Kërko

CORONAVIRUS/EASTER-POPE-VIACRUCIS  CORONAVIRUS/EASTER-POPE-VIACRUCIS  

Papa: Zoti kërkon zemra tё hapura e tё mëshirshme

Papa: “Zoti nuk mund të hyjë në zemrat e ngurrëta dhe ideologjike. Zoti hyn në zemra qё janё tё ngjashme me zemrën e Tij: zemra të hapura e tё mëshirshme”. Mos tё harrojmё t’i bëjmë një vend në zemër Fjalës së Jezusit, sepse ajo na e ngroh shpirtin.

R.SH. - Vatikan

Zoti nuk mund të hyjë në zemrat e ngurrëta dhe ideologjike. Zoti hyn në zemra qё janё tё ngjashme me zemrën e Tij: zemra të hapura e tё mëshirshme”. Kёshtu shkruan Papa Françesku nё një tweet botuar sot, 18 qershor 2020, nё faqen e internetit @Pontifex, natën e festës sё Zemrës sё Krishtit.

Zoti është i aftë ta ndryshojë zemrën e ngurtë

“Zoti i zbut zemrat e ngurta, të cilat dënojnë gjithçka, që nuk shkon sipas Ligjit”. Kështu tha Papa Françesku, në homelinё e meshës sё 2 majit 2017, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. “Njerëzit zemërgur, nuk e dinë se dhembshuria e Hyjit është në gjendje ta heqë zemrën e ngurtë e të vendosë, në vend të saj, një zemër të vërtetë prej mishi e gjaku”.

“Zemra e ngurtë, vërejti Françesku, të bën të mos e kuptosh Fjalën e Zotit në mënyra të ndryshme. Për shembull, Jezusi i quan “të pamend” dishepujt e Emausit, sepse nuk e kuptonin se kishin përpara Krishtin e gjallë, por nuk ishin të këqinj, kishin vetëm frikë. Prandaj, fjalët e përdorura nga Jezusi, shpjegoi Papa, sepse, kur Jezusi i kritikon, dishepujve iu ngrohet zemra dhe e dëgjojnë, ndërsa ata që vranë Shtjefnin, martir, nuk përmbaheshin, nuk donin të dëgjonin.

Ky është problemi i zemrës së ngurtë, nënvizoi Ati i Shenjtë. Në Psalmin 94, Zoti e paralajmëron popullin e vet të mos e ngurtësojë zemrën, ndërsa me profetin Ezekiel i premton t’ia ndryshojë zemrën e ngurtë në një zemër prej mishi e gjaku, që di të dëgjojë e di të bindet:“Kjo e bën të vuajë shumë, tepër, Kishën: zemrat e mbyllura, zemrat e ngurta, zemrat, që nuk duan të hapen, që nuk duan të dëgjojnë; zemrat, që njohin vetëm gjuhën e dënimit: dinë të dënojnë, por nuk dinë të thonë ‘Ma shpjego, pse e thua këtë? Pse kjo tjetra? Ma shpjego…’. Jo! Janë të mbyllura. Nuk kanë nevojë për shpjegime”.

Zemra e ngurtë nuk e lë Shpirtin Shenjt të hyjë

Vetë Jezusi u thotë njerëzve zemërngurtë se i kanë vrarë profetët, ngaqë u thonin çka nuk u pëlqente, kujtoi Papa. Vërtet, zemra e ngurtë nuk e lë Shpirtin Shenjt Zoti të hyjë:“Nuk kishte vend në zemrën e tyre për Shpirtin Shenjt... Zemra e mbyllur, zemra e ngurtë, zemra e paganit nuk e lë të hyjë Shpirtin dhe i mjafton vetvetja”.

Zoti e shkul zemrën e ngurtë

Dy dishepujt e Emausit, vijoi Papa Françesku, jemi ne, që kemi shumë dyshime, shumë mëkate, që shpesh duam të zbresim nga Kryqi e nga sprovat, por mos tё harrojmё t’i bëjmë një vend në zemër edhe Fjalës së Jezusit, sepse ajo na e ngroh shpirtin. E duke përmendur episodin e kurorëthyeses, viktimës së zemrave të ngurta, Papa kujtoi se “njerëzit e Ligjit donin ta vrisnin gruan me gurë e Jezusi u thotë vetëm “Shikoni veten tuaj”.

“E sot, ta kundrojmë këtë dhembshuri të Jezusit: dëshmitari i bindjes, Dëshmitari i Madh, Jezu Krishti, që dha jetën, na bën ta shohim dhembshurinë e Hyjit për ne, për mëkatet tona, për dobësitë tona. Të hyjmë në këtë dialog e t’i lutemi Zotit për hirin e zbutjes së zemrave të njerëzve të ngurtë, të atyre, që mbyllen në rregullat e Ligjit e dënojnë gjithçka është jashtë tij. Nuk e dinë se Fjala e Zotit u mishërua, se Fjala është dëshmitare e bindjes. Nuk e dinë se dhembshuria e Zotit është e aftë ta shkulë zemrën e ngurtë e të vendosë një zemër prej mishi e gjaku në vend të saj”.

Zemra e Zoti i kujton të gjithë njerëzit

Zoti hyn në jetën e njeriut në majë të gishtërinjve. Atëherë në zemra ndizet një shkëndijë dashurie e një flakëz feje, e cila na shndërron e na ndihmon të gjejmë rrugën e drejtë, rrugën e fesë, që çon te Ati. “Para syve tanë, çdo ditë, kemi pamje të dhunshme, fytyra të pamëshirshme, zemra të ngurta e të pikëlluara”. Kështu tha Papa Françesku në fjalimin drejtuar rregulltarёve Pallotinë, gjatë audiencës së 10  tetorit 2016, në Vatikan. “Kemi kaq shumë nevojë për të kujtuar zemrёn e Atit Qiellor, zemra e të cilit i kujton të gjithë njerëzit dhe e do shpëtimin e çdo njeriu.

‘Zoti kujton’, gjithnjë, nuk e harron asnjë nga ata, që krijoi, pati pohuar Françesku në lutjen e të Engjëllit të Tënzot, tё 3 nёntorit 2013, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke folur për takimin e Jezusit me publikanin, Zakeun, sipas rrëfimit të Ungjillit. Papa kujtoi se “Hyji është Atë, syhapët e dashamir. Pret përherë që në zemrën e birit të rindizet dëshira e kthimit në shtëpi. E kur sheh një shkëndijë të vetme, edhe të pavetëdijshme, vrapon shpejt pranë tij e, duke e falur, ia lehtëson udhën e kthimit”.

Në udhën e mirëfilltë të jetës së krishterë, kujton shpesh Papa, lutja krijon mundësitë që Zoti të hyjë në sferën e ndjenjave, të vullnetit, të zemrës, duke ndjekur udhёn e pёrngjasimit me zemrёn e Tij tё mëshirshme Hyjnore. T’ia hapim plot besim zemrën tonë Zotit: ky është hapi i parë i lutjes; jo vetëm ta dëgjojmë fjalën, por ta hapim zemrën në praninë e Zotit; pastaj të bisedojmë përzemërsisht me Të, duke e ndjerë të pranishëm në shpirt; më pas - gjë shumë e natyrshme – t’ia paraqesim nevojat tona; e, së fundi, ta lavdërojmë e ta falënderojmë me vepra dhe me jetë.

Tё krishterët janё– nënvizoi Papa Françesku –  janё të thirrur të veprojnë me një zemёr tё re, me njё hov të ri për të zgjuar besimin nё zemrat e njerёzve dhe për të ndezur sërish dashurinë, posaçërisht te shtresat më të brishta të popullsisë, te ata që janë të varfër shpirtërisht e materialisht”.

Shëna Ndou i Padovës, festёn e tё cilin e kremtuam mё 13 qershorin e kaluar, na porosit: “Në se predikon Krishtin, ai i shkrin zemrat e ngurrëta; në se i lutesh, Ai i ëmbëlson tundimet e hidhura; në se mendon për Të, ta mbush zemrën plot dritë; në se e lexon, Ai ta shuan etjen e mendje".

18 qershor 2020, 13:56