Shpërthimi në Beirut Shpërthimi në Beirut 

Lutja dhe thirrja e Papës për Libanin, në këtë çast tragjik

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku iu drejtua vendit të tronditur nga shpërthimi i djeshëm në Beirut, që shkaktoi njëqind të vdekur e mijëra të plagosur. Papa u drejtohet gjithë anëtarëve të shoqërisë, politikanë e fetarë, dhe lutet për viktimat e familjarët e tyre.

R. SH. - Vatikan

Pas ndërprerjes verore të korrikut, Papa rifilloi audiencat e përgjithshme, duke e përqendruar të sotmen, tek tema e shërimit e duke kujtuar plagët e ndryshme - ende të hapura nga pandemia e Covid-19. E, pas katekizmit, kujtoi Libanin e posaçërisht, Beirutin, ku dje ndodhi një shpërthim i pashembullt në historinë e vendit.

Çast i dhimbshëm, për të gjithë

Papa u lut për viktimat dhe familjarët, duke menduar dhjetra të vdekurit e mijëra të plagosurit. Më pas e shtriu vështrimin në mbarë vendin dhe u bëri thirrje të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, politikanë e fetarë, që të punojn së bashku për të krijuar kushtet që Libani ta kapëcejë edhe këtë çast krize:

“Dje, në Beirut, në zonën e portit, shpërthime të fuqishme shkaktuan dhjetra të vdekur, mijëra të plagosur e shumë shkatërrime. Lutemi për viktimat dhe familjarët e tyre e lutemi, sidomos, për Libanin që, me angazhimin e të gjithë pjesëtarëve shoqërorë, politikë e fetarë, ta përballojë këtë çast kaq tragjik e të dhimbshëm e, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, ta kapërcejë krizën, që po kalon”.

 

05 gusht 2020, 12:25