Papa në Engjëllin e Tënzot: për ta gjetur Jezusin, thesarin e vërtetë, larg sigurive të botës!

Papa Françesku komentoi sot dy shëmbëlltyra të shkurtëra të Jezusit: atë të thesarit të fshehur në arë dhe të margaritarit të çmuar. E kujtoi se Mbretëria e Qiellit “është e kundërta e teprimeve, që na ofron bota” e kundërta e jetës së rëndomtë, që nuk lë pas asnjë gjurmë! Eshtë të zbulosh kuptimin e jetës sate, përmes udhëve të reja, që të çojnë tek dashuria për Zotin, për tjetrin e edhe tek dashuria e vërtetë për vetveten!

Një takim i ri me Krishtin sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, përmes shëmbëlltyrave, që Mateu ia kushton Mbretërisë së Qiellit. Për këtë Mbretëri, që e dëshirojnë me zjarr të gjithë njerëzit, edhe pa e kuptuar, u foli Papa besimtarëve që, duke përballuar vapën e madhe të fundkorrikut, ishin mbledhur përsëri poshtë dritares së Engjëllit, për të dëgjuar Fjalën e Zotit. Ungjilli i sotëm (Mt 13,44-52) - u kujtoi Papa  - përkon me versetet e fundit  të Kapitullit, që Mateu ua kushton  shëmbëlltyrave të Mbretërisë së Hyjit. Fragmenti përfshin tri shëmbëlltyra të shkurtëra: shëmbëlltyrën e thesarit të fshehur, të margaritarit të çmuar e atë të rrjetit të hedhur në det.

Shëmbëlltyra e thesarit të fshehur

Papa u ndalua, së pari, tek shëmbëlltyra në të cilën Mbretëria e Qiellit  krahasohet me dy realitete: me thesarin e fshehur në arë e me margaritarin tepër të çmuar. Ata, që i gjejnë, reagojnë pothuajse njëlloj. Si do të reagonim edhe ne, sot, po të gjenim papritmas një thesar të tillë. Të dy gjetësit, burri e tregtari, shesin gjithçka, për të blerë atë që kanë më shumë për zemër.

“Me këto dy similituda - vijoi të shpjegojë Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - Jezusi na propozon të marrim pjesë në ndërtimin e Mbetërisë së Zotit. Pa harruar të na kujtojë edhe një karakterisitikë themelore”.

Kërkuesit  e shqetë të Mbretërisë së qiellit, e vënë në lojë gjithçka

Marrin pjesë plotësisht në ndërtimin e Mbretërisë së qiellit - kujtoi në vijim Papa - vetëm ata, që vënë në lojë gjithçka kanë e gjithçka janë! E shikojmë këtë tek shëmbëlltyrat: si burri, ashtu edhe tregtari, që i takojmë në dy shëmbëlltyrat e sotme, shesin gjithçka, domethënë i braktisin të gjitha  siguritë e tyre materiale, për sigurinë e zemrës!

Hiri i Zotit e dora e njeriut!

Nga kjo kuptojmë se Mbretëria Hyjnore nuk ndërtohet vetëm me hirin e Zotit, por edhe me gatishmërinë aktive të njeriut:

“Gjestet e këtij burri e të këtij tregtari, që shkojnë në kërkim të realiteteve më me vlerë, duke u thënë lamtumirë, pa kurrfarë dhimbjeje, pasurive të tyre, në kërkim të pasurive edhe më të çmuara, janë gjeste të vendosura, pa asnjë luhatje. Madje kryhen plot me gëzim, sepse të dy gjejnë thesarin e ëndërruar”.

Kush e kërkon Mbretërinë, ka zemër krijuesi e kërkuesi

Jemi të thirrur - kujtoi Papa - të ndjekim shembullin e dy personazheve ungjillore të thesarit, duke u bërë edhe ne kërkues të shqetë të Mbretërisë së Qiellit. Por për të arritur tek kjo Mbretëri, që nuk perëndon kurrë,  duhet ta flakim tutje zgjedhën e rëndë të sigurive, që na premton mbretëria e përkohshme e botës, të cilat na pengojnë në kërkimin e Mbretërisë paperëndim: mbretërisë qiellore: zgjedhën e pangopësisë për pasje, të etjes për fitime e për pushtet, të vetëdashjes e të vetëvlerësimit!

“Jezusi, Ai që është thesari i fshehur e margaritari me vlerë të madhe, nuk mund të shkaktojë tjetër, veçse gëzim, gjithë gëzimin e botës: gëzimin e zbulimit të kuptimit të jetës, gëzimin e impenjimit në aventurën e shenjtërisë”.

Në kërkim thesaresh, apo sendesh pa pikë vlere?

Në ditët tona disa kalojnë një jetë fare mediokre. Jetë pa jetë! Ndoshta sepse nuk janë nisur kurrë në kërkim të thesarit të vërtetë: sepse mjaftohen me kënaqësi, që të tërheqin një çast, por mbarojnë shpejt. Kënaqen me dëfrime të bujshme, por kalimtare; me drita verbuese, por të rreme, sepse kalojnë shumë shpejt e të lënë në mes të errësirës së një nate pa agim!

Mbretëria e qiellit është thesar

Mbretëria e Zotit është e kundërta e sendeve të tepërta, që të ofron bota. Është krejt e ndryshme nga jeta e rëndomtë, pa pikë ideali! Është thesar, që e përtërin jetën e çdo dite, duke i hapur para horizonte gjithnjë më të pafundme. Sepse kush e gjen këtë thesar, ka zemër krijuesi e kërkuesi. Kush e gjen, nuk përsërit, po shpik e krijon, duke gjetur e duke përshkuar gjithnjë rrugë të reja, që e çojnë tek dashuria për Zotin, për të tjerët e edhe tek dashuria e vërtetë për vetveten!

Nga takimi me Krishtin lind vetëm gëzim!

Jezusi - Ai, që është thesari i fshehur e perla me vlerë të pamasë, nuk mund të mos ngjallë gëzim: gjithë gëzimin e botës. Gëzimin, që gurron në zemër, kur zbulojmë kuptimin e jetës; gëzimin, që ndjejmë kur angazhohemi në aventurën e shenjtërisë. Kush e provon, e di sa i madh është. Më i madhi ndërmjet të gjitha gëzimeve që provon e do të provojë bota!

Papa e përfundoi Engjëllin e Tënzot me lutjen drejtuar Marisë:

“Virgjëra e Shenjtë na ndihmoftë ta kërkojmë çdo ditë thesarin e Mbretërisë së Qiellit, që në fjalët tona e në gjestet tona të rrezatojë Mbretëria, që Zoti na e dhuroi përmes Jezusit”.

26 korrik 2020, 13:10