Kërko

Yellowstone, national park, ambiente, natura, lago, montagne innevate  Yellowstone, national park, ambiente, natura, lago, montagne innevate  

Papa Françesku: ta shpëtojmë Tokën me energji të ripërtëritëshme

Tweet-i i sotëm i Papës Françesku, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kooperativave, kushtuar luftës kundër ndryshimit të klimës, është një referim ndaj enciklikës Laudato sì (“Lëvduar qofsh”). Kooperativat janë shprehje e komunitetit dhe e dashurisë për tokën. Një rrugë që, nëse përshkohet, mund të japë shumë në mbrojtjen e Krijimit.

R.SH. - Vatikan

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kooperativave, e cila që 96 vjet kremtohet çdo të shtune tё parë të korrikut, Papa Françesku përmes një tweet-i kujton temën e këtij viti, kushtuar luftës kundër ndryshimit të klimës. Në disa vende, shkruan Papa në faqen @Pontifex, kooperativat janë duke u zhvilluar për shfrytëzimin e energjisë së ripërtëritëshme, që mundësojnë vetë-mjaftueshmërinë e nevojave lokale. Ato mund të ndikojnë dukshёm në luftën kundër ndryshimit të klimës – përfundon Ati i Shenjtё Françesku – falë një përgjegjësie dhe ndjenje të fortë komunitare e dashurisë për tokën.

Alfabeti i gjelbërt i Papës për shpëtimin e tokës

Sot mё shumë se kurrë kemi nevojë për drejtësi shoqërore dhe respekt për ambientin, që të shmangim shkatërrimin e Shtëpisë së Përbashkët dhe luftën për burimet natyrore.  Mbijetesa e natyrës, pra, edhe e jona, paralajmërojnë shkencëtarët dhe ekspertët, varen nga zbatimi i parimeve të drejtësisë shoqërore dhe nga respekti për ambientin. Duhet të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët e të veprojmë në favor të saj.

“Një dekalog për t’u zbatuar në një udhëtim kolektiv, të vetëdijshëm dhe të shndritur”. Në hyrjen e librit të vatikanistes italiane Franca Giansoldati, vetë Papa Françesku shpjegon synimin divulgativ të vëllimit “Alfabeti i gjelbërt i Papës Françesku: ta shpëtojmë tokën e të jetojmë të lumtur”, botuar nё shtator tё vitit 2019. Qëllimi është të ndalet kjo “garë drejt humnerës”, që ka filluar njerëzimi, duke mos e respektuar natyrën e ligjet e saj, si edhe “të ecim, të gjithë së bashku, dorë për dore, në udhën e shpëtimit”.

Kriza ekologjike është e vërtetë

 “Familja njerëzore - shkruan Papa - në tërësinë e saj, është në rrezik dhe nuk ka më kohë të presë a të shtyjë. Kriza ekologjike, veçanërisht ndryshimi i klimës, nuk është ndonjë ekzagjerim apo fantazi e dikujt, që i pëlqen të destabilizojë. Argumentet shkencore janë lënë tepër kohë mënjanë, duke u gjykuar me një lloj përbuzjeje e, madje, edhe me ironi”.

Fenomene gjithnjë e më të skajshme

 “Në të gjithë planetin - paralajmëron Françesku - fenomenet klimatike të skajshme dhe shkatërrimtare janë gjithnjë e më të shpeshta. Vështirë të mos kuptohet se rritja e temperaturave të detit, shkrirja e akujve, akumulimi i avujve në atmosferë, uraganet e përmbytjet shkaktojnë tragjedi të tjera, duke shtyrë popullsi të tëra, miliona e miliona njerëz, të kërkojnë një rrugë alternative shpëtimi për të jetuar. Si mund të mohohet që edhe një nga këta elementë nuk është i lidhur me tjetrin?”

Është e padrejtë që fajin ta vuajnë të rinjtë

A është e drejtë, pastaj, pyet më tej Papa, që brezat e rinj “të paguajnë koston e papërgjegjshmërisë së brezit të mëparshëm?” Të rinjtë “tashmë, e kanë kuptuar se do të trashëgojnë një botë mjaft të rrënuar”. “A është e drejtë që të marrin përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar nga një sistem” ku “tranzicioni energjitik dhe mbrojtja e Shtëpisë së Përbashkët duket se nuk janë përparësi dhe u hapet rruga interesave të një praktike ekonomike dhe financiare mjaft të vakët dhe kundër idesë së reformimit të vetvetes?”

Hapa konkrete për të përtërirë planetin

“A nuk do të ishte e dobishme, - nxit Papa Françesku – që të gjithë ne të impenjoheshim vazhdimisht për të punuar me një frymë të re, që të promovojë hapa konkrete për ta rimëkëmbur planetin? Kemi përgjegjësi të mëdha dhe Zoti do të na kërkojë llogari një ditë për këtë shpartallim”, paralajmëron Ati i Shenjtë, duke shpresuar në “një revolucion nga poshtë, që fillon nga vendimet e përditshme, që nga çasti kur shkojmë për të blerë diçka e deri në atë kur investojmë kursimet, duke i orientuar, për shembull, drejt bankave etike, që respektojnë ekuilibrat solidare”. “Ka ardhur koha - përfundon shënimi i Papës Françesku - që të krishterët të fillojnë të lidhen me të vërtetë në rrjet, të mendojnë kolektivisht, duke e ditur që çdo vendim, qoftë edhe më i vogli, sjell ndryshim të madh e, së bashku, mund të ndryshohen gjërat dhe të kthehet mbrapa kursi, që çon në shkatërrimin e Shtëpisë së Përbashkët”

04 korrik 2020, 18:52