Kërko

Mbyllur, për shkak të pandemisë Mbyllur, për shkak të pandemisë 

Romë: Papa krijon një fond për punëtorët dhe familjet në krizë

Quhet Fondi “Jezu Krishti Punëtor Hyjnor” dhe fillimisht, do të ketë në dispozicion 1 milion euro për të gjitha kategoritë më të ligshta, goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit në dioqezën e kryeqytetit italian. Në letrën për kardinalin vikar De Donatis, Papa Françesku bën thirrje në favor të një “aleance për Romën”: institucionet dhe qytetarët, shkruan Ati i Shenjtë, ta bëjnë qytetin të rilindë me një zemër solidare.

R.SH. - Vatikan

“Si ipeshkëv i Romës, vendosa të themeloj në dioqezë Fondin ‘Jezu Krishti Punëtor Hyjnor’ për të kujtuar dinjitetin e punës, me një shumë fillestare prej 1 milion eurosh për Karitasin dioqezan”. Ky është vendimi i sotëm i Papës Françesku, që i komunikohet kardinalit Angelo De Donatis, vikarit të tij të përgjithshëm për dioqezën e kryeqytetit italian.

Ringjallja e Romës fillon nga më të brishtët

Kështu, për Papën, ringjallja e Romës, pas pandemisë së koronavirusit, fillon nga më të brishtët. I duhet kthyer popullit të punëtorëve të paguar keq, të padukshmëve që s’ua vë veshin askush, dinjiteti i bërë pluhur gjatë javëve të karantinës. Për Atin e Shenjtë nuk ka rrugë tjetër. E pati dëshmuar këtë që me themelimin e Komisionit për kohën pas Covid-19, i cili ka për detyrë të reflektojë mbi pasojat e pandemisë në shoqëri. Kësaj radhe, vështrimi i tij bie mbi dioqezën e Romës e Papa, si ipeshkëv i saj, e di tashmë sa njerëz kërkojnë ndihmë. Duket, shkruan Françesku, se “pesë bukët e dy peshqit nuk mjaftojnë”.

Për të papunët e të pasigurtët

Synimi i Fondit të ri është të mbështesë njerëzit e sprovuar nga pandemia, në veçanti, nënvizon Ati i Shenjtë, “ata që ka rrezik të mbeten të përjashtuar nga kujdesi institucional dhe kanë nevojë për përkrahje e shoqërim, deri sa të ecin sërish me këmbët e veta”. E Françesku i njeh mirë dhe i rreshton në letër: punëtorët ditorë e të rastit; ata me kontratë afatshkurtër, që nuk rinovohet; ata, që paguhen me orë; stazhistët; punëtorët shtëpiakë; sipërmarrësit e vegjël; punëtorët autonomë, sidomos ata në sektorët më të prekur nga pandemia. Janë familjarë, që “me mundime, luftojnë për t’u shtruar tryezën e bukës fëmijëve dhe për t’u garantuar atyre minimumin e domosdoshëm”.

Një aleancë për Romën

Papa Françesku pranon se periudha e pandemisë i ka nxitur njerëzit të bëhen më solidarë. Janë shtuar donacionet, sidomos në favor të mjekëve dhe infermierëve, të cilët romakët ditën t’u shprehin mirënjohjen edhe me himne nëpër ballkone e me një pjatë gjellë, dhuruar spitaleve. Ditën edhe t’u qëndrojnë pranë të moshuarve e më të ligshtëve të shoqërisë. Prandaj, shkruan Bergoglio, “më pëlqen të mendoj se ky mund të jetë rast i një aleance të vërtetë për Romën, ku secili, për pjesën që i takon, të ndihet protagonist i rilindjes së bashkësisë tonë pas krizës. Ky Fond dëshiron të jetë një shenjë, në gjendje të nxisë gjithë njerëzit vullnetmirë për gjeste konkrete përfshirëse, sidomos në favor të atyre, që kërkojnë ngushëllim, shpresë dhe njohjen e të drejtave. Prandaj, - vijon Françesku – i ftoj të gjitha institucionet dhe bashkëqytetarët tanë të ndajnë me bujari gjithçka kanë në dispozicion, në këto kohë kaq të jashtëzakonshme, ngarkuar me shumë nevoja. Iu drejtohem zemrës së mirë të sa e sa romakëve, duke i nxitur të marrin parasysh faktin se, në këtë çast, nuk mjafton të ndajnë me të tjerët vetëm tepricat”.

Solidariteti i fqinjësisë së mirë

Papa e falenderon Kishën e Romës për solidaritetin e treguar, por u bën thirrje edhe institucioneve të jenë më të pranishme, me politika konkrete për të mirën e qytetit. “Do të doja – e përfundon letrën – që në qytetin tonë të lulëzojë solidariteti i fqinjësisë së mirë,  gjestet që të kujtojnë sjelljet në vitin shenjt, kur falen borxhet, bien pretendimet, kërkohet pagesa sipas mundësive të borxhliut e jo sipas tregut”.  Fondi, saktëson një notë e Vikariatit të Romës, do të paraqitet për mediat të premten, në orën 11, në Sallën “Kardinali Ugo Poletti” në Pallatin e Lateranit.

09 qershor 2020, 12:06