Jubileu lauretan: Papa e zgjat deri në dhjetor 2021
R. SH. - Vatikan
Me fjalë plot mirënjohje ndaj Papës Françesku, imzot Fabio Dal Cin, kryeipeshkëv Delegat Papnor i Loretos, kumtoi mbrëmë vendimin e Papës për ta zgjatur deri më 10 dhjetor 2021 Jubileun lauretan, me rastin e njëqind vjetorit të shpalljes të Zojës së Loretos Pajtore e forcave ajrore, nga Benedikti XV.
“Në këtë kohë të vështirë për mbarë njerëzimin - pohoi imzot Dal Cin - Kisha e Shenjtë Amë na dhuron edhe 12 muaj për t’u rinisur drejt Krishtit, duke na lënë në shoqërinë e Marisë, shenjë ngushëllimi e shprese të sigurt për të gjithë”.
Jubileu Lauretan, për të takuar Krishtin
Jubileu nisi zyrtarisht me hapjen e Portës Shenjte, më 8 dhjetor 2019, në praninë e Sekretarit të Shtetit, Kardinalit Pietro Parolin, por nuk mundi të kremtohej si duhej e si pritej, për shkak të Covid-19 - siç lexohet edhe në dekretin e Pendestarisë Apostolike - prandaj përsërit kështu, për 12 muaj, përvojën e hirit e të ndjesës, për besimtarët që do ta vizitojnë shenjtëroren papnore. Hir, që shtrihet edhe mbi të gjitha kapelat e aeroporteve civile e bazat e flotave ushtarake në botë.
“Sigurisht besimtarët - lexohet akoma në dekretin e nënshkruar nga kardinali Mauro Piacenza, Kryependestar dhe nga imzot Nykiel, do të nxjerrin nga kjo shtesë përfitime të mëdha shpirtërore, sipas Ligjit të Ungjillit”.
Jubileu Lauretan, Parolin: të jesh shenjt do të thotë të flutosh lart
Duke dhënë lajmin e zgjatjes në përfundim të Rruzares shenjte, në Mbrëmësoren e Zojës së Ngjitur në Qiell, nga Shenjtërorja e Shtëpisë së Loretos, imzot Dal Cin kujtoi se Papa i shprehu shumë herë gjatë vitit afërsinë e tij Shenjtërores: në vizitën e 25 marsit 2019, kur nënshkroi Nxitjen Apostolike “Chistus vivit” drejtuar të rinjve, në lejën për zgjatjen e Jubileut Lauretan; në kujtimin fakultativ të Zojës së Loretos në Kalendarin romak, më 10 dhjetor e, së fundi, me radhitjen e tri lutjeve të reja në Litanitë Lauretane: Nëna e Mëshirës, Nëna e Shpresës e Shpëtimi i Migrantëve. Kur nisi zyrtarisht Jubileu, me hapjen e Portës Shenjte, më 8 dhjetor 2019, Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin u pati kujtuar besimtarëve se të jesh shenjt, do të thotë të fluturosh lart!