Kërko

Atë Giorgio Marengo në Mongoli Atë Giorgio Marengo në Mongoli

Mongoli, prefekti apostolik: nga Papa, afërsi e inkurajim

Në audiencë me Papën Françesku, sot paradite, ipeshkvi i ri nga Piemonte, imzot Giorgio Marengo, i cili së shpejti do të kthehet në Mongoli, ku Ati i Shenjtë e ka emëruar prefekt apostolik. Në intervistën tonë me të, tregimi i kësaj dite të veçantë, një “ëndërr”, që bëhet realitet, për t’i dikuar guxim e për ta shoqëruar në mision.

R.SH. - Vatikan

Pas takimit të paradites së sotme me Papën Françesku, imzot Giorgio Marengo, i sapoemëruar prefekt apostolik i Mongolisë, e ka zemrën plot mirënjohje dhe gëzim. Megjithëse u shugura ipeshkëv më 8 gusht, dëshiron që besimtarët ta thërrasin “atë”, si më parë.

         Me origjinë nga Kuneo, i formuar sa në Piemonte aq në Romë, ipeshkvi i ri jeton në Mongoli që prej 17 vitesh. Prillin e kaluar, Papa e emëroi prefekt apostolik të Ulan Batorit. Në shtator, nëse rregullat kundër pandemisë e lejojnë, atë Giorgio pret të kthehet në vendin, me të cilin është thellësisht i lidhur. Aty është bari i një grigje të vogël katolike, e përbërë nga misionarë, rregulltarë e një grup besimtarësh mongolë. Të gjithëve do t’u çojë fjalën e Françeskut, me të cilin sot, arriti, më në fund, të fliste personalisht, “duke kurorëzuar një ëndërr”. Imzot Marengo e ndjen për detyrë t’i mishërojë në punën e tij me popullin, shumë aspekte të shërbimit baritor të dashura për Papën, me të cilin do të vazhdojë të ketë një lidhje të veçantë shpirtërore. Në përfundim të audiencës, imzot Giorgio Marengo dha përshtypjet e tij, në mikrofonin e Vatican News:

         Takimi ishte i përzemërt dhe i jam mirënjohës Papës për këtë hir të bisedës personale me të. Dëgjova fjalë inkurajuese për misionin tim, që vijon, sepse jam aty që prej 17 vitesh, prandaj e njoh realitetin, por tani do ta shoh me sytë e prefektit apostolik dhe të ipeshkvit të atij populli. Ati i Shenjtë është shumë i interesuar për Kishën në Mongoli e për popullin mongol në përgjithësi. Pikërisht aty ku Kisha është pakicë, aty rreh zemra e Papës, i cili bekoi gjithë bashkësinë e krishterë në Mongoli e premtoi lutje për të. Pata kërkuar hirin ta takoj e kjo ëndërr u realizua sot.

         A ka diçka nga mësimet e Papës, që mendoni se mund t’ju shërbejë veçanërisht në Mongoli, kur të ktheheni?

         Pika kryesore është afërsia me bashkësinë katolike të Mongolisë, që është e vogël e pakicë absolute në shoqëri. Prandaj, ka nevojë ta ndiejë afër atë, që është i thirrur ta udhëheqë. Kjo është përparësi për mua, ashtu siç është edhe kujdesi për marrëdhëniet me autoritetet civile, që duhet të jenë sa më pozitive, në favor të bashkësisë. Pastaj, nevojitet vëmendje e veçantë për dialogun ndërfetar, sepse Mongolia i ka pikat e saj të referimit në budizmin e në shamanizmin. Pra, dialogu ndërfetar, afërsia me të varfërit, me të vegjlit e shoqërisë, e cila po ndryshon me shpejtësi; nga ana tjetër, edhe vëmendja për historinë, traditat dhe identitetin kulturor e shpirtëror të mongolëve, që kanë shumë për t’i thënë njerëzimit. Duhe të kujdesemi për përshpirtërinë e tyre: mongolët kanë ndjeshmëri të madhe e katolikët kanë nevojë të thellohen në fe, ta përvetësojnë gjithnjë e më shumë.

13 gusht 2020, 11:49