People visit Chora Museum in Istanbul People visit Chora Museum in Istanbul 

Dhimbja e Patrikut Bartolomeu për shndërrimin e Shën Sofisë dhe Kishës së Choras në xhami

Turqi: Patriku Bartolomeu është tejet i shqetësuar për shndërrimin e Shën Sofisë dhe të Kishës së Chora-s, në xhami: “U plagosëm - pohon - lutemi që Zoti t’ua shndrisë zemrat atyre, që përgjigjen për këto shndërrime”.

R.SH. - Vatikan

Dhimbje të thellë shpreh Patriku Ekumenik Bartolomeu I për shndërrimin  në xhami të një stolie të trashëgimisë kristiane bizantine në Stamboll: të kishës së Shën Shëlbuesit në Chora, më 21 gushtin e kaluar, me një dekret  nënshkruar nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.

Dje, 23 gusht, Patriku e kremtoi Liturgjinë Hyjnore në manastirin e Panagia Faneromeni në Cyzicus e, në përfundim të homelisë, për herë të parë, kujtoi shndërrimin në Xhami të Hagia Sophia-s e të Kishës së Chora-s. “U plagosëm rëndë nga shndërrimi i Bazilikës së Shën Sofisë dhe Kishës së Chora-s në xhami”- theksoi - “Këto dy monumente të pashoqe të Kostandinopojës u ngritën si Kisha të krishtera. Janë shprehëse të shpirtit  universal të fesë sonë, ashtu si edhe të dashurisë e shpresës se një ditë do të rijetojmë në amshim”.

Patriku Patriku Ekumenik Bartolomeu I foli edhe për mozaikët mahnitës brenda Shën Sofisë dhe Kishës së Chora-s. “Mozaikët dhe ikonat, të pashembullta në llojin e tyre, janë “ushqim për shpirtim e spektakël i jashtëzakonshëm  për sytë” - siç shprehet piktori grek Fotis Kontoglou. Bëjnë pjesë në trashëgiminë botërore. Janë pasuri e gjithë njerëzimit! Ta lusim, prandaj, Zotin e dashurisë, të drejtësisë e të paqes, t’i shndrisë mendjet dhe zemrat e atyre, që përgjigjen për këto shndërrime”.

Kisha e Shën Shëlbuesit në Chora konsiderohet si një nga shembujt më të rëndësishëm të arkitekturës kishtare bizantine, ende të pacënuar. Ndërtesa, lindur si Kishë ortodokse, ndodhet në zonën perëndimore të Stambollit, e pikërisht në Edirnekapi. Pas pushtimit otoman, Kisha qe shndërruar në xhami në vitin 1511 nga Hadim Ali Pasha, vezir i madh i Sulltan Bajazidit II e, për arsye se ikonat i kundërvihen fesë islame, që nuk e pranon pikturimin e figurave njerëzore, mozaikët dhe afresket u mbuluan, duke i lyer me gëlqere, por, për fat të mirë, nuk u shlyen fare. Në vitin 1948 në këtë ndërtesë nisi një program restaurimi për zbulimin  e mozaikëve e të afreskeve, të konsideruara si shprehja më e lartë e artit bizantin. Për shumë vjet ndërtesa mbeti e mbyllur për kultin derisa, më 1958, u shndërrua në muze. Më 21 gusht 2020, një dekret i presidentit turk Rexhep Erdogan konfirmoi vendimin e Këshillit të Shtetit të 19 nëntorit  2019, që anulloi vendimin me të cilin qe themeluar muzeu. Kështu Kisha do të hapet përsëri për kultin islamik e mozaikët e famshëm, stoli për artin, e gëzim për sytë e të gjithëve, jo vetëm të besimtarëve të krishterë, do të mbulohen përsëri me perçe gëlqereje! Deri kur?

24 gusht 2020, 13:41