. Natyra duhet respektuar njëqind për qind. Ka ardhur koha t’i jepet fund prerjes së drunjve e të fillohet mbjellja e filizave të rinj. E edhe kafshët duhen respektuar. Nëse vijojmë ta vrasim natyrën, do të kemi vrarë veten, sepse nuk është aspak në natyrën e Zotit të rrënojë gjithçka. Prandaj Papa Françesku kërkon që kjo Ditë, qё kremtojmё nesёr, të jetё edhe një çast i fortë për pranimin e stileve koherente të jetës, e Papa kërkon fakte e jo fjalë.

 “Koha e Gjithësisë”, nga 1 shtatori deri më 4 tetor

Pra, 1 shtatori shënon fillimin e së ashtuquajturës “Kohë e Gjithësisë”, e cila vijon deri më 4 tetor.  E gjatë kësaj periudhe të krishterët e gjithë botës bashkohen në lutje e në veprime konkrete, në mbrojtje të Tokës, në ndihmë të ambientit, i cili tashmë kërcënohet haptas nga njeriu, që duket sikur dëshiron ta cenojë besëlidhjen me Zotin, edhe në këtë fushë. Kësaj radhe, Ati i Shenjtë e përqendron mesazhin e tij mbi problemin e mungesës së ujit të pijshëm në botë  dhe mbi ekosistemet që duhen rishikuar.

Është, pra, një periudhë më intensive lutjeje e veprimi për të mirën e shtëpisë së përbashkët, për t’u mësuar të lutemi, për të reflektuar mbi mënyrën tonë të jetesës, për të ndërmarrë veprime profetike, duke kërkuar zgjidhje të guximshme pёr Kujdesin ndaj Gjithësisë – Tokёs së krijuar nga Hyji pёr mbarё njerizimin. E dje gjatё lutjes mariane tё Engjëllit Tёnzot, nё mesditë nё Sheshin e Shёn Pjetrit nё Vatikanit, Papa Françesku e kujtoi takimin e rëndësishëm tё 1 shtatorit: Nga kjo datë, deri më 4 tetor, do të kremtojmë me vëllezërit tanë të krishterë të Kishave dhe tё traditave të ndryshme, Jubileun e Tokës për të përkujtuar themelimit, 50 vjet më parë, të Ditës së Tokës.

Ditën e lutjes pёr Krijimin u themelua nga Papa mё 2015

Dita Botërore e lutjes për kujdesin e Krijimit u themelua nga Papa Françesku më 6 gusht 2015, ka karakter ekumenik, sepse kremtohet së bashku me Kishën ortodokse dhe u drejtohet të gjithë njerëzve qё të kujdesen për çdo gjë të krijuar nga Zoti. Ta jetosh thirrjen për të qenë rojtar i veprës së Zotit, konsiderohet pjesë themelore e jetës së çdo të krishteri, që është i thirrur të bëjë kthesë të mirëfilltë ekologjike. Planeti ynë i keqtrajtuar e i plaçkitur kërkon atë, që Ati i Shenjtë Bergoglio e quan “kthesë ekologjike”, në mënyrë që njeriu të marrë përsipër përgjegjësinë e mbrojtjes së shtëpisë së përbashkët. Impenjim, që përfshin edhe çrrënjosjen e mjerimit, kujdesin për të varfërit, mundësinë e barabartë në përdorimin e burimeve natyrore.

“Kohë e Gjithësisë”, qё çdo vit kremtohet nga 1 shtatorit deri mё 4 tetor, ёshtё një moment për të reflektuar mbi shtëpinë e përbashkët. Kjo ngjarje na fton tё reflektojmë mbi rreziqet qё sot i kanosen planetit dhe mbi pabarazitë sociale qё janë rritur, gjithashtu, për shkak të shfrytëzimit tё pandërgjegjshëm të burimeve natyrore që, nё vise të ndryshme tё botës, kanë krijuar varfëri tё skajshme dhe vështirësi për qasje të ujit, duke ndryshuar ekosistemet ekzistuese.

Një kremtim në mesin e pandemisë

Dita bie në një kohë kur pandemia e koronavirusit nuk ndalet. Në shumë vende lockdown ka rizbuluar fuqinë e Krijimit, por në të njëjtën kohë virusi i ka treguar edhe të gjitha dobësitë e modeleve të sotme ekonomike, shpesh krejt indiferentë ndaj kujdesit për Shtëpinë e përbashkët qё ёshtё Toka. Papa Françesku, në katekizmin e audiencës sё fundit të përgjithshëm kushtuar pandemisë Covi-19, mё 26 gusht 2020, përsëriti nevojën për të rishqyrtuar veten se si i "mbarështojmë të mirat, tё cilat nuk janё pronё e jona e ne nuk jemi pronarё tё Krijimit”:

Pandemia i vuri në dukje dhe i rëndoi më tej problemet shoqërore, posaçërisht atë të pabarazisë. Këto simpotoma pabarazie zbulojnë para syve tanë një sëmundje shoqërore - kujtoi Papa  Françesku - një virus,  që vjen nga ekonomia e sëmurë. Është fryt i zhvillimit të padrejtë të ekonomisë, që i përjashton vlerat njerëzore universale. E Papa e mbështeti këtë pohim mbi një analizë të hollësishme  të jetës në botën e sotme,  ku pak të pasur kanë më shumë se e gjithë pjesa tjetër e njerëzimit. Padrejtësi që ngre zërin deri në qiell! Njëkohësisht, ky model ekonomik nuk shqetësohet fare për dëmet, që i shkaktohen shtëpisë së përbashkët. Jemi fare pranë kapërcimit të shumë kufijve të plantit tonë të mrekullueshëm, me pasojë dëmet e pandreqshme: që nga humbja e biodiversitetit e ndryshimeve klimaterike, deri tek rritja e nivelit të deteve  dhe shkatërrimi i pyjeve tropikale. Pabarazia shoqërore dhe zvetënimi i ambiental ecin me të njëjtin hap e kanë të njëjtën rrënjë (krh Enc. Laudato si’,101): rrënjën e mëkatit, që të nxit t’i zotërosh e t’i sundosh vëllezërit e motrat, natyrën e deri vetë Zotin! Po ky nuk është plani i krijimit!

Nuk mund të rrimë duarkryq! Të veprojmë, të gjithë!

Kur etja për t’u pasuruar e për të sunduar i përjashton miliona njerëz nga pasjet më të domosdoshme; kur pabarazia ekonomike dhe teknologjike është e tillë, sa ta copëtojë indin shoqëror; e kur vartësia nga progresi i pacak material kërcënon shtëpinë e përbashkët, atëherë nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir! Jo, kjo është tejet pikëlluese. Duhet të kundërveprojmë të gjithë së bashku, me shpresë se do të lindim  diçka të ndryshme, më të mirë.

"Në qoftë se ne kujdesemi për tё mirat që Krijuesi na jep në qoftë se ndajmë atë që posedojmë kështu që askush nuk e humbet atë, atëherë ne me të vërtetë mund të frymëzojmë shpresën për të rigjeneruar një botë më të shëndetshme dhe më të ndershme”

Nga pandemia na vjen edhe "thirrja për të respektuar Shtëpinë e përbashkët",  e siç pohon Enciklika “Laudato Si'” mbrojtja e shtëpisë sonë të përbashkët nuk lidhet vetëm me ambientin, por përfshin ekologjinë e gjithanshme, shqetësimin për drejtësinë,  kujdesin për të varfërit, impenjimin në shoqëri si dhe gëzimin e paqen e shpirtit.

Urgjenca për një ekologji njerëzore

Tema të dashura për Françeskun, të trajtuara më se një herë në fjalimet  e tij, si në audiencën e përgjithshme të 5 qershorit 2013, kur theksoi me forcë se bota po jeton një çast krize: “E shikojmë në ambient, por edhe e sidomos në njeriun. Njeriu është në rrezik. E qartë, njeriu është në rrezik e kjo është urgjenca e ekologjisë njerëzore! Rrezik i madh, sepse shkaku i lindjes së këtij problemi nuk është sipërfaqësor, por tejet i thellë: nuk është thjesht çështje ekonomie, por etike e antropologjie.

Nuk komandon më njeriu, por paraja

Sot, vëren Papa, sundojnë zhvillimet e një ekonomie e të një finance, në të cilat mungon etika, sepse nuk komandon më njeriu, por paraja. E pra Zoti na caktoi detyrën të kujdesemi për tokën, e jo për paratë, të kujdesemi për ne, burra e gra, që flijohen në elterin e idhujve të fitimit e të konsumit, nga kultura e hedhurinës, e përjashtimit: “Jeta njerëzore, njeriu, nuk shikohen më si vlera të dorës së parë, që duhen respektuar e mbrojtur, posaçërisht nëse njerëzit  janë të varfër a të gjymtë,  nëse nuk vijojnë t’i shërbejnë parasë, nëse janë ende në ag a në perëndim të jetës”.

Dialog për ardhmërinë e Planetit

Atëhere Papa Françesku i fton të gjithë ta marrin shumë seriozisht angazhimin për ta respektuar Gjithësinë, duke punuar për kulturën e solidaritetit e të takimit. Këtij koncepti Françesku i rikthehet në Enciklikën “Laudato Si'”, duke e thelluar, me  dëshirën për ta bashkuar mbarë familjen njerëzore në kërkim të një zhvillimi të qëndrueshëm e të gjithanshëm, përmes dialogut mbi mënyrën e ndërtimit të ardhmërisë së planetit e, sidomos, me sigurinë se gjërat mund të ndryshojnë: “Krijuesi, thekson Papa Françesku, nuk bën hapa mbrapa në planit e Tij të dashurisë, nuk pendohet që na krijoi. E pikërisht për pranimin e stileve koherente të jetës e shpalli Papa Ditën për kujdesin e Krijimit”.

Në mbarë botën, kujtoi Ati i Shenjtë Bergoglio gjatë audiencës së përgjithme, realitete të ndryshme kishtare vendase kanë programuar nismat e tyre të lutjes e të reflektimit, për ta bërë këtë ditë çast të fuqishëm edhe në përpjekjen e zgjedhjes së stileve të jetesës, në përkim me temën e Ditës. Në bashkim me vëllezërit ortodoksë, që e kremtojnë prej kohe, në të njëjtën datë: “Dëshirojmë të japim kontributin tonë për kapërcimin e krizës ekologjike, që po jeton njerëzimi”.

Zoti i dha njeriut çelësat e Tokës

Kur Zoti, përmes Krijimit, i dha njeriut çelësat e Tokës, shpresonte se ai do të dinte ta përdorte këtë dhuratë të madhe, duke e shfrytëzuar me përgjegjësi dhe respekt. Sot, më tepër se kurrë, , duhet t’i ndihmojmë personat ta konsiderojnë Krijimin shumë më tepër se një burim të thjeshtë pasurish për t’u shfrytëzuar nga duart e njeriut.

Shpresojmë, që kjo Ditё të na nxis tё gjithёve tё reflektojmë mbi vlerën e Tokёs  e tё planetit për jetën e njerëzimit. Kisha, me kёtё rast, na kujton marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë ndërmjet kujdesit për natyrën dhe respektit për kërkesat etike të natyrës njerëzore. Kur respektohet ekologjia e njeriut, edhe ajo ambientale përfiton. Njeriu zbulon vlerën e brendshme të natyrës, nëse mësohet ta shohë atë ashtu siç është në të vërtetë, shprehje e një plani dashurie qё Zoti pёr njerёzimin.

 

 

31 gusht 2020, 17:49