Papa: në qershor t'i lutemi Zemrës së Krishtit për njerëzit në vështirësi

Ndjeti i lutjes së Papës Françesku për muajin qershor, paraqitur me anë të Videos së Papës, na bën thirrje për dhembshuri e ëmbëlsi, duke na kërkuar të lutemi për të gjithë ata, të cilët po kalojnë vështirësi, që të gjejnë jetë në Zemrën e Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Ndërsa pandemia vijon të fshikullojë shumë anë të botës, Ati i Shenjtë nuk harron ata, që përballen me vështirësi të çdo lloji dhe, e dëshmon këtë me Videon e Papës, me të cilën paraqet ndjetin e lutjes për muajin qershor. Këtë muaj, që i kushtohet Zemrës së Krishtit, Françesku u kërkon besimtarëve të luten që të gjithë njerëzit në vështirësi “të gjejnë shtigje jete, duke e lënë Zemrën e Krishtit t’i prekë” në shpirt.

 Ku ka dhimbje, ku ka vuajtje, ku ka vështirësi, aty është Zemra e Krishtit. Askush nuk është i vetëm. Mesazhi i Papës Bergoglio kujton se ka një udhë, që e ndihmon nevojtarin. Një udhë, që lidhet me Zemrën e Krishtit, me stilin dhe gjestet, që frymëzon ajo e, që mund t’i nxisë njerëzit të mishërojnë në jetën e tyre private misionin e dhembshurisë për botën. Ati i Shenjtë na kërkon t’i afrohemi kësaj udhe të zemrës, sepse ajo mund të përmbajë për të gjithë ne, “revolucionin e ëmbëlsisë” apo të butësisë së shpirtit, siç e quan Papa.

Përkushtimi për Zemrën e Krishtit

Përkushtimi për Zemrën e Krishtit ka histori të gjatë. Nga “zemra e shporuar e Jezusit” në Ungjillin e Shën Gjonit – interpretuar nga mistika mesjetare si plagë, që tregon thellësinë e dashurisë së Tij – kalohet në vegimet e Shën Margaritës Maria Alakok, në shekullin XVII dhe në kultin e mëpasëm të Zemrës së Krishtit në shekullin XIX, deri në atë të Mëshirës Hyjnore me motër Faustina Kovalskën, në fillim të shekullit XX. Papa Piu XII pati shkruar edhe një enciklikë për Zemrën e Krishtit, “Haurietes aquas”, në vitin 1956. Gjatë historisë, ka pasur inkulturime të ndryshme për këtë devocion, me forma dhe mënyra të larmishme të shprehuri, por gjithnjë me ndjetin që Ati Qiellor t’i zbulonte njerëzimit gjithë thellësinë e misterit të Dashurisë së Tij, përmes këtij simboli të privilegjuar: Zemrës së Birit të Tij të Ringjallur, pasi, siç thotë Papa Françesku, Zemra e Krishtit është qendra e mëshirës hyjnore.

100-vjetori i kanonizimit të shën Margaritës Maria Alakok

Këtë vit, kremtohet 100-vjetori i kanonizimit të shën Margaritës Maria Alakok, shpallur shenjte nga Papa Benedikti XV, më 13 maj 1920. Mesazhin e saj, shenjtja e përvuajtur e pati bërë të njohur me ndihmën e një jezuiti, atë Klod La Kolombierë (Claude La Colombière). Më 1688, gjashtë vite pas vdekjes së jezuitit, motër Margarita pati vegimin e saj të fundit, në të cilin, përmes shën Marisë, Zoti ua besoi Murgeshave Vizitantine dhe meshtarëve të Shoqërisë së Jezusit, detyrën për t’ua transmetuar të gjithëve përvojën dhe kuptimin e misterit të Zemrës së Krishtit. 200 vite më vonë, jezuitët e pranuan zyrtarisht këtë mision, përmes një dekreti të 1883-shit dhe ia besuan Apostullimit të Lutjes, sot, shndërruar në Rrjetin Botëror të Lutjes së Papës.

Ndjeti i lutjes së qershorit, që Papa e paraqiti sot përmes Videos së realizuar nga ky Rrjet, u kërkon besimtarëve të përshkojnë udhën e dhembshurisë për ata, që vuajnë, në mënyrë që ta shndërrojnë jetën e tyre dhe atë të të tjerëve, me shpresën për t’iu afruar sa më shumë Zemrës së Krishtit.

Ja fjalët e ndjetit të lutjes së Papës Françesku, me temë “dhembshuri për botën”:

“Shumë njerëz vuajnë për vështirësitë e mëdha, që kalojnë. Mund t’i ndihmojmë, duke i shoqëruar gjatë kësaj udhe me dhembshurinë, që ua shndërron jetën dhe e afron atë me Zemrën e Krishtit, e cila na pranon të gjithëve në revolucionin e butësisë së shpirtit.

 Të lutemi që të vuajturit të gjejnë udhën e jetës, duke e lënë Zemrën e Krishtit t’i prekë”.

04 qershor 2020, 17:01