Kërko

 Migrantët Migrantët 

Ku është yt vëlla? Nga Lampeduza - te Covid, sfida e vëllazërimi

Shtatë vjet pas vizitës së tij në Ishull, bëhet edhe më e ngutshme thirrja e Papës Françesku lartuar me këtë rast, për ta shikuar e për ta dëgjuar njëri-tjetrin si vëllezër. Në epokën pas pandemisë, nuk ka asnjë mundësi të shpëtojmë të vetëm: vëllazërimi është e vetmja rrugë për ta ndërtuar të ardhmen!

R. SH. - Vatikan

“Ku është yt vëlla?”, zëri i gjakut të tij arrin deri tek unë - thotë Zoti. Kjo nuk është pyetje, që u drejtohet të tjerëve. Më drejtohet mua! Të drejtohet ty. I drejtohet secilit prej nesh! Kaluan shtatë vjet nga vizita e Papës Françesku në Lampeduzë! E edhe nga kjo pyetje, drejtuar mbarë njerëzimit gjatë Meshës, kremtuar në fushën sportive të Ishullit, në zemër të Mesdheut. Shtegtim, që zgjati vetëm pak orë  e  që, megjithatë, në një farë mënyre, ishte “programatik” për Papninë. Atje, në pikën jugore të Evropës, Françesku tregoi çfarë dëshiron të thotë, kur flet për “Kishën në dalje”. E bëri të dukshëm pohimin se realiteti shihet më mirë nga periferitë, sesa nga qendra. Në mes të migrantëve të ikur nga lufta e nga mjerimi, i bëri të gjithë ta preknin me dorë ëndrrën e tij për “Kishën e varfër, në mes të varfërve”. Por në Lampeduzë kujtoi edhe Kainin e Abelin. E vuri në plan të parë pyetjen mbi vëllazërimin. Pyetje themelore për kohën tonë. Po ndoshta, edhe për çdo kohë!

Rreth boshtit të vëllazërimit sillet e gjithë papnia e Françeskut. “Vëllezër” është pikërisht fjala e parë, që i drejtoi botës Papa, mbrëmjen e 13 marsit  të vitit 2013. Përmasa e vëllazërimit, nëse mund të shprehemi kështu, është adn-ja e këtij Pape, i cili zgjodhi emrin e varfanjakut të Asizit, njeriut, që pati një titull të vetëm, “frater” -“vëlla”. Vëllazërore, edhe marrëdhëniet e tij me Papën e nderit, Benediktin XVI. Pas nënshkrimit të Deklaratës mbi Vëllazërimin Njerëzor, kjo sigël e Papnisë bëhet sigurisht shumë më e dukshme për të gjithë. E megjithatë, duke përshkuar shtatë vjetët e papnisë së Françekut, ka disa gurë kilometrikë në udhën, që çon tek nënshkrimi, së bashku me Imamin e Madh të Al Azhar, të dokumentit historik në Abu Dabi, më 4 shkurt të vitit 2019. Një udhë, që sot vijon, sepse kjo ngjarje në trojet arabe, ishte pikarritje, sigurisht, por edhe pikënisje e re.

Duke u rikthyer tek “pyetja e Lampeduzës” është posaçërisht domethënës  fakti se Papa  rikujtoi të njëjtat fjalë, që pati shqiptuar gjatë një vizite tjetër simbolike, atë të kryer në Sakrarin ushtarak të Redipuglia-s, në qindvjetorin e fillimit të Luftës I Botërore. Edhe këtu, në shtator të vitit 2014,  ushtoi përsëri, me gjithë dramaticitetin e  tij, dialogu ndërmjet Zotit e Kainit, pasi kish vrarë të vëllain, Abelin. “Ç’u bë yt vëlla? - e pyeti Zoti vëllavrasësin e parë. E ai gjegji: “E ç’më duhet mua! Thua jam rojtari i tim vëllai? (Zan 4,9). Për Françeskun, në këtë mospranim për të qenë rojtar i vëllait, i çdo vëllai, duhet kërkuar rrënja e të gjitha të zezave që trondisin jetën e njerëzimit. Kjo sjellje - nënvizoi Papa -  “është pikërisht e kundërta  e asaj, që kërkon Krishti në Ungjill”. “Kush kujdeset për vëllain, hyn në gëzimin e Zotit; po kush nuk e bën këtë, kush thotë ‘Ç’më duhet mua im vëlla’ mbetet përjashta këtij gëzimi!”.

Duke ndjekur rrjedhën e ngjarjeve të kësaj papnie, shikojmë  se përkatësia   ndaj vëllazërimit njerëzor kujtohet pambarimisht e në të gjitha format, nga marrëdhëniet ekumenike - tek ato ndërfetare; nga përmasa shoqërore, tek ajo politike. Edhe një herë figura, që e përfaqëson më mirë mendimin dhe veprimtarinë e Françeskut është poliedrike. Sepse vëllazërimi ka shumë faqe. Aq  sa janë njerëzit e marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Françesku flet si vëlla, në takimin e lutjes e të paqes në Kopshtet e Vatikanit, me Shimon Peres e Abu Mazen. “Prania Juaj” nënvizon, duke iu drejtuar liderit izraelit e atij palestinez, “është shenjë e madhe vëllazërimi, që po e bëni si bij të Abrahamit dhe shprehje konkrete e besimit në Hyjin, Zotin e historisë, që sot na shikon si vëllezër e dëshiron të na prijë në udhët e veta”.

Në emër të vëllazërimit, të gjallëruar nga feja e përbashkët në Krishtin, realizohet edhe takimi, i pamenduar pak vjet më parë, i Ipeshkvit të Romës me Patrikun e Moskës, ngjajrje e bekuar nga Patriku i Kostandinopojës, vëllai Bartolomeu I. Në Kubë Françesku e Kirilli nënshkruan një dokument të përbashkët që në incipit (fjala fillestare) nënvizon: “Me gëzim u pamë si vëllezër në fenë e krishterë,  që takohen ‘për të dëgjuar zërin e njëri-tjetrit’”. E vëllazërimi është edhe fjala kyçe, që na krijon mundësinë ta shpjegojmë një nga aktet më të forta të kësaj papnie: gjestin e gjunjëzimit për të puthur këmbët e liderëve të Sudanit të Jugut, të thirrur në Vatikan, në lutjen për paqe. “Ju të treve, që nënshkruat ‘Marrëveshjen për paqen’ - u tha Papa, i prekur thellë në shpirt, ju kërkoj, si vëlla, të jetoni në paqe! Jua kërkoj nga gjithë zemra!”.

Nëse Deklarata e Abu Dabit ishte si lulëzim i farës së mbjellë në fillim e pastaj edhe në vijim të papnisë, sigurisht “ndryshimi i epokës” që po jetojmë, i përshpejtuar nga pandemia, e bën urgjent pranimin e përgjegjësisë ndaj vëllazërimit njerëzor. “Ku është yt vëlla?”. Kjo pyetje-thirrje, e lartuar drejt qiellit mëngjesin e ndriçuar nga një diell i fortë të 8 korrikut 2013,  në Lampeduzë, është “pyetja” e sotme. Bota, e bindur se mund të ecte me këmbët e veta, ra përdhe, e paaftë për ta përballuar armikun e padukshëm. Nuk e mbajtën këmbët. Nuk mundi të ecë më. E tani nuk e ka aspak të lehtë të ringrihet në këmbë, sepse nuk gjen bazën e duhur për t’u mbështetur. E kjo bazë - përsëriti Françesku - është vëllazërimi! Aty janë themelet, mbi të cilat duhet ndërtuar për njerëzimin një shtëpi, që i bën ballë të gjitha lëkundjeve!

Koronavirusi tregoi gjithë dramaticitetin e ligështisë së mbarë kombeve, pavarësisht nga vendi që zënë në ekonominë botërore! Tregoi se të gjithë janë të pafuqishëm përballë një mënxyre, si pandemia. Kujtojmë “afreskun” e pikturuar nga  Papa mbrëmjen e 27 marsit, në Sheshin e Shën Pjetrit krejtësisht të boshatisur, vend i një adhurimi eukaristik dhe i një Urbi et Orbi,  shoqëruar vetëm nga tingëllimi vajtimtar i këmbanave, përzjerë me tingujt e borive të ambulancave. Çastin, kur Sheshi bosh buçiti nga fjalët e Françeskut: “U kujtuam se jemi mbi të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë, të çorientuar, por njëkohësisht të rëndësishëm e të nevojshëm, të gjithë të thirrur t’i luajmë së bashku remat, të gjithë nevojtarë për të ngushëlluar njëri-tjetrin. Mbi një barkë…. Të gjithë!”. Po “pikërisht kjo kohë e kapërthyer nga kriza,  e lidhur me pandeminë e Covid 19, është koha më e përshtatshme që të gjejmë guximin për një përfytyrim të ri të së mundshmes, me realizmin, që mund të na e ofrojë vetëm Ungjilli”.

Ja, pra, çka mund t’i zgjojë ndërgjegjet tona pakëz të anestetizara nga “pandemitë” e shumta, si lufta, uria, që trokitën edhe në portat tona, por që nuk na shqetësuan aq sa duhej, sepse nuk na kishin hyrë ende brenda në shtëpi”. Kemi nevojë të jemi të bashkuar, për t’u bërë ballë pandemive, që pushtojnë botën: asaj të virusit, por edhe të urisë, të luftërave, përbuzjes së jetës, indiferencës. Vetëm duke ecur së bashku, do të mund të arrijmë larg  - pati kujtuar Papa gjatë Meshës kremtuar në Shën Martë, më 14 majin e kaluar. Nuk duhet ta kthejmë kokën në anën tjetër - kjo porosia kryesore e Françeskut - sepse po të ndjehemi vërtet vëllezër, gjymtyrë të njëri-tjetrit,  ana tjetër nuk ekziston. Ana tjetër jemi ne vetë! 

08 korrik 2020, 11:26