Papa, pushim zjarri global e i menjëhershëm, për t’iu kundërvënë pandemisë
R. SH. - Vatikan
Këtë javë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara adoptoi një Rezolutë, që përgatit disa masa për t’u bërë ballë pasojave shkatrrimtare të virusit Covid-19, posaçërisht për zonat e dëmtuara nga konfliktet. Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa e miratoi këtë kërkesë:
“Për t’u lavdëruar - kujtoi Papa, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot - kërkesa për ndalimin e zjarrit, globale dhe e menjëhershme, që do të krijonte kushtet për paqen dhe sigurinë, pa të cilat nuk mund të flitet për ndihmën e nevojshme dhe urgjente humanitare. Uroj që ky vendim të vihet sa më shpejt në jetë, për të mirën e shumë njerëzve, që vijojnë të vuajnë! E edhe që kjo Rezolutë e Këshillit të Sigurimit të jetë hapi i parë i guximshëm drejt ardhmërisë paqësore”.
Shën Egjidi: fitore e rëndësishme për paqen
Edhe Bashkësia e Shën Egjidit, që e mbështeti menjëherë këtë kërkesë, nënvizon, përmes një note, rëndësinë e rezolutës, të cilën e quan fitore për të gjithë ata, që luftojnë për paqen.
“Miratimi i saj i njëzëshëm - vëren Bashkësia - tregon se vetëm përmes marrëveshjes dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të ndryshme, njerëzimi mund ta përballojë armikun e përbashkët të pandemisë”.
Shën Egjidi - përfundon nota - “impenjohet menjëherë për mbrojtjen dhe përhapjen e vendimit të OKB-së ndër të gjitha vendet ku, pavarësisht nga vështirësitë e çastit, vijon impenjimi për t’u dhënë fund konflikteve e për të siguruar paqen e qëndrueshme”.