Kërko

 Situatë kritike në Libi Situatë kritike në Libi 

Thirrja e Françeskut për situatën dramatike në Libi

Papa ndjek me shqetësim të madh e me dhimbje situatën dramatike në Libi. Këtë e theksoi pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, duke i drejtuar një thirrje të fuqishme bashkësisë ndërkombëtare.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa theksoi se e ndjek me vëmendje e shqetësim të thellë situatën dramatike në Libi. E, si kujtoi se pikërisht kjo situatë është vazhdimisht e pranishme në lutjet e tij këto ditë,  i nxiti Organizmat ndërkombëtare dhe të gjithë ata, që kanë përgjegjësi politike e ushtarake, të kërkojnë udhën, që çon drejt fundit të dhunës e sjell paqen, stabilitetin dhe unitetin e vendit.

Papa u lut edhe për mijëra migrantët, refugjatët, të pastrehët e të shpërngulurit e brendshëm të Libisë. Situata shëndetësore - kujtoi në vijim – po i rëndon edhe më shumë kushtet e jetesës, që vijojnë të keqësohen më tej edhe nga format e shfrytëzimit e të dhunës. Prej këndej, ftesa drejtuar bashkësisë ndërkombëtare:

“E ftoj bashkësinë ndërkombëtare të kujdeset për kushtet e jetesës së tyre, duke gjetur rrugët e përshtatshme, duke i pajisur me mjetet e nevojshme, duke u siguruar mbrojtje, për të cilën kanë nevojë, e duke u krijuar kushte dinjitoze e ardhmëri plot shpresë”.

Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut

Në vijim Françesku kujtoi se sot kremtohet Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut:

“Është rast për ta nxitur shoqërinë të jetë solidare dhe ndjeshme për të gjithë ata, që kanë nevojë”.

E Papa, më pas, përshëndeti vullnetarët e pranishëm, duke u shprehur vlerësimin e tij të gjithë atyre që e kryejnë këtë akt të thjeshtë, por tejet të rëndësishëm në ndihmë të të afërmit.

Së fundi, ftesa - mos harroni të luteni për Papën. E kërkoi ai vetë, në përfundim të lutjes, pas urimit të ngrohtë:

“Të diel e javë të gëzuar, të gjithëve!”.

14 qershor 2020, 13:34