Kërko

2020.07.27  GIOIA -  cielo - infinito - sole - spiritualità- montagna - alba- rinascità 2020.07.27 GIOIA - cielo - infinito - sole - spiritualità- montagna - alba- rinascità 

Gëzimi, frymëmarrja e të krishterit

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar Papa foli përsëri për gëzimin. Kujtoi se gëzimi nuk buron nga sendet materiale. As nga joshjet kalimtare. Sendet e joshjet lënë pas vetëm boshllëk. Posaçërisht në shpirtin e të krishterit. Është Jezusi, thesari i fshehur e margaritari me vlerë të madhe - pohoi Françesku - e nuk mund të shkaktojë tjetër, veçse gëzim, gjithë gëzimin e botës: “gëzimin e zbulimit të kuptimit të jetës, gëzimin e impenjimit në aventurën e shenjtërisë”.

R. SH. - Vatikan

Çdo njeri dëshiron të jetë i lumtur. Lumturia është koncept aq i rëndësishëm, sa të  theksohet deri në Kushtetutën e SHBA-ve, si “e drejtë për të qenë i lumtur”. E lirisë, paqes e solidaritetit, nga buron lumturia, i kushtohet edhe “Himni i gëzimit”, shkëputur nga Simfonia e Nëntë e Ludwig van Beethoven, zgjedhur si himn i Bashkimit Evropian që nga viti 1972.

Gëzimi, sipas Palit VI

Pali VI, në nxitjen apostolike Gaudete in Domino thekson se çdo njeri  ka nevojë për gëzimin. E të gjithë dëshirojnë të jenë të lumtur. Po si mund të realizohet kjo dëshirë e zjarrtë dhe e natyrshme e zemrës njerëzore?

“Lumturia ka disa shkallë. Shprehja e saj më e fisme është gëzimi ose lumturia, në kuptimin e ngushtë të fjalës, kur njeriu gjen kënaqësinë më të madhe në përvetësimin e gjërave të dëshiruara a të dashuruara. Kështu njeriu provon gëzim kur është në harmoni me natyrën, e posaçërisht në takimin, në bashkimin me të tjerët. Po gëzimin e lumninë më të madhe e ndjen kur shpirti i tij bashkohet me shpirtin e Zotit, të cilin e njeh dhe e do si e mira e pambaruar dhe e pandryshueshme” (Pali VI, Nxitja apostolike Gaudete in Domino).

Benediktit XVI, për gëzimin   

Benedikti XVI, pa u bërë ende Papë, pati folur për gëzimin, duke theksuar se duhet guxim për ta kërkuar gëzimin e për të qenë i lum:

“Gëzimi i thjeshtë, i vërtetë, është bërë gjithnjë më i rrallë. Gëzimi sot  është tepër i ngarkuar me hipoteka morale e ideologjike (…) Bota nuk bëhet më e mirë, po i hoqe gëzimin. Bota ka nevojë për njerëz, që e zbulojnë të mirën, që janë të aftë për ta ndjerë gëzimin, duke marrë kështu   edhe nxitjen e guximin për të bërë mirë (…). Kemi nevojë për besimin e zanafillës që, kohët e fundit, mund të na e japë vetëm feja. Besimin se, në fund të fundit, bota është e mirë, se Zoti është i mirë. Prej këndej vjen edhe guximi i gëzimit, i cili bëhet angazhim që edhe të tjerët të mund të gëzohen, duke marrë lajmin e mirë” (Joseph Ratzinger, Kripa e Tokës, Krishterimi dhe Kisha Katolike në udhën e mijëvjeçarit botimet San Paolo, Milano 1997).

Gëzimi sipas Papës Françesku

Gëzimi është një nga tiparet më të pranishme në shërbesën e Papës Françesku, që e kujton që në titullin  e tri nxitjeve të tij të para apostolike, duke e shikuar në këndvështrime të ndryshme e duke kujtuar edhe domethënien e zanafillës, në gjuhën latine: Evangelii gaudium(Gëzimi i Ungjillit), Amoris laetitia (Gëzimi i dashurisë) e Gaudete et Exultate (Gëzohuni e galdoni). Gëzimin e lumturinë i ka gjithnjë në gojë Papa Françesku, që i shikon si tipare themelore të jetës së krishterë. Ndaj nuk mund ta kuptojë të krishterin që nuk e di ç’është gëzimi. Të krishterin gjithnjë me tureçka të varura. Të jesh i krishterë për Françeskun, do të thotë të rrezatosh gëzimin e Ungjillit në shtigjet e pafundme të botës!

Nuk mjaftojnë kënaqësitë e çastit, për të qenë i lum

Gjatë këtyre muajve të pandemisë “njeriu i globalizuar” u ndodh papritmas para provave dramatike. U mbyll sipari i komedisë njerëzore, për t’u hapur ai i tragjedisë. Pandemia  e koronavirusit na vuri përballë përgjegjësive të drejtpërdrejta për vete e për të afërmin, na bëri të kuptojmë sa shpejt mund të përfundojë ekulibri i brishtë, që beson se lumturia mund të gjindet vetëm në kënaqësitë e arritura me çdo kusht. Kryesisht në kënaqësinë e pasjes së sendeve materiale. Kënaqësi hedonistike, që shuhet shumë shpejt, duke lënë pas pakënaqësi e ankth. Sepse njeriu nuk ngopet kurrë me pasje. Gjithçka vjetrohet, e ai do të ketë gjithë të renë. E  të mbetet edhe ai vetë gjithnjë i ri. E kjo të sjell menjëherë në mendje fjalët e Papës shqiptuar gjatë meditimeve të tij të përditshme në Shën Martë:

“I krishteri është burrë e grua i gëzimit. Këtë na e mëson Jezusi, na e mëson Kisha, posaçërisht në këtë kohë. Po ç’na qenka ky gëzim?  Është  të kënaqesh? Të bësh qejf? Jo. Nuk është ky gëzimi i vërtetë (...) Është tjetër gjë! Nuk vjen nga gjendja e një çasti: është shumë më i thellë. Është dhuratë. Nëse duam të gëzohemi për orë e çast, gëzimi shndërrohet në mendjelehtësi, në cektësi, gjë që na çon edhe në mungesën e urtisë së krishterë. Tjetër gjë është gëzimi! Eshtë dhuratë e Zotit, na e mbush shpirtin plot. Është si vajosje e Shpirtit Shenjt. Ky gëzim mbështetet në sigurinë se Jezusi është me ne e me Atin” (Homelia në Shën Martë, e premte 10 maj 2013).

Gëzimi i të lumve

Duke nisur një cikël të ri katekizmi kushtuar Lumnive, Françesku  shpjegoi se Jezusi i mëson njeriut “një ligj të ri”, domethënë e mëson të jetë i varfër, i butë, i mëshirshëm. Papa na nxit ta provojmë pushtetin e Zotit edhe në vuajtjet tona të përditshme, për të arritur lumturinë e premtuar prej Tij.

Papa: Lumnitë janë mesazh për mbarë njerëzimin

Zoti, për të na u dhuruar ne, zgjedh shpesh udhë  “të papërfytyrueshme”, edhe ato të kufizimve tona, të lotëve tonë, të disfatave tona”: gëzimi i Pashkëve, për të cilin flasin vëllezërit lindorë, kalon përmes vdekjes, përmes përvojës së “pushtetit të Zotit”, ka plagë, por gjithsesi, është i gjallë! Këtë theksoi Papa gjatë audiencës së përgjithshme të 20 janarit 2020, mbajtur në Sallën e Palit VI, duke nisur një cikël të ri katekizmi kushtuar Lumnive. I frymëzuar nga Ungjilli sipas Mateut, Françesku reflektoi mbi Predikimin e Jezusit në mal, që e ndriçoi jetën e besimtarëve, madje edhe të shumë njerëzve, që nuk besonin. Vështirë të mos prekesh nga këto fjalë - pohoi Papa - sepse janë karta e identitetit e të krishterit, karta jonë e identitetit. E na skicojnë “fytyrën e Jezusit dhe stilin e tij të jetës”.

Kumtimi i Lumnive  

Në vijim Papa përshkroi kushtet, në të cilat u shpall mesazhi i ri. Jezusi, duke parë turmat, u ngjit mbi shpatin e ëmbël, që rrethonte liqenin e Galilesë, u ul e, duke iu drejtuar dishepujve, shpalli Lumnitë.

Mesazhi u drejtohej dishepujve, por në horizont ishin turmat, domethënë mbarë njerëzimi. Sepse ishte për gjithë njerëzimin!

Ligji i ri

Mali - pohoi Papa - na kujton Sinain, ku Zoti i dorëzoi Moisiut  Urdhërimet. Po këtë herë nuk është i kapërthyer nga stuhia e tmerrshme. Këtë herë rrethohet nga puhia e ëmbël “e Lajmit të Mirë”.

Jezusi nis të mësojë një ligj të ri. Nis ta mësojë njeriun të jetë i varfër, të jetë i butë, të jetë i mëshirshëm… Këto “Urdhërime të reja”, janë shumë më tepër sesa ligjet. Sepse Jezusi, pa imponuar, i zbulon njeriut rrugën për arritjen e lumturisë - rrugën e Tij - duke përsëritur tetë herë fjalën “lum”.

Dhurata e Zotit

Çdo Lumni - shton Papa - përbëhet nga tri pjesë;  e para është fjala “lum”; pastaj situata në të cilën gjendet njeriu: skami i shpirtit, loti, uria, etja për drejtësi; së fundi vjen “shkaku” i lumnive, paraprirë nga lidhëza “sepse”, “Lum këta sepse, lum ata, sepse”…. Kështu vijnë njëra pas tjetrës, tetë Lumnitë, e do të ishte gjë e mirë t’i mësonim përmendësh, për t’i përsëritur, doemethënë, për ta pasur në mendje e në zemër  këtë ligj, që na dha Jezusi. Lumnitë nuk kanë të bëjnë vetëm me situatën aktuale, por sidomos, me gjendjen e re, që të lumturit e marrin si dhuratë nga Zoti; “sepse e tyrja do të jetë mbretëria e qiellit, e sepse do të ngushëllohen e do të trashëgojnë tokën e do të quhen Bijtë e Hyjit…”.

Gjendje hiri

Përsa i përket “arsyes” së lumturisë, Jezusi - kujtoi Papa - përdor shpesh të ardhmen pasive “pse do të ngushëllohen; do të trashëgojnë tokën, do të ngihen, do të falen, do të quhen bijtë e Zotit”. Më tej Papa ndalohet posaçërisht tek fjala “lum”:

“Termi i zanafillës nuk ka flet për njeriun, që e ka barkun plot, që e kalon mirë jetën, por për njeriun, që jeton në kushte hiri, që përparon në hirin e Zotit, që ecën në rrugën e Zotit: durimi, varfëria, shërbimi ndaj të tjerëve, ngushëllimi… ata që përparojnë në këto sende, janë të kënaqur e do të jenë të lum”.

T’i lexojmë Lumnitë

Lumnitë - kujtoi Papa - na mbushin pëherë me gëzim. Janë udha, që të çon tek gëzimi.

“Gjë e mirë ta marrim Ungjillin e Mateut sot, ta hapim tek Kapitulli i pestë e t’i lexojmë Lumnitë, duke nisur nga verseti i parë, deri tek i njëmbëdhjeti. E ta marrim edhe gjatë javës, për ta lexuar jo një, por disa herë, për ta kuptuar, kështu, këtë udhë kaq të bukur, kaq të sigurt lumturie, që na e propozon Zoti”.

Fjalët kushtuar gëzimit

Po sa fjalë ka për ta shprehur lumturinë? Gëzim, hare, galdim…Në gjuhët moderne, si në gjuhët e lashta,  gjejmë një mori termash me këndvështrime  e kuptime të ndryshme. Në greqishten e lashtë termi gëzim ka kuptim tjetër nga lumturia. Lumturia përkthehet me εὐδαιμονισμός“eudaimonía”, fjalë e përbërë nga eu- mirë e daímon - shpirt. Kuptimi etimologjik i saj është shpirtmirë. Ndërsa gëzimi është εὐφροσύνη, euphrosýne, ku ’eu (i mirë) bashkohet me foljen  phraino, që ka kuptimin “gëzohu”. Edhe në latinisht vërehet i njëjti ndryshim, mbasi  fjala “i lum” (felix), do të thotë pjellor, i pasur, por edhe fatlum, ndërsa fjala “gëzim”(gaudium) rrjedh nga gaudeo, gëzoj, e në etimologji tregon stolinë, gjënë e çmuar, që duhet ruajtur.

Si në gjuhët e lashta, ashtu edhe në të rejat, lumturia lidhet me shpirtin, ndërsa gëzimi buron në lidhjet me botën.

 

 

 

29 korrik 2020, 09:59