Kërko

Vatican News
La parabola del Buon Samaritano vangelo della domenicaaem.jpg La parabola del Buon Samaritano vangelo della domenicaaem.jpg 

Papa do tё gjykohemi nё saje tё dhembshurisë qё kemi pasur

Papa: “Në ditën e gjykimit ne nuk do të gjykohemi për idetë tona, por për dhembshurinë që kemi pasur”.

R.SH. - Vatikan

“Në ditën e gjykimit ne nuk do të gjykohemi për idetë tona, por për dhembshurinë që kemi pasur”. Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, sot 14 korrik 2020, botuar nё faqen e internetit @Pontifex.

Të jemi dhembshuria e Zotit për të varfërit

“Shenjë e mjet i dashurisë së Zotit për çdo njeri, posaçërisht për më të ligshtit e më të papërfillurit e shoqërisë. Dashuria e krishterë për të varfërit nuk fle mbi dafinat e prestigjit, por niset e shkon me nxitim tek nevojtarët. Këtë u kërkoi Françesku ta dëshmojnë anëtarëve të Rrethit të Shën Pjetrit, në audiencën e 9 majit 2016, në Vatikan. E Papa Françesku u tregoi modelin e Marisë Virgjër, që u nis pa pritur ftesë të veçantë, në ndihmë të së kushërirës. Ashtu si Maria Virgjëra shkoi tek Elizabeta, edhe ju duhet të rendni drejt atyre, që kanë nevojë për ndihmë, i porositi Papa.

Kemi nevojë për “një Kishe, që ecën për të kërkuar, për të vizituar, për të takuar, për të dëgjuar, për të qenë pranë, për të ndarë gjithçka me njerëzit më të varfër, kujtoi Françesku. Secilit nga ju i kërkohet jo vetëm të shkojë t’i takojë  më nevojtarët, por të shkojë tek ata, për t’u çuar Jezusin. Ju kërkohet të shkoni si dishepuj, si miq të Zotit;  të shkoni për të ndarë me tё varfrit Fjalën e Tij tё Mirё, atë të Ungjillit, për të përsëritur gjestet e Tij të faljes, të dashurisë, të dhurimit, pa kërkuar asnjë nderim, por vetëm të mirën e të tjerëve”.

Zemra e fesë është dhembshuria për njeriun që vuan

“Nuk është e thënë që kush e ndjek shtëpinë e Zotit, di edhe të dojë të afërmin”. Mëshira, ajo që vjen nga Zoti, është aftësi për ta ndihmuar me dhembshuri njeriun që vuan, jo ndjenjë e vakët. Ky, mësimi që i propozoi Papa Françesku besimtarëve, në audiencën e përgjithshme tё 27 prillit 2016, kushtuar shëmbëlltyrës ungjillore të Samaritanit të Mirë. I afërmi i vërtetë - tha Papa - është ai, që di t’i afrohet të vuajturit, për t’ia lehtësuar dhembjen.

Dhembshuria është karakteristikë e zemrës së Zotit

Ndoshta asnjë shëmbëlltyrë, si kjo e Samaritanit të Mirë, nuk i jep një formë  kaq tripërmasshe fjalës “dhembshuri”. “Të mos harrojmë kurrë: përballë vuajtjes së një mori njerëzish gjysmë të vdekur nga uria, nga dhuna e nga padrejtësitë, nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir duarkryq. Kjo do të thotë t’i mbyllësh sytë para vuajtjes së njeriut. Do të thotë t’i mbyllësh sytë para vetë Zotit, ta injorosh”.  Nëse unë nuk i afrohem atij burri, asaj gruaje, atij fëmije, atij plaku, asaj plake, që vuan, nuk i afrohem vetë Zotit.

Ungjilli na kujton se samaritani është njeri i afërsisë, njeri, që preket thellë në shpirt, kur e shikon tjetrin të katandisur në atë gjendje të mjerueshme, njeri, që e ndërpret shtegtimin, sepse di të vuajë për dhe me tjetrin. Samaritani është njeri, zemra e të cilit rreh me ritmin e zemrës së vetë Zotit:

“Dhembshuria është karakteristikë themelore e zemrës së Zotit. Zoti ka mëshirë për ne. Ç’do të thotë kjo? Vuan me ne, i ndjen vuajtjet tona. E në gjestet dhe veprimet e samaritanit të mirë, shikojmë pikërisht veprimin mëshirëplotë të vetë Zotit në gjithë historinë e shëlbimit. Është e njëjta dhembshuri, me të cilën e ndjek Zoti secilin nga ne: Ai nuk shtiret sikur s’ na shikon, na i njeh të gjitha dhembjet, e di sa kemi nevojë për ndihmë e ngushëllim. Na vjen pranë e nuk na braktis kurrë”.

Jo ndjenja të vakta

Pra, rikujtoi  Papa,  është samaritani - për të cilin  askush nuk do të  pandehte se mund të sillej në atë mënyrë - ai që ka mëshirë e dhembshuri për të plagosurin, që e ndihmon e që  i siguron, nga xhepi i vet, gjithçka ka nevojë për ta rimarrë veten: “E gjithë kjo na mëson se dhembshuria, dashuria, nuk është ndenjë e vakët. Dhembshuri do të thotë të kesh kujdes për tjetrin, si për vetveten. Do të thotë t’i bësh të gjitha hapat e nevojshme për t’iu afruar tjetrit aq, sa  të njëjtësohesh me të”

I afërmi i vërtetë

Në Ungjill, shëmbëlltyra e samaritanit i drejtohet doktorit të Ligjit, që kërkon nga Jezusi një lloj “rregulli” për të vendosur, pastaj, kush mund të quhet “i afërm”, domethënë për ta dalluar të drejtin nga i padrejti. Në përfundim të historisë, pyetja përmbyset: “Kush ishte - pyet Krishti - i afërmi i njeriut të sulmuar nga hajdutët?”: “Jezusi e kthen përmbys perspektivën: mos rrini duke klasifikuar të tjerët, për të parë kush është i afërt e kush jo! Ti mund të bëhesh i afërmi i çdo nevojtari që takon, e do të jesh i afërm, në se zemra jote është plot me dhembshuri, domethënë, ka aftësi të vuaj bashkë me tjetrin”.

Papa kujtoin impenjimin e Kishës Katolike në shërbimin për të varfërit, për refugjatët e familjet, sidomos për mbrojtjen e dinjitetit të patjetërsueshëm dhe të të drejtave të çdo njeriu: “Ne të krishterët besojmë se Jezusi na thërret t’u shërbejmë vëllezërve dhe motrave tona, të kujdesemi për të tjerët, pavarësisht nga prejardhja e tyre apo nga rrethana të tjera. Megjithatë, kjo nuk është diçka, që i dallon vetëm të krishterët, por është thirrje universale, e rrënjosur në humanitetin tonë të përbashkët, diçka që e kemi brenda si njerëz!”. Sipas Papёs “përvujtëria e dhembshuria nuk janë virtyte të njerëzve të ligshtë, por të atyre, që janë të fortë”. 

14 korrik 2020, 09:00