Ndjeti i lutjes së korrikut: Papa u bën thirrje shteteve të mbrojnë familjet

Në Videon e Papës, që paraqet ndjetin e lutjes së këtij muaji, Ati i Shenjtë vë theksin mbi çastet e vështira, që përjetojnë familjet e sotme, mbi stresin që u shkakton bota në krizë, duke kërkuar “të shoqërohen me dashuri, respekt e këshilla”.

R.SH. - Vatikan

U bë e njohur sot Videoja e Papës, me të cilën Ati i Shenjtë njofton ndjetin e tij të lutjes për muajin korrik. Kësaj radhe, Françesku e përqendron vëmendjen mbi familjet e këtyre kohëve, që po kalojnë çaste shumë të vështira, për shkak të pandemisë së koronavirusit, por edhe për shkak të vështirësive ekonomike, rrjedhur prej saj. Me këtë shqetësim në mendje, Papa u kërkon të gjitha shteteve të botës t’i mbrojnë familjet, ndërsa Kishës, “t’i shoqërojë me dashuri, respekt e këshilla”.

Pak kohë në dispozicion për familjet

 Realiteti i familjeve të sotme është i ndryshëm nga ai i së kaluarës. Të zhytura në një kulturë, që u lë gjithnjë e më pak kohë në dispozicion, puna e tepërt, nganjëherë, ua kufizon hapësirën për të ndjenjur së bashku e, në disa raste, edhe lidhja e vazhdueshme në internet i pengon marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve. Shumë familje ndihen të vetmuara dhe vuajnë në heshtje. Në këto kohë krize, kur fillojnë të shihen pasojat shoqëroro-ekonomike të pandemisë - siç është humbja e punës, ose vështirësia në pagesën e qirave apo të kredive për shtëpinë - bëhet gjithnjë e më e qartë se as individët dhe as shoqëria nuk mund të mbijetojnë pa familjen. Kjo është arsyeja pse shtetet duhet të promovojnë politika, që e mbrojnë atë.

Prindërit harrojnë të luajnë me fëmijët

Në Videon për ndjetin e lutjes së këtij muaji, Papa thekson se këto lloje situatash janë, ndër të tjera, edhe “rreziqe, me të cilat përballet sot familja, duke shtuar probleme, që lidhen me bashkëjetesën e përditshme”: “Nganjëherë – nënvizon Ati i Shenjtë - prindërit harrojnë të luajnë me fëmijët e tyre”. Për këtë arsye, Papa Bergoglio thekson nevojën që Kisha “t’i inkurajojë familjet dhe t’u qëndrojë pranë, duke i ndihmuar të zbulojnë rrugë, që u japin mundësi t’i kapërcejnë të gjitha këto vështirësi”.

Familja nuk është thjesht, çështje private

Edhe herë të tjera, Papa ka nënvizuar se “familja është baza e shoqërisë dhe mbetet struktura më e përshtatshme për t’u siguruar njerëzve të mirat e gjithanshme të nevojshme për zhvillimin e tyre të vazhdueshëm”. Prandaj, në përfundim të ndjetit të lutjes, u bën thirrje të gjitha shteteve të botës ta mbrojnë familjen, pasi ajo nuk është thjesht, çështje private, por shoqërore. Të lutemi për këtë ndjet do të thotë të vihemi për udhë, në shërbim të familjeve tona, duke mbështetur edhe ato shoqata, që i ndihmojnë të përballojnë sfidat, pasi lutja e vërtetë mishërohet në jetën e përditshme. E gjatë muajit të korrikut, t’i kushtojmë çdo ditë pak kohë familjeve tona; secili e di sa e rëndësishme është kjo.

Teksti i plotë i ndjetit të lutjes së Papës Françesku për korrikun:

“Familja ka nevojë të mbrohet. Të shumta janë rreziqet, që përballon: ritmi i jetës, stresi… Nganjëherë, prindërit harrojnë të luajnë me fëmijët e tyre. Kisha duhet t’i inkurajojë familjet e t’u qëndrojë pranë, duke i ndihmuar të zbulojnë rrugë, që u japin mundësi t’i kapërvejnë këto vështirësi. Të lutemi që familjet e sotme të shoqërohen me dashuri, respekt e këshilla e, në veçanti, të mbrohen nga shtetet”.

02 korrik 2020, 17:02