Vatican News
 Papa në Engjëllin e Tënzot Papa në Engjëllin e Tënzot  (Vatican Media)

Françesku: Të Ngjiturit e Zojës në Qiell, hop i madh përpara i njerëzimit

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa pohoi se duke u ngjitur në qiell me shpirt e me trup, Virgjëra na tregoi udhën për të fituar atdheun atje lart, që është përgjithmonë. Françesku ftoi ta kujtojmë mirësinë e Zotit në jetën tonë, ashtu si bëri Maria.

R. SH. - Vatikan

Në këtë ditë të madhe feste, në kulmin e verës, besimtarë nga të katër anët e Romës e të botës u mblodhën rishtas në Sheshin e Shën Pjetrit, për Engjëllin e Tënzot të solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell, nën diellin përvëlues të kulmit të gushtit, që djeg edhe gurin, ndaj kjo kohë quhet edhe djegagur. Për këtë ngjarje mahnitëse, më mahnitsja, pas Ngjitjes së Krishtit tek Ati, u foli Papa, në këtë ditë të vaptë gushti. Kur njeriu shkeli së pari në hënë - kujtoi - u thanë ca fjalë të famshme: “Ky hap i vogël për njeriun, është hop i madh për njerëzimin”. Në të vërtetë njerëzimi kishte shkelur në një pikarritje historike. Po ne sot, me Ngjitjen e Zojës në Qiell, kremtojmë një fitore pambarimisht më të madhe.

Zoja shkel në parajsë, e na pret

“Zoja - kujtoi Papa - shkeli në Parajsë: nuk shkoi vetëm me shpirt, por edhe me korp, me gjithë vetveten. E ky hap i Virgjërës së vogël të Nazaretit ishte hopi më i madh i njerëzimit përpara”.

Pak vlerë ka nëse shkojmë në hënë, kur nuk jetojmë si vëllezër përmbi Tokë! Por kur mendojmë se një prej nesh banon në Qiell me korp e shpirt, na ngjallen shpresa të mëdha: kuptojmë se jemi të çmuar, të paracaktuar për t’u ringjallur. Zoti nuk do ta lërë trupin tonë të shndërrohet në pluhur. Me Zotin, asgjë nuk humbet. Në Marinë caku u arrit e ne e kemi parasysh arsyen, që na shtyn të ecim: jo për të fituar sendet, që janë këtu poshtë. Gjëra që bëhen hi e pluhur.  Ecim për të fituar sendet, që janë atje lart, atje, ku gjithçka është përgjithmonë. E Zoja është ylli, që na drejton në shtegtimin drejt lartësive:

“Ajo, ashtu si na mëson Koncili, ‘shkëlqen si shenjë e sigurt shprese e ngushëllimi për popullin e Zotit përudhë’” (Lumen gentium, 68).

Po çfarë na këshillon Nëna jonë?

Po, çfarë na këshillon Nëna jonë? Sot, në faqen ungjillore, gjëja e parë që  thotë, është: “Shpirti im madhëron Zotin” (Lk 1,46). Të mësuar t’i dëgjojmë shpesh këto fjalë - kujtoi Papa - ndoshta nuk ndalohemi më tek domethënia e tyre, të cilën edhe e shpjegoi, në vijim. “Madhëron” - kujtoi - do të thotë “ta zmadhosh”. Maria e zmadhon Zotin: nuk zmadhon problemet, që nuk i mungonin as në atë kohë, por Zotin. Ndërsa ne tepër shpesh shtypemi nën barrën e vështirësive e të frikës. Të cilat nuk përtojmë as t’i zmadhojmë. Po Zoja jo! Sepse për të Zoti është madhështia e parë e jetës. Prej këndej buron himni i pamort “Zemra ime madhëron Zotin” - “Magnificat”, buron një gëzim i papërshkrueshëm: nuk buron nga mungesa e problemeve, që heret a vonë nuk mungojnë, por nga prania e  Zotit. Sepse Zoti është i madh! E kujdeset për të vegjlit.

Maria pranon se është e vogël, e madhëron gjërat e mëdha

Maria pranon se është e vogël, ndaj nalton gjërat e mëdha, që bëri Zoti për të. Po cilat janë këto gjëra? Së pari, dhurata e jetës. Maria është virgjër, e mbetet shtatzënë; e edhe Elizabeta, në pleqërinë e shtyrë, pret fëmijë. Zoti bën mrekulli me të vegjlit, me ata që nuk besojnë se janë të mëdhenj, po që i japin hapësirë të madhe Atij në jetën e tyre. Ai e shtrin mëshirën mbi kë beson në Të e i larton të përulurit. Prandaj e lavdëron Maria Zotin!

Po ne, a e madhërojmë Zotin?

Po ne - mund të pyesim - a kujtohemi ta lavdërojmë Zotin? A e lumnojmë për gjërat e mëdha, që bëri e bën për ne? Për çdo ditë, që na dhuron? Për dashurinë, që na fal? Për shpresat, që na ngjall? E akoma, për nënën e Tij, që na e dhuroi, për vëllezër e motra, që na i vuri përkrah, në shtegtim? Për  qiellin, që na e hapi? Nëse e harrojmë të mirën e bërë, zemra jonë zvogëlohet. Por nëse, ashtu si Maria, kujtojmë punët e mëdha që kryen Zoti, nëse së paku një herë në ditë e madhërojmë, atëhere bëjmë një hap të madh përpara. Zemra zgjerohet e gëzimi shtohet - kujtoi Papa - për t’u drejtuar, në përfundim, besimtarëve, ftesën:

“T’i kërkojmë Zojës, porta e Qiellit, hirin ta nisim çdo ditë  duke i lartuar sytë kah qielli, kah Zoti, për t’i thënë ‘Faleminderit’, për gjithçka!”.

15 gusht 2020, 12:48