Kërko

Vatican News
 Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Papa: të imitojmë durimin e Zotit!

“Dishepujt e Krishtit nuk duhet t’i zhdukin të prapët, por t’i shpëtojnë”. Këtë udhë na ftoi të ndjekim Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar se kjo nuk është tolerancë hipokrite, por drejtësi e zbutur nga mëshira.

R. SH. - Vatikan

Takim i ri me Krishtin, përmes lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës,  që Papa e kremtoi, si zakonisht, nga dritarja e studios së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit, i cili vijon të popullohet me shtegtarë e besimtarë, ndonëse pandemia nuk ka marrë fund ende. Gruri dhe egjra vijojnë të rriten së bashku në arën e botës së madhe, të sëmurë nga Covid-19!

 Në Ungjillin e sotëm - kujtoi Papa - e shikojmë Jezusin duke vijuar t’i  flasë turmës me shëmbëlltyra. Këtë herë, me shëmbëlltyrën e Mbretërisë së Qiellit, por duke u ndaluar së pari tek ajo e grurit dhe e egjrës, përmes së cilës Jezusi na njeh me durimin e Zotit, që na e hap zemrën për shpresën e tij.

Historia e grurit dhe egjrës, që rriten së bashku

Jezusi tregon se në arën ku qe mbjellë gruri i mirë, del edhe egjra, një term që i përmbledh të gjitha barërat e këqija, të cilat e shkretojnë tokën. Shërbëtorët rendin tek zotëria dhe e pyesin nga kishte mbirë gjithë ajo egjër. E ai përgjigjet. “Këtë e ka bërë ndonjë armik!”. E ata duan të shkojnë vrap e ta shkulin, nga që e dinë se bujku duhet t’i shkulë barërat e këqija, që të rritet për së mbari bima e mirë. Po  i zoti i tokës i ndalon. Ka frikë se njëheresh me egjrën, do të shkulin edhe grurin. Duhet pritur çasti i korrjes: atëhere do të mund të ndahen veç e veç gruri e egjra. E ndërsa gruri do të mbartet në hambar, egjra do të kallet flakë.

Si duhet lexuar shëmbëlltyra?

Në këtë shëmbëlltyrë mund të shikohet një vizion i historisë. Pranë Zotit, që është i zoti i arës e që mbjell gjithnjë e vetëm farë të mirë - kujtoi Papa - është një kundërshtar, një armik, që hedh farën e egjrës, domethënë, të sherrit, për ta ndaluar rritjen e grurit. I zoti i arës vepron haptas, në dritën e diellit e qëllimi i tij është të ketë të korra të mira, tjetri, ndërkaq,  përfiton nga errësira e natës e thjesht për inat, shkatërron gjithçka mundet. Kundërshtari ka një emër - kujtoi Papa - quhet djall! Kundërshtar për antonomazi i Zotit!

Djalli, bujku i skandaleve

Ati i Shenjtë kujton edhe qëllimin e djallit për të shkatërruar veprën e shëlbimit. Për ta penguar Mbretërinë e Zotit. Për të mbjellë jo farën e mirë të grurit, por farën e keqe të shkandujve. Sepse djalli është bujku i skandaleve. E gruri dhe egjra nuk simbolizojnë të mirën a të keqen abstrakte, por na simbolizojnë ne, njerëzit, që mund të ndjekim Zotin, ose djallin!

Zoti shikon larg

Shërbëtorët duan ta zhdukin menjëherë të keqen, domethënë njerëzit e këqij, por pronari është shumë më i urtë, shikon shumë më larg. Ata duhet të presin, sepse durimi gjatë persekutimeve dhe armiqësive është pjesë e thirrjes së krishterë. E keqja, natyrisht, duhet flakur tutje, duhet djegur si egjra - kujtoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit -  Egjra po, po jo njeriu! Duhet durim. Jo toleranca hipokrite e njeriut me dy fytyra, po drejtësia e zbutur nga mëshira.

Jezusi erdhi më shumë për mëkatarët

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa u kujtoi edhe një herë besimtarëve se Jezusi erdhi për të kërkuar të sëmurët, para të shëndoshëve (krh Mt 9,12-13). E edhe ne, duke ecur në gjurmët e Zotit, nuk duhet “t’i shkulim me gjithë rrënjë e t’i djegim” njerëzit e prapë, që mund t’i kemi për ditë para sysh, deri në sosjen e durimit. Jo, nuk duhen “djegur”, duhen shpëtuar!

Dy mënyra veprimi

Ungjilli i sotëm - kujtoi në vijim të Engjëllit të Tënzot Papa -  na flet për dy mënyra veprimi e sjelljeje në histori: nga njëra anë, për sjelljen e pronarit, nga ana tjetër, të shërbëtorëve. Argatët e duan arën me grurë të mirë e pa barëra të këqija. Duan ta shkulin menjëherë të keqen, prandaj. Po i zoti i arës mendon ndryshe…

Të bashkëpunojmë mirë me Zotin

Zoti na fton të bashkëpunojmë mirë me të. Na kujton, prandaj, se nuk bashkëpunon mirë ai, që u vihet në shpinë njerëzve të tjerë, duke u shikuar vetëm të metat, por ai,  i cili  di ta vlerësojë të mirën, që rritet pa bujë në arën e Kishës e të historisë, duke u kujdesur për të, derisa të piqet. E atëhere do të jetë vetë Zoti, e vetëm Ai, që do t’i shpërblejë  të mirët e do t’i dënojë të prapët.

Zoja na ndihmoftë ta kuptojmë durimin e Zotit!

Sigurisht nuk është aspak e lehtë ta kuptosh gjithë këtë durim, që tregon Zoti. Ndaj, si zakonisht, Papa kërkoi ndihmën e Zojës, me lutjen:
“Virgjëra Mari na ndihmoftë ta kuptojmë e ta imitojmë durimin e Zotit, që nuk dëshiron ta humbasë asnjë nga bijtë e Tij, të cilët i do me dashurinë e Atit”.

 

19 korrik 2020, 13:23