Kërko

 Shtegtim drejt Santiagos së Kompostelës Shtegtim drejt Santiagos së Kompostelës 

Papa falënderon një të ri të gjymtuar, shtegtar në Santiago

Një i ri me kufizime fizike, shtegton drejt Santiagos. “Ece përkrah me shpresën” - i kujton Papa në një letër, duke e falënderuar për guximin.

R. SH. - Vatikan

Quhet Alvaro Calvente, 15 vjeç, me origjinë nga Malaga e Spanjës e vuan nga kufizime intelektive. Pavarësisht nga sëmundja, aspak e lehtë, Alvaro  u nis për udhën e gjatë, që njihet me emrin “Shtegtimi i Santiagos”, i shoqëruar nga i ati dhe një mik i familjes. Ngjarje jo e zakonshme, që u përhap menjëherë aq, sa të arrinte edhe në Shën Martë, te Papa. E Françesku i shkroi menjëherë një letër,  botuar në  kanalin e internetit të dioqezës së Malagës, përmes së cilës e përgëzon të riun dhe e falënderon për dëshiminë e tij guximtare.

“I dashur Alvaro – i shkruan Papa - mora një letër nga babai yt, në të cilën më  shkruan se shtegtove drejt Santiagos e se në çantën e shtegtarit mbarte jo vetëm ndjetet tuaja, por edhe ato të shumë njerëzve,  që “u bashkuan me ty” në shtegtim, duke të kërkuar lutje për jetën e tyre. Faleminderit për guximin që more të ecësh e për ftesën, që u bëre edhe shumë të tjerëve të ecin me ty - shton Françesku. “Në atmosferën e trishtë të pandemisë, që po e jetojmë, me sinqeritetin tënd, me gëzimin, thjeshtësinë, arrite t’ua ngjallësh shpresën një mori njerëzish, që i takove gjatë rrugës ose përmes mjeteve shoqërore të komunikimit”.

Kujtojmë se babai i Alvaros e bëri të njohur këtë shtegtim, aspak të zakonshëm, në Twitter, përmes account@CaminoAlvaro.

“U nise për shtegtim e i bëre shumë të tjerë të ecin pas tejet, si shtegtarë,  duke i inkurajuar të mos kishin frikë e të galdonin nga gëzimi, sepse  gjatë shtegtimit nuk jemi kurrë vetëm - shkruan akoma Françesku - Zoti ecën gjithnjë përkrah nesh. Faleminderit për dëshminë tënde e për lutjet tuaja”- shkruan Papa - që e përfundon letrën me bekimin e tij e me lutjen, drejtuar Zojës së Karmelit, si dhe me një kërkesë: “Mos harro të lutesh për mua!”.

I shtati ndër dhjetë vëllezër, Alvaro jeton në distriktin e Huelin. Është anëtar i Bashkësisë Neokatekumenale të famullisë vendase të Shën Patrikut. Pavarësisht nga gjymtimi - shpjegon dioqeza e Malagës - i riu merr pjesë aktive në jetën e famullisë, madje “përvoja  e fesë së tij, plot me gëzim, është dëshmi për të gjithë ata, që e njohin”.

E tani, të riun e gjymtë në shtegtim e njohin edhe më shumë njerëz, të shëndoshë e të sëmurë, në mbarë botën.  

24 korrik 2020, 08:58