Kërko

 Pamje nga lufta kundër koronavirusit Pamje nga lufta kundër koronavirusit 

Françesku: nuk duhen harruar viktimat e koronavirusit

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi vuajtjet e familjeve, mjekët, infermierët, rregulltaret e meshtarët, viktima të pandemisë, por edhe plagët që hapi tërmeti në Italinë qendrore, më 2016: “Të shpejtohet rindërtimi” - theksoi.

R. SH. - Vatikan

"Është hije, që nuk kalon, virusi global, armiku i vocërr i një numri tejet të madh njerëzish të infektuar e të vdekur. Fjala, që shqiptoi sot Papa, në përfundim të lutjes së Engjëllit, tingëlloi si lutje, e ngarkuar me dhimbje të thellë:

“E nuk duhet të harrojmë! Nuk duhet t’i harrojmë viktimat e Koronavirusit. Sot në mëngjes dëgjova dëshminë e një familjeje, që humbi, në të njëjtën ditë, gjyshërit, pa mundur të ndahet prej tyre e t’i përshëndesë për herë të fundit. Shumë vuajtje, shumë njerëz, që e lanë këtë jetë, viktima të sëmundjes, e shumë vullnetarë, mjekë, infermierë, motra, meshtarë, që humbën edhe jetën. T’i kujtojmë familjet, që vuajtën nga kjo sëmundje”.

Drama covid është plagë e hapur, por ka edhe dhimbje të tjera, më të  heshtura, plagë që nuk shërohen lehtë, si ato të banorëve  përgjatë Apenineve, ndërmjet Accumoli-t e Arquat-ës së Trontos, posaçërisht, që në një natë të trishtë, katër vjet më parë, panë të kthyer në gërmadhë jetë, kujtime, shtëpi. Papa nuk mund t’i harronte:

“Nesër mbushen katër vjet nga tërmeti, që dëmtoi rëndë Italinë Qendrore. Përsëris lutjen për familjet e bashkësitë, të cilat pësuan dëmet më të mëdha, që të mund të shkojnë përpara me solidaritet e shpresë. E uroj të shpejtohet rindërtmi, që njerëzit  të mund të jetojnë qetësisht në këto troje mrekullisht të bukura të Apenineve”.

Simpatike, lëvdata që, ndërmjet tjerave, ua drejtoi Papa të rinjve të famullisë së Cernusco sul Naviglio, nisur nga Siena me biçikleta e ardhur në Romë gjatë Udhës Francigjene. Përshëndetja më e këndshme, që jehoi sot nga Dritarja e Engjëllit, ishte pikërisht për ta!

23 gusht 2020, 13:15