Papa dërgon ventilatorë në Brazil Papa dërgon ventilatorë në Brazil 

Dhurata e Papës Brazilit të plagosur nga pandemia

Lëmoshtaria Apostolike e bën edhe një herë konkrete afërsinë e Papës Françesku ndaj atyre, që po i vuajnë më shumë pasojat e përhapjes së Covid-19. Në një mori frontesh. Duke dhuruar materiale e aparate elektromjekësore, që po i dhurohen strukturave të ndryshme, që kalojnë situata emergjence e varfërie. Tani, destinacioni është Brazili.

R. SH. - Vatikan

Me një impenjim të vazhdueshëm dhe universal, Lëmoshtaria Apostolike vijon të mbështesë njerëzit që, në një skaj të botës, preken rëndë nga Covid-19. E këtë e bën duke vënë në jetë dëshirat e Papës: duke i dëshmuar bujarinë dhe solidaritetin e Atit të Shenjtë popullsive e vendeve ku emergjenca e lidhur me pandeminë, i vuri më shumë në krizë sistemet  shëndetësore, që edhe pa Coronavirusin, kalojnë çaste shumë të vështira. Mobilizim në mënyra të ndryshme e në fronte të ndryshme, ky i Lëmoshtarisë Apostolike, në kërkim aparatesh mjekësore,  për t’ia dhuruar atyre që nuk mund t’i gjejnë lehtë këto mjete, që shpëtojnë jetë. Në këtë rast po flasim për Brazilin, vendi i dytë më i prekur në botë nga coronavirusi.

“Këto ditë - mësohet nga komunikata e Lëmoshtarisë Apostolike, nënshkruar nga kardinali Konrad Krajevski - u nisën drejt Brazilit 18 ventilatorë Draeger për terapinë intensive dhe 6 ekografë të lëvizshëm Fuji. Ndihmë konkrete kjo, që u bë e mundur “falë angazhimit konkret - lexohet akoma në komunikatë - të Shoqatës Hope Onlus së specializuar  në projektet humanitare lidhur me shëndetin dhe edukimin, e cila u përpoq t’i siguronte aparatet mjekësore të teknologjisë së lartë përmes donatorëve të ndryshëm, që merren edhe me transportimin dhe instalimin e tyre në spitale të ndryshme.

Roli i Nunciaturës Apostolike

Ndihma e Lëmoshtarisë Apostolike bëhet konkrete me mbështetjen e Nunciaturave dhe të Kishës vendase. Sapo të arrijnë në Brazil këto mjete - saktësohet në komunikatën e sotme - do t’u dorëzohen spitaleve të caktuara nga Nunciatura Apostolike në vend, që ky gjest i dashurisë dhe i solidaritetit të krishterë të mund t’i ndihmojë me të vërtetë njerëzit më të varfër e më nevojtarë. Në Brazil - e kujtojmë - janë 3 milionë e 300 mijë raste të sëmurësh me Covid-19 dhe të paktën, 107 mijë të vdekur.

Papa Françesku dhuroi 35 respiratorë për emergjencën Covid-19

Pranverën e kaluar Papa dhuroi një mori ventilatorësh, që arritën në Kontinentin amerikan, nga Venezuela në Haiti, por edhe në  në Brazil e vende të tjera – si dhe në atë aziatik, me materialet e dërguara në Bangladesh. E edhe në Evropë  - në Itali, Spanjë e Ukrainë – e pastaj në kontinentin afrikan ku, ndërmjet vendeve që morën  ventilatorë, po kujtojmë  Kamerunin e Zimbabven. Donacionet vijuan gjatë gjithë stinës verore. I fundmi është ky i Brazilit.  

 

18 gusht 2020, 09:50