Kërko

IMG-20200720-WA0018.jpg

Papa Françesku u bën një vizitë të papritur fëmijëve të kampit veror në Vatikan

Bëni miq të rinj për t’u argëtuar të gjithë bashkë. Kjo është këshilla e Papës Françesku, që sot paradite u takua me të vegjlit dhe me animatorët e tyre në kampin veror të Vatikanit. Papa i përshëndeti ndërsa hanin mëngjesin dhe iu përgjigj disa pyetjeve të tyre.

R.SH. - Vatikan

Nuk u besohej syve fëmijëve, që frekuentojnë kampin veror në Vatikanit, dashur me forcë këtë vit nga Papa Françesku për të ndihmuar dhe mbështetur prindërit, punonjës të Selisë së Shenjtë. Sot paradite, pak pas orës 9, Papa Françesku vizitoi fëmijët dhe të rinjtë animatorë, ndërsa po hanin mëngjes në hollin e Sallës Pali VI. Lajmin e dha drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni. “Pasi kaloi në mes të tryezave, - pohoi Bruni – Papa vizitoi hapësirat për lojërat e vendosura në klasë dhe bisedoi me pjesëmarrësit”, pastaj, u kthye në Shtëpinë e Shën Martës, në orën 10, jo pa i falënderuar “një e nga një” veprimtarët për punën e tyre.

Së bashku, për t’u bërë miq

Gjatë vizitës, Papa Françesku u ul midis fëmijëve dhe “i inkurajoi të bënin miq të rinj”. “Njerëzit që dinë të argëtohen vetëm me vetveten janë egoistë; për t’u argëtuar - theksoi Papa – duhet të bëheni të gjithë bashkë, me miq e shokë”. Kampi veror, lindur me nismën e Guvernatorit për të ndihmuar prindërit që punojnë në Vatikan, organizon veprimtari edukative dhe argëtuese gjatë muajit korrik, në vende të mrekullueshme si Kopshtet, Heliporti dhe Salla Pali VI. Fëmijët, që e frekuentojnë, janë rreth 100, organizuar për të respektuar masat e sigurisë kundër koronavirusit. Kampi mbahet nga salezianët dhe nga shoqata “Gjithçka në festë”: ditët kalojnë me not në pishinë, tenis, ndeshje futbolli dhe basketbolli, rrëshqitje, sfida ping-pongu si dhe vizita në Kopshtet e Vatikanit.

Fëmijët, të mahnitur nga thjeshtësia e Papës

“Një surprizë e madhe për ne! Unë nuk isha këtu, por u njoftova për ardhjen e Papës dhe u ktheva nga rruga. Ai doli vetëm nga Shtëpia e Shën Martës dhe shkoi në Sallën Pali VI për të përshëndetur fëmijët, që po mbaronin mëngjesin. Kaloi mes tryezave, së pari u ndal me më të vegjlit, pastaj, me ata të shkollës fillore dhe me ata të tetëvjeçares. U interesua për ç’po bënin, si e kalonin ditën, i pyeti nëse ishin të kënaqur”. Kështu tregon koordinatori i kampit, don Franco Fontana, kapelan i Xhandarmërisë dhe i Muzeve të Vatikanit. “Fëmijët u mahnitën aq shumë sa s’iu dëgjua zëri. Pastaj, pas xhiros, zbritëm në Sallën Pali VI e bëmë si çdo mëngjes, nuk i ndryshuam oraret. Vetë Papa ashtu deshi. Tre fëmijë - shpjegon don Fontana - i bënë pyetjet, të cilat i kishim përgatitur që javën e kaluar, sepse donim t’i shkruanim. Ai iu përgjigj pyetjeve, që ishin shumë të thjeshta. Së fundi, ai na përshëndeti përgjithësisht dhe falënderoi ngrohtësisht 22 animatorët. Bëmë edhe një fotografi, të gjithë bashkë. Pastaj, Papa u kthye sërish në këmbë në Shtëpinë e Shën Martës”. Don Frankos i bëri përshtypje sidomos qëndrimi i fëmijëve, që panë menjëherë tek Françesku “familjaritetin, thjeshtësinë dhe sjelljen atërore, me të cilën deshi ta jetonte këtë çast”.

20 korrik 2020, 17:58