Papa: i papërfytyrueshëm, ferri që jetojnë migrantët në kampet e burgimit

Papa e nisi me ftesën e Psalmit të sotëm: “Kërkojeni gjithnjë fytyrën e Zotit”, homelinë e Meshës, kremtuar në pëvjetorin e vizitës së tij në Lampeduzë, më 8 korrik 2020. Kërkim themelor në jetën e besimtarit, i cili e ka kuptuar se në fund të jetës e pret takimi me Zotin!

R. SH. - Vatikan

Kërkimi i fytyrës së Zotit është garancia e suksesit të shtegtimit tonë mbi këtë botë, që nuk është tjetër, veçse dalje drejt Tokës së vërtetë, të premtuar! Drejt Atdheut Qiellor.

“Fytyra e Zotit është caku ynë e ylli ynë polar, që na ndihmon të mos e humbasim udhën”.

Këtë theksoi Papa në fillim të Meshës, kremtuar në Shën Martë. Merrte pjesë vetëm personeli i seksionit Migrantët dhe Refugjatët i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Ndërsa vitin e kaluar, në kremtimin eukaristik, në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Vatikanit, patën marrë pjesë 250 vetë, migrantë e të tjerë, të angazhuar “për të shpëtuar jetë njerëzish, në kërkim të jetës”.

Kemi një variant të distiluar

Më 8 korrik 2013 Papa shkelte në Lampeduzë. Ishte shtegtimi i parë jashtë Vatikanit. Të paharrueshme, pamjet e asaj dite. Kurora e luleve e hedhur në ujë nga motovedeta, për kujtim të viktimave të humbura në honet e Detit Mesdhe, që shndërrohet shpesh në varrezë. Po edhe më të paharrueshme, fjalët e Papës, që u ndal te përvoja e kësaj dite e te tregimet e emigrantëve:

“Kishte përkthyes. Njëri tregonte gjëra të tmerrshme në gjuhën e vet, e përkthyesi duket se përkthente mirë; po ai tjetri fliste shumë, ndërsa përkthimi ishte tepër i shkurtër. - Bah - mendova - shihet se kjo gjuhë  i zgjat shumë muhabetet! Por, kur u ktheva në shtëpi, pasdite, një grua etiope më tha: ‘Shenjtëri, çka ju tregoi përkthyesi nuk është as një e katërta e torturave, e vuajtjeve, që jetuan ata njerëz’. Më kishin dhënë variantin e ‘distiluar’. E kjo ndodh edhe sot në Libi: na japin ‘variantin e distiluar’. Lufta është e keqe, e dimë. Po ju nuk mund as ta përfytyroni ferrin, që jetohet atje, në atë kamp përqendrimi. E këto njerëz ishin aty vetëm me shpresën për të kapërcyer detin!’.

Këtë kujtoi me dhimbje Papa, për të kometuar, në vijim, fjalët e Ozesë Profet (10,1-3.7-8.12) kushtuar popullit të Izraelit, që e kish humbur nga sytë Tokën e Premtuar e ravgonte në shkretërirën e mbrapshtisë. Pasuria e kish larguar zemrën e izraelitëve  nga Zoti, duke e mbushur përplot me falsitet e padrejtësi.

Mëkat sa i lashtë, aq i ri

Po nga ky mëkat - kujtoi Papa duke kaluar nga ravgimi i Izraelit, në ravgimet e ditëve tona - nuk shpëtojmë as ne, të krishterët e sotëm. “Kultura e mirëqenies na bën të mendojnmë veç për vetveten. Na bën të shurdhër për britmën e të tjerëve! Na bën të jetojmë në flluska sapuni, që janë plot larushi, plot ngjyra. Por tejet të përkohshme. Të ushqejnë vetëm indiferencën ndaj të tjerëve. Madje, indiferencën globale (Homelia në Lampedusa, 8 korrik 2013).

Zëri i Ozesë vjen deri në veshët tonë   

Thirrja e Ozesë - vijoi Papa - vjen deri tek ne, sot. Është ftesë për t’i sjellë sytë kah Zoti e për t’u kujtuar për fytyrën e Tij! Na thotë Profeti:

“Mbillni për vete sipas drejtësisë, e korrni sipas mirësisë; lërojeni një arë të re, sepse është koha për të kërkuar Zotin, derisa Ai të vijë dhe të përhapë mbi ju drejtësinë (10,12)”.

Ta takosh fizikisht Zotin

Kërkimi i fytyrës së Zotit  buron nga  dëshira e zjarrtë për takimin personal me Të, me dashurinë e Tij të pambaruar e me praninë e tij shëlbuese- nënvizoi Papa - që kujtoi, më pas, edhe Dymbëdhjetë Apostujt, për të cilët flet Ungjilli i sotëm. Ata, që patën hirin ta takojnë fizikisht Jezu Krishtin, Birin e Zotit të mishëruar. Ai i thirri me emër, një për një, duke i shikuar në sy; e ata e skalitën në kujtesë fytyrën e Tij, ia dëgjuan zërin, i panë mrekullitë e Tij. Por takimi personal me Zotin - u kujtoi Papa gjithë besimtarëve - kërkon misionin. Kërkon t’i përgjigjemi thirrjes për ta predikuar mbretërinë e Qiellit, që është afër!

Edhe ne mund ta takojmë Zotin!

Edhe ne, dishepuj të mijëvjeçarit të tretë  - siguroi Françesku në vijim - mund ta takojmë personalisht Zotin. Në kërkimin e etshëm të Tij, mund ta shikojmë në fytyrën e të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve e të huajve, që Zoti i vë në shtegun tonë. E ky takim bëhet edhe në kohën tonë hir e shpëtim, siç ishte për Apostujt e Krishtit.

Nga Apostujt, në Lampeduzë

Nga detyra e Apostujve të djeshëm e të sotëm, Papa kaloi tek kujtimi  i  shtatëvjetorit të vizitës së tij në Lampeduzë. Për të ripohuar çka u pati thënë pjesëmarrësve në mitingun “Të çliruar nga frika”, në shkurt  të vitit të kaluar.

Qortim përvëlues

Takimi me tjetrin është edhe takim me Krishtin. Na e tha ai vetë. Është Ai, që troket në portën tonë i uritur, i etur, i huaj, i zhveshur, i sëmurë, i burgosur, duke kërkuar ta takojmë e t’ia shtrijmë dorën. E nëse do të vijonim të dyshonim, do të na tingëllonte përsëri në vesh  fare qartë, Fjala e Tij:

“Me të vërtetë po ju them: gjithçka bëtë qoftë edhe për një të vetëm nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma bëtë mua!”.

“Gjithçka bëtë….” . Në të mirë a në të keqe! Tejet aktual, ky qortim, që të përvëlon! Prej tij duhet të nisemi çdo ditë, kur e rrëmojmë ndërgjegjen - tha Papa - për të kujtuar sakaq Libinë me kampet e përqendrimit, shpërdorimet e dhunën, që ushtrohet mbi migrantët, udhëtimet e shpresës, shpëtimet e dëbimet nga brigjet e dëshiruara: “çka t’i bëni atyre, ma keni bërë mua!”.

Ndihmë, kundër padrejtësive, që vijojnë!

Papa e përfundoi homelinë me lutjen drejtuar Zojës solacium migrantium - ngushëllimi i migrantëve, duke i kërkuar të na ndihmojë ta zbulojmë fytyrën e të Birit në fytyrat e gjithë vëllezërve e motrave të detyruara  të ikin nga trojet e veta për shkak të padrejtësive, që vijojnë në botën tonë!

08 korrik 2020, 13:23