Kërko

vietnam human traffickingAEM.jpg

Papa: “Trafikimi i njerëzve, plagë në trupin e njerëzimit”

Në Ditën Ndërkombëtare kundër trafikimit të njerëzve, Papa Françesku shkruan në Twitter: “Trafikimi i njerëzve vijon të jetë plagë në trupin e njerëzimit bashkëkohor”. Pastaj, falenderon “ata, që veprojnë në favor të viktimave të pafajshme të kësaj tregtie njerëzish”.

R.SH. - Vatikan

Sot, në të gjithë botën, kremtohet Dita Ndërkombëtare kundër trafikimit të njerëzve. Sipas vlerësimeve të OKB-së, viktimat e trafikimit arrijnë në 40 milion vetë, prej të cilëve një e katërta, nën moshën 18-vjeçare, siç denoncon organizata “Save the children”.

         Në këtë Ditë, Papa Françesku shkruan në faqen e tij Twitter: “Trafikimi i njerëzve vijon të jetë plagë në trupin e njerëzimit bashkëkohor. Falenderoj nga zemra të gjithë ata, që veprojnë në favor të viktimave të pafajshme të kësaj tregtie njerëzish. Mbetet akoma shumë për të bërë! #EndHumanTrafficking”.

         Edhe në Evropën e qytetëruar, të dhënat e Komisionit Evropian flasin për rreth 20 mijë raste fëmijësh të shfrytëzuar për trafikime të ndryshme, por statistikat nuk publikohen më që nga vitet 2015-2016. 68% e të miturve janë femra. “Save the Children”, organizata ndërkombëtare, që lufton prej më se 100 vitesh për të shpëtuar fëmijët e për t’u dhënë atyre një të ardhme, vë në dukje se pikërisht në Evropë po shtohet shfrytëzimi seksual i vajzave dhe djemve të rinj e pedopornografia.

30 korrik 2020, 11:37