martin-luther-king.jpg

Papët dhe ëndrra e Martin Luther King

Nga Pali VI tek Françesku, “ëndrra” e të drejtave të plota për bashkësinë afro-amerikane të SHBA-ve është mbështetur me pasion nga Papët, që e kanë parë gjithnjë Martin Luther King si shembull për t’u ndjekur, në betejën pa dhunë për barazi.

R.SH. - Vatikan

Vdekja tragjike e afro-amerikanit George Floyd, mbytur gjatë arrestimit të tij në SHBA-të, tregoi dramatikisht qartë se ëndrra e Martin Luther King akoma duhet realizuar. E megjithatë, ai fjalim historik, që njihet nga të gjithë si “I have a dream”, shqiptuar nga lideri i lëvizjes për të drejtat civile, më 28 gusht të 57 viteve më parë, vazhdon të jehojë edhe sot, edhe këto ditë, në britmën e atyre, që kërkojnë drejtësi dhe dinjitet për bashkësinë afro-amerikane e me të, për të gjitha pakicat e çdo kohe. Ajo “ëndërr”, që i ka rrënjët në Ungjill e në forcën çliruese të dashurisë së Zotit, është mbështetur gjithnjë nga Papët, duke filluar nga shën Pali VI, i cili e priti pastorin baptist në Vatikan më 18 shtator 1964 dhe e inkurajoi ta vijonte impenjimin e tij paqësor kundër diskriminimit racor.

Fjalimi plot pasion i Palit VI pas vrasjes së Martin Luther King

          Katër vite më vonë, Papa Montini e priti me shqetësim të madh lajmin e vrasjes së Martin Luther King, më 4 prill 1968, në Memphis, Tennessee. Kaluan tri ditë: në të Dielën e Larit, Pali VI e kujtoi me mallëngjim figurën e Nobelistit të Paqes, me fjalë, që edhe sot, kanë një aktualitet të jashtëzakonshëm. Ati i Shenjtë u lut që ai krim “të merrte vlerën e flijimit” e të sakrificës. “Jo urrejtje, jo hakmarrje, jo thellim i një humnere të re ndërmjet qytetarëve të asaj toke të madhe e të fisme – ngriti zërin Pali VI – por një objektiv i ri i përbashkët për të arritur faljen, paqen, pajtimin, në barazinë e të drejtave e të lirive, të imponohet mbi diskriminimet e padrejta dhe luftrat e tanishme. Dhimbja jonë bëhet më e madhe dhe plot frikë për reagimet e dhunshme kundër rendit, që shkaktoi ky fat i trishtë; por shpresa jonë shtohet edhe duke parë se nga çdo palë përgjegjëse dhe nga zemra e popullit të shëndoshë rritet dëshira dhe impenjimi për të arritur që, nga vdekja e padrejtë e Martin Luther King, me të vërtetë, të kapërcehen konfliktet racore dhe të vendosen ligje e mënyra bashkëjetese më të përshtatshme për qytetërimin modern dhe për vëllazërimin e krishterë”.

Shën Gjon Pali II kujton pastorin baptist në Nju Orleans

          Pas 20 vitesh, më 12 shtator 1987, një Papë tjetër shenjt përmendi ëndrrën e liderit afro-amerikan. Shën Gjon Pali II ishte në Nju Orleans, ku u takua me bashkësinë katolike zezake të qytetit. Karol Wojtyla kujtoi udhën e gjatë e të vështirë të bashkësisë afro-amerikane për të fituar mbi padrejtësitë e për t’u liruar nga pesha e shtypjes. “Në orët më të vështira të luftës suaj për të drejtat civile, në mes të diskriminimit dhe të shtypjes – nënvizoi Papa polak – vetë Zoti ua udhëhoqi hapat drejt udhës së paqes. Përballë historisë lartohet përgjigjja e padhunshme, në kujtesën e këtij kombi, si monument, që e nderon bashkësinë zezake të Shteteve të Bashkuara”. Gjon Pali II foli për “rolin providencial” të Martin Luther King, që “kontribuoi në përmirësimin e kushteve të zezakëve amerikanë e, si rrjedhojë, edhe në përmirësimin e vetë shoqërisë amerikane”. Ashtu si Pali VI, edhe ai ndihej veçanërisht në sintoni me këndvështrimin e krishterë, që mishëronte pastori i Atlantës, i cili besoi deri në flijim, në veprën libruese të fesë në Krishtin.

Papa Benedikti XVI takon Bernice Albertine

          Këtij këndvështrimi iu referua edhe Papa Benedikti XVI, i cili, në ceremoninë e mirëseardhjes në Uashington, më 16 prill 2008, nënvizoi se besimi në Zotin ka qenë “frymëzimi i vazhdueshëm dhe forca orientuese” e luftës së Martin Luther Kingut “kundër skllavërisë e në favor të lëvizjes për të drejtat civile”. Fjalë, që i theksoi me forcë dy ditë më vonë, në takimin me vajzën e pastorit baptist, Bernice Albertine, gjatë një kremtimi ekumenik në Nju Jork.

Papa Françesku flet për Martin Luther King para Kongresit amerikan

Kaluan shtatë vite: për herë të parë në histori, një Papë foli para Kongresit të SHBA-ve. Në Capitol Hill, ishte Papa Françesku ai, që shqiptoi një fjalim mbi shpirtin e Shteteve të Bashkuara, duke vënë në dukje se “një komb mund të konsiderohet i madh, kur… promovon një kulturë, që u jep mundësinë njerëzve të ëndërrojnë të drejta të plota për të gjithë vëllezërit dhe motrat, siç u përpoq të bënte Martin Luther King”. Për Papën, ajo “ëndërr vazhdon të na frymëzojë”, sepse zgjon “gjithçka është më e thellë dhe më e vërtetë në jetën e njerëzve”. E, ashtu si në raste të tjera, nënvizoi se këto lloj ëndrrash nuk janë qëllim në vetvete, por “çojnë drejt veprimit, drejt pjesëmarrjes dhe impenjimit”.

“Asgjë nuk fitohet me dhunë, veç humbet shumë”

Edhe Papa Françesku, ashtu si paraardhësi i tij, u takua me të bijën e reverendit afro-amerikan, edhe ajo aktiviste e të drejtave civile. Kësaj radhe, audienca u mbajt në Vatikan, më 12 mars 2018. Biseda private me Bernice Albertine u zhvillua tri javë pas 50-vjetorit të vrasjes së Martin Luther King. Për Papën, siç shkroi në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2017, Martin Luther King arriti suksese kundër diskriminimit racor, “që nuk do të harrohen kurrë”. E mënyra si u fituan këto të drejta ka po aq rëndësi sa vetë rezultatet. “Beteja pa dhunë, – shkruan Françesku – vënë në jetë me vendosmëri dhe koherencë, ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme”. Përkundrazi, siç pohoi në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 3 qershor, duke pasur parasysh gjendjen e sotme në SHBA-të e përshkuara nga protestat e ndeshjet me policinë, “asgjë nuk fitohet me dhunë, veç humbet shumë”.

03 qershor 2020, 18:16