Kërko

 Mesha e kremtuar nga Papa në përvjetorin e vizitës në Lampeduzë Mesha e kremtuar nga Papa në përvjetorin e vizitës në Lampeduzë 

Me Papën, gjatë një jave

Kujtojmë dy nga ngjarjet më të rëndësishme papnore të javës: Meshën e Françeskut shtatë vjet pas shtegtimit të tij në Lampeduzë dhe emërimin e anëtarëve të rinj të Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar.

R. SH. - Vatikan

Papa: rrëmimi i ndërgjegjes për emigrantët e ferrin e Libisë

Shtatë vjet pas shtegtimit të tij në Lampeduzë, të mërkurën e kaluar, më 8 korrik, Papa u kërkoi besimtarëve “ta rrëmojnë ndërgjegjen”, duke kujtuar situatën në të cilën jetojnë migrantët në skëterrën e Libisë. Skëterrë - kujtoi - që e njohim vetëm në variantin e saj të distiluar:  

“Kultura e mirëqenies na bën të mendojmë veç për vetveten. Na bën të shurdhër për britmën e të tjerëve! Na bën të jetojmë në flluska sapuni, që janë plot larushi, plot ngjyra. Por tejet të përkohshme. Të ushqejnë vetëm indiferencën ndaj të tjerëve. Madje, indiferencën globale (Homelia në Lampedusa, 8 korrik 2013).

Më pas, kujtimi i hidhur i ferrit të Libisë: “Lufta është e keqe, po në këtë takim mësova se ne nuk mund as ta përfytyrojmë ferrin, që jetohet atje, në atë kamp përqendrimi. E këto njerëz janë aty vetëm me shpresën për të kapërcyer detin!’.

 E, duke folur për takimin e Apostujve të parë me Zotin, Papa kujtoi se edhe ne, dishepuj të mijëvjeçarit të tretë, mund ta takojmë personalisht. Në kërkimin e etshëm të Tij, mund ta shikojmë në fytyrën e të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve e të huajve, që Zoti i vë në shtegun tonë. E ky takim bëhet edhe në kohën tonë hir e shpëtim, siç ishte për Apostujt e Krishtit.

Ndërmjet kardinajve të rinj, të emëruar nga Papa në Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar, janë Tagle, Czerny ed Hollerich. Ndërsa ndër anëtarë, kryeipeshkvi i Tiranës, imzot George Frendo.

Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar: Papa Françesku zgjedh anëtarë të rinj

Papa Françesku emëroi Anëtarët e rinj  të Këshllit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Dekreti i Atit të Shenjtë u nënshkrua më 19 marsin e kaluar, por u bë i njohur të mërkurën e kaluar, më 8 korrik.

U rizgjodhën Kardinali Luis Antonio Tagle, Prefekt i Kongregatës për Ungjllëzimin e Popujve e, kohët fundit, edhe  në Urdhërin e Ipeshkvijve të Kolegjit Kardinalor; Dieudonné Nzapalainga, Kryeipeshkëv i Bangui; Louis-Marie Ling Mangkhanekhoun,Vikar Apostolik i Vientiane; Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo, Kryeipeshkëv i Xhakartës e Ipeshkëv Ushtarak për Indonezinë; Jean-Claude Höllerich, Kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe Michael Czerny, Zëvendës-sekretar i Seksionit migrantët e refugjatët, pranë Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

Përveç Tagles, të gjithë kardinajtë e tjerë u krijuan nga Françeku në koncistoret e fundit.

Njëkohësisht Papa emëroi Anëtarë të dikasterit imzotët  Lawrence Huculak, Kryeipeshkëv i Winnipeg të Ukrainëve; Felix Anthony Machado, Kryeipeshkëv-ipeshkëv i Vasai; George Frendo, Kryeipeshkëv i Tiranës; Mark Tin Win, Kryeipeshkëv i Mandalay; Jean-Marc Aveline, Kryeipeshkëv i Marsejës; Paul Yoshinao Otsuka, Ipeshkëv i Kyōtos; Thomas Chung An-zu, Kryeipeshkëv i Taipei; Raphy Manjaly, Ipeshkëv i Allahabadit; Ambrogio Spreafico, Ipeshkëv i Frosinone-Veroli-Ferentino; Michael Joseph McKenna, Ipeshkëv të Bathurst; William Hanna Shomali, Ipeshkëv titullar i Lidda-s; Denis Chidi Isizoh, Ipeshkëv titullar i Legia-s; Patrick Joseph McKinney, Ipeshkëv i Nottingham; James Massa, Ipeshkëv titullar i Bardstown; Paul Desfarges, kryeipeshkëv i Algjerit dhe Joseph Đình Đúc Đao, Ipeshkëv i Xuân Lôc.

 

 

12 korrik 2020, 09:22