Kriza në Ukrainë Kriza në Ukrainë 

Papa: çarmatoseni zonën e Donbasit e rikthejani paqen njerëzve

Në fjalët e shqiptuara pas Engjëllit të Tënzot, Papa falënderoi për armëpushimin në zonën kufitare ndërmjet Ukrainës e Rusisë, teatër ndeshjesh të ashpra që nga viti 2014 dhe kërkoi të arrihet në procesin faktik të çarmatimit e të çminosjes.

R. SH. - Vatikan

Në mesnatën e 27 korrikut armët heshtën! Ky është lajmi, që e gëzoi aq shumë Françeskun e që e kujtoi pas Engjëllit të Tënzot. Lajm, i cili flet për stabilitet në Donbas, ku vdiqën më se 13 mijë vetë nga shpërthimi, gjashtë vjet më parë, i ndeshjes ndërmjet Kievit dhe milicëve të republikave të vetëshpallura të Donetsk e Luhansk, që mbështesin pavarësinë e Donbasit. Lajmin mbi armëpushimin e veprimeve ushtarake e dha, dy ditë më parë, Grupi i Kontaktit Tripalësh i Minskut, në të cilin marrin pjesë  përfaqësuesit e Ukrainës, të Rusisë e të Organizatës për Bashkëpunim e Siguri në Evropë(OSBE).

“Mësova- kujtoi Françesku - se u vendos një armëpushim i ri në zonën e Donbasit, vendim i marrë në Minsk, nga anëtarët e grupit tripalësh të kontaktit”:

“Ndërsa falënderoj për këtë shenjë të vullnetit të mirë, që synon kthimin e paqes të shumëdëshiruar në këtë rajon të martirizuar, lutem që çka u konkordua, të vihet më në fund në jetë, edhe përmes procesit faktik të çarmatimit e të heqjes së minave”.

“Vetëm kështu - përfundoi Papa - mund të ripërtrihet besimi e të krijohen kushtet për pajtimin aq të nevojshëm e të shumëpritur nga popullsia”.

Duke dhënë njoftimin për marrëveshjen, presidenca ukrainase falënderoi partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht Francën e Gjermaninë. Ndalimi i zjarrit i hap rrugën bisedimeve të reja për zgjidhjen përfundimtare të krizës.

26 korrik 2020, 13:44