2018.08.16 Famiglia, genitori, bambini, serenita, felicita 2018.08.16 Famiglia, genitori, bambini, serenita, felicita 

Papa: dashuria ndaj prindërve dhe fëmijëve buron nga dashuria e Zotit

Papa: “Kur dashuria ndaj prindërve dhe fëmijëve gjallërohet e përtërihet nga dashuria e Zotit, ajo pastaj bëhet plotësisht e frytshme dhe jep frute të mira në #familje dhe shumё mё larg saj”.

R.SH. - Vatikan

“Kur dashuria ndaj prindërve dhe fëmijëve gjallërohet e përtërihet nga dashuria e Zotit, ajo pastaj bëhet plotësisht e frytshme dhe jep frute të mira në #familje dhe shumё mё larg saj”. Kёshtu shkruan Papa Françesku nё njё tweet, sot 21 korrik 2020, botuar nё faqen e internetit @Pontifex.

Familja është shkolla e parë e dashurisё

Në një familje të krishterë, mësojmë shumë virtyte. Sidomos mësojmë të duam pa kërkuar e pa pritur asgjë në këmbim. Përmes familjes konkretizohet dhurata e Hyjit, në impenjimin e ndërsjelltë e në shërbimin ndaj shoqërisë. Në këtë mënyrë, familjet janë si tharmi, që ndihmon në zhvillimin e një bote më njerëzore, më vëllazërore, ku tё gjallёruar nga dashuria, askush nuk ndjehet i refuzuar, ose i braktisur.

Prandaj, Kisha i fton familjet tё jetojnë në dritën e Familjes së Shenjtë të Nazaretit. Familja   është Kishë shtëpiake e duhet të jetë shkolla e parë e dashurisё dhe e uratës. Në familje fëmijët, qysh nga mosha e njomë, mund të mësojnë ta perceptojnë vlerën e dashurisё  sё Zotit, falë mësimit dhe shembullit të prindërve të tyre, ata mund të jetojnë në atmosferën e pranisë së Zotit. Një edukim vërtet i krishterë nuk mund të heq dorë nga përvoja e përjetimi i dashurisë, shërbimit, respektit, lutjes etj.

Nëse dashuria nuk përjetohet e mësohet në familje, më vonë është shumë vështirë të plotësohet kjo zbrazëti. Për këtë arsye Papa Françesku bën thirrje të “rizbulohet bukuria e dashurisë së përbashkët si familje”, sipas shembullit të Familjes së Shenjtë të Nazaretit, e kështu të bëhemi e të jemi më të vërtetë një zemër e një shpirt i vetëm, një familje e vërtetë. Kisha na kujton se pikërisht përmes vatrës familjare ne mësojmë ta duam Zotin dhe tjetrin. Familja e Shenjtë “është shkollë ku mësohet dashuria, dëgjimi, kujdesi, solidariteti.

“Familja e gjallëruar nga dashuria na shpëton prej shumë sulmeve, shkatërrimeve e madje edhe kolonizimeve, si ato të dinarit apo ato ideologjike që sot e kërcënojnë botën”: Kёshtu pati pohuar Papa gjatё Audiencës së Përgjithshme tё 16 shtatorit 2015, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë së cilën mbajti reflektimin përmbyllës të një cikli të katekizmit mbi temën e martesë dhe të familjes, në kuadrin e sinodit që u zhvillua gjatё tetorit 2015, kushtuar pikërisht familjes.

“Familja – pohoi me atё rast Ati i Shenjtë Bergoglio – është bazë për t’u mbrojtur” e kundërvë atyre që “disponojnë mjete ë mbështetje mediatike shumë të madhe”. Aleanca ndërmjet burrit e gruas, për Papën Bergoglio, pra, “është jo vetëm e nevojshme por strategjike për emancipimin e popujve nga kolonizimi i dinarit”. Sipas Papa Bergoglio-s, “periudha aktuale që po kalon qytetërimi duket e është karakterizuar nga efektet me afat të gjatë të një shoqërie të administruar nga teknokracia ekonomike” e këndej kundërshtari që duhet luftuar është “vartësia e etikës nga logjika e përftimit”. 

Vlerat etike nuk mund të varën nga logjika e prodhimit dhe përfitimit. “Në këtë panoramë – theksoi Papa – një aleancë e re e burrit dhe e gruas duhet të rivendoset e ta orientojë politikën, ekonominë dhe bashkëjetesën civile! Ajo përcakton banueshmërinë e tokës, transmetimin e ndjenjave të jetës, lidhjet e memories e të shpresës”.

“Nga kjo aleancë – vijoi Papa – komuniteti bashkëshortor-familjar i burrit dhe gruas është gramatikë gjenerative, mund të themi ‘nyjë e artë’. Feja ushqehet nga urtia e krijimit të Hyjit: i cili familjes i ka besuar jo kujdesin e një intimiteti si qëllim në vetvete, por projektin emocionues për ta bërë botën vatër shtëpiake” tё ushqyer nga dashuria.

Prindërit janë rojtarë tё fëmijëve, jo pronarë

Papa Françesku e ka shumё pёrzemёr familjen, nёnvizon rolin dhe misionin e saj nё shoqёri e nё Kishё dhe inkurajon familjet tё frymëzohen vazhdimisht nga dashuria  qё karakterizonte Familjen Shenjte tё Nazaretit. Kёshtu, gjatë lutjes sё Engjëllit tё Tёnzot tё 31 dhjetorit 2017, nё tё dielën e parё pas Krishtlindjes, nё tё cilёn Kisha kremtonte pikërisht, Familjen Shenjte tё Nazaretit, Papa Françesku i ftoi familjet tё reflektojnë mbi eksperiencën e jetuar nga Maria, Jozefi e Jezusi, tё cilёt rriteshin sё bashku si familje në dashurinë e anasjelltë dhe nё besimin mbështetur nё Hyjin”. E me kёtё rast Papa u kujtoi “tё gjithë prindërve se janë rojtarë tё jetës sё fëmijës, jo pronarë, e duhet ta ndihmojnë tё rritet e tё pjekët”.

Ati i Shenjtë Bergoglio nënvizoi se si Jezusi “erdhi pёr t’i hedhur poshtë imazhet tona njerëzore që kemi pёr Zotin e edhe pёr vetveten tonë; erdhi pёr t’i ‘kundërshtuar’ siguritë tona mondane mbi tё cilat pretendojmë tё mbështetemi; pёr të na ndihmuar tё ‘rilindemi’ nga dashuria dhe tё vihemi sërish udhës së vërtet njerëzore e tё krishterë, mbështetur mbi vlerat e Ungjillit. Nuk ka situatë familjare qё ta ketë tё mbyllur rrugën e re drejt rilindjes e ringjalljes. Çdo herё qё familjet, edhe ato qё janё me plagë, brishtësi, dёshtime dhe vёshtirёsi, kthehen tek gurra e eksperiencës sё krishterё, tek dashuria e Zotit, mund tё gjejnё udhё tё reja e mundёsi tё pamenduara” pёr njё jetё tё lumtur brenda vetё familjes e edhe përtej saj.

Familja burim i nevojshëm për kulturën e solidaritetit

Familja si burim i duhur për të ushqyer solidaritetin. E vërtet, “pikërisht në familje, me tërë aftësinë e saj specifike e unike, kemi aftësinë për të formuar çdo anëtar, posaçërisht tё vegjlit, të rinjtë, si njerëz dashamirës, të aftë të flijohen, të angazhohen e të jenë besnikë, në mënyrë që Kisha dhe shoqëria të mund të gjejnë burimet e duhura për përtëritjen dhe ndërtimin e kulturës së solidaritetit” nё shoqëri. Kёshtu u pati thёnё Papa ipeshkvijve afrikanë të Konferencës Ipeshkëvnore të Malàvit, mё 6 nёntor 2014, me rastin e vizitës së tyre ‘ad limina apostolorum’ në Vatikan. Kisha ka pёr mision tё kujdeset me tё gjitha energjitë pёr “aspektet e jetës familjare si fëmijërinë e rininë, miqësinë, jetën martesore të të martuarve, besnikërinë e dashurinë, marrëdhëniet ndërpersonale dhe mbështetjen e familjes“.

Fëmijët nuk duhen trajtuar kurrë si pengje

Prindërit duhet ta marrin mbi vete rolin e  tyre edukativ, që fëmijët të rriten plot përgjegjësi për vete e për të tjerët. E, kur prindërit ndahen, fëmijët nuk duhen marrë kurrë “peng”. Këto, porositë kryesore të Papës në audiencën e përgjithshme të 20 majit 2015, gjatë së cilës vijoi reflektimin kushtuar familjes dhe thirrjes së saj të natyrshme për edukimin e fëmijëve.

Lidhur me edukimin e fëmijëve, Papa Françesku pohoi se ka ardhur koha që etërit e nënat të rikthehen nga “mërgimi” ku janë mbyllur e ta luajnë përsëri rolin e tyre, tё frymëzuar e tё ushqyer nga dashuria e Zotit, që të rinjtë të rriten plot me përgjegjësi ndaj vetes e të tjerëve. I nxiti, kështu, prindërit, duke përshëndetur një mori familjesh të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit gjatё audiencës sё përgjithshme të 20 majit 2015, duke nënvizuar se sot lidhja e prindërve me fëmijët duhet të jetë e urtë dhe e ekuilibruar. Në këtë lidhje, fëmijët duhet t’i dëgjojnë prindërit, gjë që i pëlqen Zotit, por edhe prindërit duhet të jenë të kujdesshëm e të mos i acarojnë fëmijët.

Më pas Papa foli posaçërisht për punën edukative të prindërve në kohët tona, duke theksuar se në këtë fushë kaq delikate, nuk mungojnë vështirësitë: “Është e vështirë puna edukative për prindërit, që i shikojnë fëmijët vetëm në darkë, kur kthehen në shtëpi, të lodhur e të këputur nga puna! Ata që kanë fat të kenë punë, natyrisht! E akoma më vështirë e kanë prindërit e ndarë, mbi të cilët peshon rëndë barra e kësaj gjendjeje”.

Kur ndahen, prindërit nuk duhet t’i marrin kurrë fëmijët si peng

Por shpesh herë, vërejti Papa duke kujtuar ato, që i quajti “martesa të ndara”, fëmija merret peng nga prindër, që s’bëjnë tjetër veçse të flasin keq për njeri-tjetrin: “Kurrë, kurrë, kurrë nuk duhen marrë fëmijët si pengje! Ju u ndatë për një mori vështirësish e shkaqesh. Jeta ju vuri në këtë provë: por fëmijët nuk duhet ta mbartin barrën e kësaj ndarjeje, fëmijët nuk duhen përdorur kurrë si pengje nga njëri bashkëshort, kundër tjetrit. Fëmijët duhen rritur duke e dëgjuar nënën, që flet mirë për babain, edhe pse nuk jetojnë bashkë, e babain, që flet mirë për nënën”.

Kriza ndërmjet shoqërisë e familjes

Nga ana tjetër, shtoi, është hapur një hendek i thellë ndërmjet familjes e shoqërisë, familjes e shkollës, sepse besëlidhja edukative është thyer: “Besa edukative e lidhur ndërmjet shoqërisë e familjes, ka hyrë në krizë, sepse është minuar besimi reciprok”. Intelektualë ‘kritikë’ të të gjitha ngjyrave, vërejti, ua kanë mbyllur gojën prindërve në njëmijë mënyra, duke arritur deri atje, sa ta quajnë të dëmshëm edukimin familjar.

Familja, vijoi Papa, akuzohet për ‘autoritarizëm, favoritizëm, konformizëm, ndrydhje të ndjenjave. E kjo shkakton konflikte të vazhdueshme me prindërit, të cilët detyrohen vetëm të dëgjojnë, të mësojnë e t’u përshtaten mësimeve të ekspertëve. Këta soj njerëzish, shtoi Papa, kanë zënë vendin e prindërve edhe në aspektet më intime të edukimit, duke bërë që etër e nëna, rënduar keqas nga një mori vërejtjesh, të arrijnë deri atje, sa të mos i qortojnë kurrë fëmijët: “Priren gjithnjë më shumë për t’u besuar ekspertëve, edhe për aspektet më delikate e personale të jetës së tyre, duke  mos i besuar më vetes, e kështu prindërit ndodhen para rrezikut të vetëpërjashtimit nga jeta e bijve të tyre”.

Një episod personal

Duke cituar, siç ndodh shpesh, ngjarje personale, Papa kujtoi se kur ishte fëmijë, i pati thënë një fjalë të keqe mësueses: u thirr menjëherë nëna e cila, me shumë ëmbëlsi, e ftoi t’i kërkonte ndjesë, duke pritur kthimin në shtëpi, për t’u marrë përsëri me këtë çështje: “Sot, nëse mësuesja bën një gjë të tillë, të nesërmen njëri nga prindërit apo të dy, ia behin në shkollë, për ta qortuar, ngaqë specialistët thonë se fëmijët nuk duhen cënuar kurrsesi. Kanë ndryshuar kohët e punët! Por kjo nuk duhet të ndikojë mbi prindërit, që nuk duhet të vetëpërjashtohen kurrë nga edukimi i fëmijëve”.

Prindërit i shpërblejnë gabimet me dashuri

Është e qartë se kjo mënyrë veprimi jo vetëm që nuk ndihmon për bashkëpunimin e familjes me institucionet e tjera edukative, por, përkundrazi, krijon kundërvënie. Natyrisht, vijoi Papa, disa modele edukative të së kaluarës, kishin edhe kufizimet e veta, por nuk duhet harruar se ka gabime që vetëm prindërit autorizohen t’i bëjnë, sepse mund t’i shpërblejnë me dashurinë e tyre pa fund, me atë dashuri që na e dhuron vetë Zoti.

Për fat të keq sot koha është bërë tepër koprrace: nuk krijon më mundësi për të folur, për të reflektuar, për t’u ballafaquar, sepse shumë prindër janë sekuestruar nga puna, bezdisen nga kërkesat e fëmijëve e nga ndërlikimet e jetës së përditshme: prej këndej, ndjehen si të paralizuar, gjithë frikë se mos gabojnë. Ndihma dhe mbështetja, atëherë, mund të vijnë nga bashkësitë e krishtera, përmes dritës së Fjalës së Zotit: “Edhe në familjet më të mira, anëtarët duhet ta durojnë njëri-tjetrin, duhet shumë e shumë durim. Durim për ta mbartur tjetrin. Pastaj duhet shumё dashuri, njё dashuri qё ushqehet e pёrforcohet nga dashuria e Zotit. Po kështu është vetë jeta, jeta nuk bëhet në laborator, bëhet e ndёrtohet në realitetin e gjesteve tё përditshme, nё dashurinё e anasjelltë. Edhe vetë Jezusi u edukua në gjirin e familjes”.

21 korrik 2020, 11:34