2020.03.27 Preghiera in Piazza San Pietro con Benedizione Urbi et Orbi 2020.03.27 Preghiera in Piazza San Pietro con Benedizione Urbi et Orbi 

Papa: feja nё Jezusin, forcë jete

Papa: Feja na bën të ecim me Jezusin në rrugët e botës, tё bindur qё fuqia e Shpirtit të Tij do t’i përkulë forcat e së keqes, duke i nënshtruar në sundimin e dashurisë së Zotit.

R.SH. - Vatikan

Feja na bën të ecim me Jezusin në rrugët e botës, tё bindur qё fuqia e Shpirtit të Tij do t’i përkulë forcat e së keqes, duke i nënshtruar në sundimin e dashurisë së Zotit. Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, sot 6 korrik 2020, botuar nё faqen @Pontifex.

Feja nuk jepet, lindet

Feja nuk është rrugëdalje nga problemet, por të mbështet në rrugën e jetës, së cilës i jep kuptim. Feja duhet transmetuar me dashuri. Ta përçosh fenë nuk do të thotë “të japësh informacione”, por “të themelosh një zemër”, ta mbushësh me fe në Jezu Krishtin. Kёshtu pohoi mes tjerash Papa Françesku gjatё Meshёs sё 3 majit 2018 kremtuar nё kapelёn e Shёn Martёs, nё Vatikan. Të jesh i krishterë nuk do të thotë të hapësh mekanikisht një librec a të marrësh ca njohuri. Të jesh i krishterë do të thotë të jesh pjellor në transmetimin e fesë, ta lindësh fenë, “ashtu si Kisha, që është Nënë e lind bij në fe”.

“Ta transmetosh fenë nuk do të thotë të japësh informacione, por të themelosh një zemër në fe, në Jezu Krishtin. Transmetimi i fesë nuk mund të bëhet mekanikisht: ‘Epo, na, merre këtë librec, studioje mirë e mirë e pastaj të pagëzoj’. Jo! Nuk është kjo, udha e transmetimit të fesë. Është tjetër: duhet të transmetojmë atë, që e morëm. Kjo është sfida e të krishterit: të jetë pjellor në përçimin e fesë. E po kjo, edhe sfida e Kishës; të jetë nënë pjellore, të lindë fëmijë në fe”.

Feja është trashëgimi më i madh

Trashëgimi më i bukur, që mund t’u lëmë të tjerëve, është feja: këtë kujtoi Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës mё 4 shkurt 2016. Në homeli mes tjerash Ati i Shenjtë Bergoglio shtoi: “Kur bëjnë testamentin, njerëzit thonë: ‘Këtij i lë këtë, atij atë e atë…’. Po, nuk është keq, por trashëgimi më i madh, që mund të lërë një burrë, një grua, është feja… Kur, në kremtimin e Pagëzimit tё një fëmije u japim prindërve qiriun e ndezur, dritën e fesë, e shoqërojmë me fjalët: “Ruaje, bëje të rritet në zemrën e birit tënd, bijës sate e lëre trashëgim”. Ta lësh trashëgim fenë: këtë na mëson Kisha.

Zoti është besnik, është Atë e nuk të zhgënjen kurrë

Na bën mirë ta pyesim veten, shton Papa: “Cili është trashëgimi, që lë me jetën time?”: “Lë trashëgimin e një burri, të një gruaje të fesë? A ua lë të mive këtë trashëgim? T’i lypim Zotit dy gjëra: e para, të mos kemi frikë nga hapi i fundit, ashtu si murgesha imcake e së mërkurës, e bindur se po përfundonte një udhë, për të nisur një tjetër, më të mirë e krejt pa frikë; e dyta, të mund ta lëmë, me jetën tonë, trashëgimin më të mirë, fenë, fenë në Zotin besnik, Zotin që e kemi gjithnjë pranë, Hyjin, që është Atë e nuk të zhgënjen kurrë”.

Çdo fe e vërtetë e zhvillon njeriun

Rëndësia e fesë, në pyetjen e katërt. “Feja – pohoi Papa Françesku mё 18 dhjetor 2017, duke folur në lidhje video nga Vatikani, me studentët e Universitetit Sofia të Tokios – nuk është ndonjë shpikje teatrale, por lind nga dëshira e zemrës njerëzore për të dalë nga vetvetja e, pikërisht në këtë përpjekje, gjen Zotin”. “Çdo fe të zhvillon. Nëse dikush thotë se është fetar, por nuk zhvillohet e nuk është në shërbim të të tjerëve, është idhujtar. Kërkon vetëm fitime nga pozita fetare”. Adhurimi i Zotit dhe shërbimi ndaj të tjerëve janë karakteristikat e të krishterit të mirë, sipas Papës Françesku, i cili pranoi edhe se në çdo fe ka një grup të vogël fundamentalistësh, që nuk i përgjigjen idealit të fesë, por çojnë në rrugën e terrorizmit.

06 korrik 2020, 11:32