Kërko

2019.09.09 Viaggio Apostolico Mozambico Madagascar Maurizio Santa Messa Monumento Maria Regina della Pace 2019.09.09 Viaggio Apostolico Mozambico Madagascar Maurizio Santa Messa Monumento Maria Regina della Pace 

Mozambik: letër baritore, një vit pas vizitës së Papës

Mozambiku, që e priti Papën shtatorin e 2019-tës, jeton në një situatë pasigurie e konflikti. Në shumë raste, edhe në Engjëllin e Tënzot të së dielës së kaluar, Papa dëshmoi se e ndjek Vendin afrikan e lutet për të. Inácio Saúre, kryeipeshkëv i Nampilës dhe zëvendës-kryetar i Episkopatit, në një letër drejtuar besimtarëve, deshi të flasë jo vetëm për këto ditë, por edhe për mesazhin papnor të shpresës, të paqes e të pajtimit, që të gjithë të mund ta ndjejnë veten plot besim e shpresë.

R.SH. - Vatikan

“Falënderojmë Zotin, që e bekoi vizitën e Papës në vendin tonë. Prania e tij mes nesh ishte shenjë tjetër e afërsisë dhe e solidaritetit për të gjithë mozambikanët, posaçërisht për ata, që u dëmtuan rëndë nga cikloni Idai e Kenneth, si dhe për viktimat e luftës  në veri e në qendër  të Mozambikut”. Kështu shprehet imzot Inácio Saúre, kryeipeshkëv i Nampilës dhe zëvendës-kryetar i Episkopatit, në një letër baritore drejtuar gjithë besimtarëve, si dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, një vit pas vizitës  apostolike të Papës Françesku në Maputo, nga 4 deri më 6 shtator 2019.

Papa nuk e harron Mozambikun as banorët e tij

Imzot Saúre, si i kujton dhe i falënderon të gjithë ata, të cilët u angazhuan gjatë vizitës së Papës në Mozambik, falënderon në mënyrë të veçantë nunciaturën apostolike në vend dhe grupet e Kishës Katolike, të cilat bënë të gjitha përpjekjet e mundshme që shtegtimi i Papës të nisej e të përfundonte me sukses të plotë. Nënvizon edhe mbështetjen e madhe të qeverisë që “arriti t’i interpretonte plotësisht ndjenjat e mozambikanëve”.
Duke kujtuar sesi Papa, një vit më parë, u la fjalë inkurajimi, ngushëllimi drejtimi, në një situatë të vështirë, kur në vend mungonte paqja e vërtetë,  prealti nënvizon se motoja e vizitës së Papës: “Shpresë, paqe e pajtim” është tejet aktuale, me vlerë të madhe edhe për sot e se duhet parë “si program i vërtertë aksioni” në rrethanat aktuale.

Ai i siguron besimtarët se Papa nuk e harron vendin  as banorët e tij, gjë që e dëshmoi në Mesazhin e Pashkëve Urbi et Orbi të 12 prillit 2020, kur shprehu dhimbjen e tij për situatën në Cabo Delgado, prej vitesh viktimë  e sulmeve nga ana e milicive islamike, ndërsa më 19 gushtin e kaluar, në telefonatën me imzot Luiz Fernando Lisboa, ipeshkëv i Pembës, ripohoi afërsinë e  edhe shqetësimin për situatën dramatike, që vijon në Cabo Delgado, duke siguruar lutjen  e tij e duke e bekuar përsëri Mozambikun,

E keqja, e i keqi, nuk do ta thonë kurrë fjalën e fundit!

Kryeipeshkvi i Nampulës, në përfundim, për të siguruar paqen, sfidë që duhet pranuar me guxim e fe, kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe të gjitha forcave të gjalla, duke ngulmuar mbi faktin se “e keqja nuk mund ta ketë kurrë fjalën e fundit” e se “gjithçka  ndihmon për të mirën e atyre, që e duan Zotin”. Kultura e paqes është proces pajtimi - pohon - që kërkon ndryshimin e mendësisë së secilit prej nesh. Ndaj - nënvizon me forcë - duhet t’i japim fund të gjitha formave të dhunës, të çojmë përpara proceset e demokratizimit, t’i çarmatosim e t’i riintegrojmë në gjirin e shoqërisë njerëzit e Rezistencës kombëtare mozambikane (RENAMO). “Ne, si dishepuj të Krishtit, Princit të Paqes - lexohet në letër - duam të vijojmë ta promovojmë kulturën e paqes në vendin tonë, e jo vetëm ndër fjalime, por në jetën konkrete të çdo dite, sepse ‘politika e mirë është në shërbim të paqes’”.

24 gusht 2020, 12:38