Kërko

 Papa me Mario Draghin Papa me Mario Draghin 

Papa emëron Mario Draghin në Akademinë e Shkencave Shoqërore

Profesor Mario Draghi, profesor Morandè Court dhe profesoresha Kokunre Adetokunbo Agbontaen Eghafona janë tre anëtarët e rinj të Akademisë Papnore të Shkencave, emëruar nga Papa Françesku.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi tre anëtarë  të rinj të Akademisë së Shkencave Shoqërore. Janë: Profesor Mario Draghi, ish-President i Bankës Qendrore Evropiane dhe dy pedagogë universitarë: kiliani Morandè Court dhe nigeriania Kokunre Adetokunbo Agbontaen Eghafona.

Mario Draghi

lindi në Romë, më 13 shtator 1947. U diplomua në Politikën Ekonomike pranë Universitetit  “La Sapienza” e u doktorua  në ekonomi pranë Massachussetts Institute of Technology. Kreu shumë detyra të rëndësishme, duke nisur nga ajo e pedagogut të Ekonomisë e Politikës Monetare, pranë Fakultetit “Cesare Alfieri” të Universitetit të Firencës, më 1981. Më pas qe Drejtor Ekzekutiv i Bankës Botërore si dhe Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Thesarit të Qeverisë italiane. Ishte Guvernator i Bankës së Italisë nga viti 2005 deri më 2011 dhe President i Financial Stability Board nga 2006 deri më 2011, kur u emërua President i Bankës Qëndrore Evropiane, deri më 2019. Është anëtar i Këshillit administrativ të Institutit for Advanced Study (IAS) dhe i Grupit të 30-tëve (G30). E duhet kujtuar edhe si autor i shumë studimeve me temë nga makroekonomia, tek ekonomia  ndërkombëtare dhe politika monetare.

Pedro Morandé Court

Pedagog nderi i Sociologjisë pranë Universitetit katolik  të Kilit,  Pedro Morandé Court lindi në Santiago të Kilit, më 3 gusht 1948. Eshtë i diplomuar në Sociologji pranë Universitetit Papnor Katolik të Kilit (UC)  si dhe pranë Universitetit “Friedrich-Alexander” di Erlangen-Norimberg, (Gjermani). Nga viti 1995 deri më 2014 kreu shumë detyra të rëndësishme në lëmin e shkencave shoqërore. Sot, profesor nderi, vijon të botojë një mori artikujsh me shumë rëndësi lidhur me familjen dhe identitetin kulturor për Amerikën Latine.   

Kokunre Adetokunbo Agbontaen Eghafona

E lindur më 1 tetor 1959, në Londër, studioi në Universitetin e Beninit, në Benin City të Nigerisë. U diplomua në histori e më pas ndoqi me radhë  Master of Arts, Master of Science në Arkeologji e Antropologji, pranë University of Ibadan, në Ibadan, gjithnjë në Nigeri.

Është pedagoge pranë Departamentit të Sociologjisë dhe Antropologjisë që nga vitit 1992. Sot ka një mori titujsh shkencorë. Është autore e shumë shkrimeve me karakter akademik. Veprimtaritë e saj aktuale përfshijnë edhe masat për të luftuar tregtinë e qenieve njerëzore në Nigeri.

10 korrik 2020, 13:14